Dhoma ekonomike e Gruas ka zhvilluar një anketë me 90 gra sipërmarrëse për pasojat e shkaktuara nga pandemia COVID-19. Nga gjetjet e anketimit rezulton se 30% e sipërmarrjeve ulën numrin e të punësuarve. Sipas Dhomës Ekonomike të Gruas përballja me pandeminë ishte e fortë për sipërmarrëset e reja.
“Anketa e kryer dy muajt e fundit me 80 gra sipërmarrëse vë në dukje se 30% e tyre ulën numrin e të punësuarve nga 10-70%, krahasuar me një vit më parë. Flasim për një kategori sipërmarrjesh që kishte siguruar qëndrueshmëri më parë, pasi rreth 70% e tyre, raportojnë të kenë mbi 5 vite në treg dhe 37% e totalit të të anketuarve kanë mbi 10 vjet. Gjatë vitit të kaluar gati 36% e sipërmarrjeve të drejtuara nga gratë ulën aktivitetin, por theksuan se nuk pushuan punonjës nga puna. Ndërsa vetëm 8% vazhduan normalisht si më parë”, thuhet në njoftimin e Dhomës Ekonomike të Gruas.
Nga ana tjetër në kulmin e pandemisë në vitin e kaluar 7% e grave mbyllën aktivitetin.
“Gjatë kulmit të pandemisë, gati një e treta e sipërmarrjeve të drejtuara nga gra e kanë menduar mbylljen e aktivitetit dhe 7% e tyre e kanë mbyllur atë në vijim. Për pjesën më të madhe të grave në biznes, shqetësimi kryesor ishin: pasiguria, e shoqëruar me ndryshime të vazhdueshme të masave mbrojtëse dhe pamundësia financiare e tyre për të rritur kapitalin”, vijon më tej njoftimi.
Pasiguria vijon të jetë shqetësimi kryesor i 37 % të të anketuara, ndjekur nga ulja e kërkesës dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Zhvillimi pozitiv i kësaj periudhe ishte aktiviteti online i kompanive, thuhet në njoftim. 53% e tyre thonë se kanë shënuar zhvillime pozitive në sipërmarrje pikërisht për shkak të periudhës transitore dhe fokusit në shitje online. Kjo mundësoi ulje të kostove operative për shumë kompani.
“Në drejtim të shërbimeve online, ato zhvilluan degët e tyre të shërbimeve të mëparshme, ose produkte tërësisht të reja. Disa nga përgjigjet ishin:
1-Shitje online dhe futje e një produkti të ri
2- Përshtatje e aktivitet dhe shtim i shërbimeve
3- Zhvillim i shitjeve online për t’u përshtatur me tregun dhe kushtet e pandemisë
4- Hapje e një sipërmarrje të re me fokus tregtinë online
5- Zhvillim i aplikacionit online Në këtë periudhë, vetëm 26% e sipërmarrjeve të anketuara pohojnë se arritën të përfitojnë nga mbështetje financiare, si projekte apo masa të posaçme, nga të cilat gati 70% ishin grante”, thuhet në gjetjet e Dhomës Ekonomike të Gruas.