Gjykata Kushtetuese kalon në seancë padinë e Ajola Xoxës dhe zyrës së avokatisë Partner Law.

Ajola Xoxa ka kërkuar kthimin e sendeve personale të sekuestruara fillimisht nga SPAK dhe më pas konfirmuar nga të gjitha gjykatat e tjera. Sipas saj, kontrollet dhe sekuestrot në banesën e bizneset e saj shkelin parimet e një procesi të rregullt ligjor.

Në maj të vitit të shkuar, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliajt, për të marrë pas telefonin dhe sendet e tjera të sekuestruara më parë si pjesë e hetimit të SPAK.

SPAK akuzon Ajola Xoxën për “ Korrupsion pasiv” në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, “Pastrim parash”, “Mosdeklarim pasurie” dhe “Fshehje e të ardhurave”. Dosja në ngarkim të saj po gjykohet në themel nga GJKKO së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj e disa biznesmenë të tjerë.

Ajola Xoxa do të gjykohet pa një masë sigurie. Kërkesa e saj për heqje të masave “detyrim paraqitje” dhe “ndalimi i daljes jashtë vendi” është pranuar nga GJKKO për shkak të gjendjes së saj shëndetësore pasi është shtatzënë.

Lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.