Dënimi i Ervin Salianjit me 1 vit burg për dosjen “Babale” nuk u bë në cenim të Kushtetutës, thotë Gjykata Kushtetuese në vendimin e marrë për ish deputetin këtë të premte.
Kushtetuesja ndalet në dy aspekte, te procesi ligjor dhe lirisë së shprehjes.
Procesi ligjor i ndjekur ndaj Salianjit thotë gjykata, ishte i rregullt, ndërsa sa i takon aspektit të lirisë së shprehjes Jushtetuesja pranon se vendimi i Apelit përbën ndërhyrje në lirinë e shprehjes, por sipas saj, kjo ndërhyrje është bërë për një qëllim legjitim dhe në proporcion të drejtë.
Salianji u dënua me 1 vit burg në shtator të vitit 2024 duke u shpallur fajtor për kallëzim të rremë për dosjen “Babale”. Ai e çoi çështjen në Kushtetuese nga burgu i Fierit ku vuante dënimin dhe kërkoi shfuqizimin e vendimeve gjyqësore duke i cilësuar ato si të papajtueshme me Kushtetutën dhe me prapavijë politike. Salianji e përfundoi dënimin vitin e shkuar, por ai i kushtoi humbjen e mandatit të deputetit.
Më 29 shtator, kur Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën, Salianji ‘paralajmëroi’ se vendimi për rrëzimin e saj ishte marrë. Ish-deputeti demokrat deklaroi gjithashtu se pas kësaj, do ta ndjekë çështjen në Gjykatën e Strasburgut.










Komente
Komento