Ankorohet anija me mbetje, 102 kontejnerët vendosen në Porto Romano! Ruhen me policë e monitorim me kamera! Ministria: Analizat në Belgjikë e Zvicër (VIDEO)

DURRËS- Anija turke “Moliva” pasi qëndroi 11 ditë në det u ankorua sot, 8 nëntor, në të gdhirë në Portin e Durrësit. Report Tv solli pamjet me dron, nga ku u shkarkuan 102 kontejnerët me 2100 tonë mbetje të dyshuara të rrezikshme. Brenda ditës nisi transportimi i 102 kontejnerëve drejt Porto Romanos, në një territor që menaxhohet nga Agjencia e Pronave të Sekuestruara.

Çdo procedurë regjistrohet në proces-verbal, që nga gjendja e tyre e jashtme deri te plumçoja sipas urdhrit të prokurorisë. Burimet thanë se në Porto Romano kontejnerët vetëm do të magazinohen, pra nuk do të hapen dhe nuk do të kryhet asnjë veprim tjetër deri në përfundim të hetimeve.

Në pamjet që solli Report Tv dallohet se kontejnerët me mbetjet industriale do të qëndrojnë larg zonave të banuara, brenda rrethimit që monitorohet me kamera dhe nën ruajtjen e Policisë së Shtetit, pasi janë në sekuestro nga Policia. 

Teksa në Durrës kryhej shkarkimi dhe transportimi i kontejnerëve të sekuestruar nga prokuroria, Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro në mbledhjen e komisionit të Veprimtarisë Prodhuese tha se mostrat e analizave do të shkojnë në Belgjikë dhe Zvicër.

"Nuk ka folur njeri për mbetje toksike, dhe nuk është në asnjë nga letrat apo dokumentacionin që ka qarkulluar. Çështja në fjalë po hetohet nga Prokuroria", tha ministrja Mirela Kumbaro. 

"Laboratorët me urdhër të Prokurorisë, do shkojnë analizat në Belgjikë dhe Zvicër dhe në 3 laborator të tjerë dhe më pas do shohim nëse janë apo jo mbetje", u shpreh Athanas Karaja, drejtor në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. 

Kontejnerët që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në vendin tonë pasi organizata mjedisore “Basel Action Network” ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme.

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetim ndaj kompanisë eksportuese “Sokolaj” sh.p.k, e cila nga ana e saj ka deklaruar se i kishte blerë mbetjet nga kompania e prodhimit të shufrave të hekurit, “Kurum International”. Anija mbërriti mëngjesin e 28 tetorit 2024, në radën e jashtme të portit detar të Durrësit. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:15
Agjencia e Pasurive të Sekuestruara merr në dorëzim 102 kontejnerët me mbetje, u vendosën në Porto Romano

1731071834_kontejneretmembetje.jpg

AAPSK merr në administrim 102 kontenierët e anijes “Moliva” përmes procedurave strikte të kontrollit dhe sigurisë 

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka marrë në dorëzim 102 kontenierët, të cilët u shkarkuan ditën e sotme nga anija e ankoruar në Portin e Durrësit.   

I gjithë procesi është realizuar përmes një plani të detajuar masash, edhe në zbatim të urdhërit të Prokurorisë Durrës për zbarkimin dhe ruajtjen e 102 kontenierëve të anijes “Moliva”, në një vend të sigurt, larg zonave të banuara, si edhe duke respektuar në mënyrë rigoroze kushtet e sigurisë fizike, mjedisore dhe shëndetësore.

Të përfshirë në planin e masave janë një sërë institucionesh, ku përveç punonjësve të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në operacion kanë marrë pjesë edhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, Autoriteti Portual Durrës, Kapiteneria e Portit Durrës, Dogana Durrës, Drejtoria e Hetimit Doganor, si edhe Prokuroria e Durrësit.  

Pas shkarkimit të kontenierëve nga anija, ato janë transportuar në masa rigoroze sigurie në destinacionin final ku do të mbahen në monitorim dhe administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Çdo veprim është regjistruar dhe dokumentuar përmes procesverbalëve dhe kontenierët janë kontrolluar, skanuar dhe verifikuar, që nga gjendja e tyre e jashtme, deri tek të gjithë elementët e tjerë të sigurisë.

Ora 11:54
Anija 'Moliva' ankorohet në portin e Durrësit, Ministria e Turizmit: Nuk ka folur njeri për mbetje toksike! Do bëhen analizat në Belgjikë, Zvicër e 3 laboratore

 

Foto: Mirela Kumbaro

Anija ‘Moliva’ me mbetje të dyshuara të rrezikshme është ankoruar në Portin e Durrësit dhe tashmë ka nisur sot shkarkimi i 102 kontejnerëve.

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro sot në komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin tha se I gjithë dokumentacioni I është vënë në dispozicion prokurorisë. Përqafësuesi I kësaj ministrie tha se kontejnerët kanë kaluar nga Porti si mall dhe asnjë nuk e ka etiketuar mbetje. Do të jenë analizat që do të bëhen edhe në Belgjikë e Zvicër dhe në 3 laboratore të tjera që do të vërtetojnë nëse kemi të bëjmë me mbetje.

Kumbaro: Nuk ka folur njeri për mbetje toksike, dhe nuk është në asnjë nga letrat apo dokumentacionin që ka qarkulluar. Çështja në fjalë po hetohet nga Prokuroria kemi vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin. Është identifikuar vendi ku do të vendosen kontejnerët ku do të vendosen mbetjet e dyshuara të rrezikshme, të deklaruara nga subjektet si mall, nën-produkte metali. Prokuroria do të hetojë, Ministria e Brendshme ka caktuar vendin ku depozitohen, po mbikëqyren dhe do të presim, hetimet.

Baçi: Po e thua me një fjalë tjetër, jo toksike por të dyshuara të rrezikshme, këtu mbyllet logjika.

Kumbaro: e kuptoj hallin e opozitës, që nuk dini me ca të bëni politikë se ju ka mbetur në maj ballkonit. Referojuni ligjit për mbetjet e rrezikshme. Është mjerane të kapim njëri tjetrin, është e pavërtet që unë i jam shmangur mediave, nëse e keni të vërtetin shkoni në prokurori. Unë i referohem ligjit dhe flas me përgjegjësi.

Baçi: Jepni përgjigje

Kumbaro: Ua kuptoj hallin

Baçi: Në hall jeni ju

Drejtor në MTM Athanas Karaja: Deri sot që flasim ka dyshime që janë mbetje, por nga ne nuk është dhënë leje për mbetje. Ato kanë kaluar si mallra. asnjë nuk e ka të etiketuar mbetje, pasi ajo ka ikur si  mall.  L aboratorët me urdhër të Prokurorisë, do shkojnë analizat në Belgjikë dhe Zvicër dhe në 3 laborator të tjerë dhe më pas do shohim nëse janë apo jo mbetje.

Baçi: Ato janë mbetje

Kumbaro: Kjo është shpifje, sepse është mall

Drejtor në MTM Athanas Karaja: Nuk u pranua nga Tajlanda nga rrëmuja, dhe kur të vij përgjigja do marrim shpjegim.

Kumbaro: Qetësohuni nuk duhet të nxjerrim dhjamë nga pleshti politik

Ora 11:46
Report Tv sjell pamjet, ja ku do të qëndrojnë kontejnerët me mbetje të dyshuara të rrezikshme! Ruhet me policë e monitorim me kamera

 

Kontejnerët të mbushura me mbetjet të dyshuara të rrezikshme do të qëndrojnë në një zonë në Porto Romano. Report Tv sjell pamjet nga zona ku do të vendosen 102 kontejnerët deri në përfundim të analizave laboratorike dhe vendimit të organeve të drejtësisë lidhur me procedurat e mëtejshme.

Ky vend ndodhet në zonën e Porto Romanos, larg blloqeve të banimit. Është i ruajtur nga forcat e rendit dhe i monitoruar me kamera.

Ora 08:39
Anija u ankorua në portin e Durrësit, fillon shkarkimi i 102 kontejnerëve me mbetjet e dyshuara të rrezikshme

Në portin e Durrësit ka filluar shkarkimi i kontejnerëve me mbetjet e dyshuara të rrezikshme

Ky është një proces që do të zgjasë disa orë bëjnë me dije burime për Report Tv  nga terminali i kontejnerëve.

Gjithçka regjistrohet në proces verbal, që nga gjendja e tyre e jashtme deri te plumçosja sipas urdhërit të sekuestrimit të prokurorisë së Durrësit.

Ora 07:35
Report Tv sjell pamjet me dron, ja anija me mbetjet e dyshuara të rrezikshme në Portin e Durrësit

Report Tv sjell pamjet me dron nga anija e ankoruar në Portin e Durrësit, e cila dyshohet se ka mbetje të rrezikshme.

Në pamjet me dron dallohen edhe 102 konteinerët mbi anije.

Xh.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ndoca: 08/11/2024 07:13

    Cojani mor kai karroc nshpi inxhinjerave qe thonin sjan asgjo.

    Përgjigju
    • Partia: 08/11/2024 08:43

      T'ia cojne Ballukut e ti shpërndajë per Tirone, pak ajer te pastër.

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

Vranësira e temperatura deri në 20 gradë celsius, parashikimi i motit për sot

Vranësira e temperatura deri në 20 gradë celsius, parashikimi i motit për sot