Në një kohë kur bombardimet shpërthejnë nëpër qytetet e Ukrainës, gazetarë nga e gjithë bota qëndrojnë në vijën e parë të “luftës” për informacion.

Stuard Ramsay është një prej tyre. Një prej atyre që së bashku me katër kolegë të tjerë nga “Sky News” pasi kishin raportuar, takuar njerëz nga afër dhe marrë disa intervista po ktheheshin me makinë për në kryeqytetin ukrainas Kiev kur u zunë pritë nga forcat ruse.

Plumbat binin si shi i egër mbi makinën e 5 gazetarëve.

“Jemi gazetarë, jemi gazetarë”, edhe pse u ngjirën nga të bërtiturat duke iu drejtuar forcave ruse, askush nuk i dëgjoi.

“Më kujtohet që pyesja veten nëse vdekja ime do të ishte e dhimbshme...më pas u godita në shpinë.” , ky ishte momenti kur Stuard u qëllua me një plumb në shpinë.

“Bërtita. Në të vërtet nuk më  dhimbtë shumë, ishte më shumë si një grusht.”, përshkroi ai momentet e ankthit

E vetmja zgjidhje për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave ishte të dilnin nga makina! Si?..Duke u zvarritur në baltë. Pesë gazetarët morën telefonat, veshën kokoret dhe u zvarritën deri në derën e një magazine, aty ku edhe do te kalonin natën.

Kishin shpëtuar!

"Çështja është që ne ishim shumë me fat. Por mijëra ukrainas po vdesin dhe familjet po shënjestrohen nga trupat ruse. Kjo luftë përkeqësohet nga dita në ditë.", tha ai, teksa tregoi pak nga eksperienca e tij në Ukrainë.