Në rrjetet sociale qarkullon një përvojë personale e dikujt në një qytet bregdetar shqiptar, që mjafton ta përkufizojë qytetin ku qëlloi të bujtte me fjalët më ofenduese në lidhje me turizmin.
Një recepsioniste që përgjigjet keq në momentin që ndodhemi aty, mjafton të ngremë një cunami urrejtje që me përpikmëri gjen solidaritet dhe me shembuj apo mbeshtetje të të tjerëve në rrjet?
Mjafton kaq pak që ne të urrejmë? Një recepsioniste e re? Një kamarier i papërvojë? Një fjalë e thënë me nxitim? Duhet kaq pak që të na bëjë jo vetëm të prishim rehatinë e pak ditëve pushim të programuara, por të mos kursejmë dhe dëshirën ta shumëfishojmë duke ja deklaruar urrejtjen “erërave” që ta shpërndajnë?
Ne nuk kemi besim tek njëri-tjetri dhe kjo nuk është një gjë e mirë.
Nuk besojmë se ai/ajo që kemi përballë do të bëjë më të mirën për ne dhe se ne mund të rrimë të qetë për këtë.
Nuk besojmë në profesionalizmin, në seriozitetin, në përkushtimin, në dëshirën për të pasur versionin më të mirë të një shërbimi që paguajmë në proporcion të drejtë me atë që marrim. Dhe ky mosbesim, shpeshherë reciprok, prodhon konflikt, ankth, një urrejtje të tejzmadhuar në krahasim me problemin që kemi.
Të urresh një njeri, një qytet, një Shqipëri të tërë se recepsionistja e një hoteli t’u përgjigj keq, nuk përputhet me logjikën e rrjedhjes të së vërtetës.
Eshtë një urrejtje me paramendim, një gjykim i ngarkuar me dëshirën që “atij apo asaj do ja nxij jetën”… Shkurt: një ekzistencë plot ngarkesë negative që kërkon patjetër shkakun edhe më të vogël për “të plasur” në formën më të shëmtuar të saj.
Në këtë mjedis të acaruar lëvizin dhe disa mes nesh që nuk kanë kohë për asgjë të tillë, sepse, kanë besim dhe përkushtohen duke punuar. Është ky fokusi më i shëndetshëm i shoqërisë.











Komente
Komento