Pesë muaj pasi Bashkimi Evropian i kërkoi Shqipërisë rezultate konkrete në luftën anti-korrupsion debati mbi ILDKP-në, funksionin dhe kompetencat e tij, riktheu në vëmendje detyrën e pambaruar: ende asnjë zyrtar nuk është hetuar dhe gjykuar për vepra korruptive. Gjatë muajve të fundit janë dërguar në Prokurori nga drejtime të ndryshme rreth 24 padi ndaj funksionarëve të lartë, gjysma e të cilave parashihen në amnistinë e miratuar nga parlamenti dhe pjesa tjetër, ende nuk kanë hyrë në fazën e hetimit intensiv dhe përgjigjes finale. Përkundrazi. Më të pushtetshmit (politikanët) vijojnë të jenë akuzuesit kryesorë kundër çdo kategorie tjetër më pak të pushtetshme ose produkt i vetë politikanëve. Të parët kanë monopolin kushtetues, politik dhe ligjor të zgjedhin organet e drejtësisë dhe prokurorisë, shërbimit sekret dhe policisë, të kontrollit të pasurisë dhe pastrimit të parave, - pra janë në konflikt të dukshëm interesi, dhe për pasojë, një garanci më pak për ndryshimin që pritej.

Sipas traditës, sa herë vendi ndodhet në sprovë dhe kërkohen rezultate, sa herë ka rotacione ose lodhje të publikut me politikën, - kjo e fundit, provokon tema të reja, debate të reja, nisma të reja, - të gjitha në emër të reformave, - dhe të gjitha, gjithashtu me pak potencial ndryshimi. I tillë është rasti i ILDKP. Ky institucion u krijua më 2003, ka ndërruar deri tani katër drejtues (Leskaj, Llalla, Xhuka, Ganaj). Çdo drejtues ka bërë premtime të mëdha, por rezultatet kanë qenë dhe janë minimale. I ideuar si institucion kryesor në dënimin e korrupsionit, konfliktit të interesit dhe abuzimeve nga zyrtarët e lartë shtetërorë e publikë, ndërhyrjet e politikës në misionin, objektin dhe zgjedhjen e tij, pasuan një varg eksperimentesh, pa rezultat dhe larg modelit fillestar dhe modeleve më të mira evropiane.

Konkretisht, nëse fokusi i ILDKP do të ishin zyrtarët më të lartë, rreth 500-600 që drejtojnë shtetin në piramidën e vet politike, institucionale, politike dhe gjyqësore, shanset e hetimit periodik do kishin qenë më të mëdha dhe produkti më i ndjeshëm. Me alibinë e zgjerimit të misionit të tij ndërhyrjet politike e rritën numrin e subjekteve të hetimit në disa mijëra, duke pamundësuar kontrollin edhe formal të deklarimeve. Bazuar në vetë raportin zyrtar të ILDKP në parlament, pjesa më e madhe e zyrtarëve të lartë nuk janë hetuar asnjëherë që nga krijimi i këtij institucioni. Në vitin më të “suksesshëm”, 2012, ILDKP kishte objekt trajtimi të paktën 10.426 dosje, prej të cilave rreth 5.8 mijë ish subjekte zyrtare dhe 4.5 mijë subjekte në funksion. Më 2014 shifrat janë akoma më të mëdha, edhe për shkak të rotacionit politik dhe ekzistencës së dy personave për të njëjtin post, një që ikën dhe një që vjen.
Në këto rrethana ILDKP aplikoi modelin e shortit për hetimin e pasurive.

Të gjithë emrat i nënshtroheshin shortit dhe ky i fundit përcaktonte një numër minimal emrash, kryesisht 4% të listës totale, të cilët do të verifikoheshin. Në rastin konkret nga mijëra dosje, rezultat i shortit ishin vetëm 108 raste hetimi, midis të cilave më pak sesa 10 deputetë ose ministra. Në fakt, procedura përcaktohet në ligjin bazë, neni 25/1, megjithëse pika e parë e të njëjtit nen, parasheh kontroll çdo dy vjet për rreth 50-60 zyrtarët më të lartë, dhe një herë në tre vjet për rreth 600-700 zyrtarë të tjerë të lartë. ILDKP ka lënë të kuptojë ditët e fundit se kjo procedurë nuk është zbatuar dhe se për shumicën e zyrtarëve nuk ka pasur hetim as me short dhe as për shkak të procedurës me rotacion dy ose trevjeçar, të përcaktuar nga ligji.

Me ndryshimet e reja ligjore dhe me një përpjekje të ILDKP për të zgjeruar kategorinë e zyrtarëve publike nën monitorim (për shembull, letra detyruese për verifikimin e konfliktit të interesit për rreth 10 mijë pedagogët dhe punonjësit në universitete), shanset reale për të hetuar ata që kanë potenciale më të mëdha korrupsioni dhe abuzimi, pra vendimmarrësit në çdo nivel dhe sistemet paralele të vlerësimit (prokurori, gjyqësor, etj), bëhen akoma më të vogla. A nuk do ishte më mirë që çdo institucion të kontrollojë të vetët dhe ILDKP të kontrollojë më pas institucionet? A është i njëjtë konflikti i interesit i një mjeku, i një polici, i një punonjësi në një komunë të largët, i një doganieri, i një mësuesi, etj, me atë të personave ligjvënës e vendimmarrës për të gjithë?

Krijohet ideja se duke vepruar kështu, në emër të luftës frontale anti-korrupsion procesi rrezikon të mbajë në këmbë një sistem de facto pengues në luftën anti-korrupsion, - sistemin e shortit. Alibia se hetimi nis edhe nga titullari dhe kryesisht, mbetet jofunksionale përderisa titullari është produkt politik dhe sipas traditës, motivohet të përdoret politikisht. Sistemi i shortit mbetet dominues, i justifikuar në emër të ndonjë projekti me financim të huaj, dhe praktikisht, i vetmi mekanizëm ligjor, de facto një mekanizëm fiktiv në nevojat e mëdha që ka vendi për operacione frontale anti-korrupsion.

Nëse i referohemi përvojës në Rumani, Kroaci, Slloveni, Poloni, Bullgari, etj, institucione të tilla ligjore dhe mekanizma ligjorë të verifikimit të pasurisë dhe konfliktit të interesave sollën revolucione sociale dhe ndryshim drastik të nivelit të korrupsionit, - me produkt, afrimin dhe integrimin e këtyre vendeve në BE. Në rastin tonë deklarimi vite më parë i ILDKP se një politikan i lartë i akuzuar si padrino i pushteteve, jeton në katet me leje të një pallati 13 katësh, ku katet poshtë tij janë pa leje, - është treguesi më i mirë i pafuqisë së këtij institucioni për të prodhuar dobi publike, besim dhe rezultate anti-korrupsion. Vendimi i fundit i parlamentit për ta thjeshtëzuar mënyrën e zgjedhjes së titullarit, nga produkt ndërinstitucional në produkt të shumicave të thjeshta partiake në parlament, si dhe ambicia e vetë ILDKP për ta zgjeruar sferën e veprimit në kategori masive publike, më shumë sesa reforma pozitive, ka arsye të besohet se do kenë efekt negativ dhe nuk do të japin rezultatet e pritshme.

Mesazhi mbetet i qartë: Shqipëria vijon të mbetet një vend me potencial të lartë të korrupsionit politik dhe zyrtar, oligarkia shqiptare është e gjithëpushtetshme dhe ka nën kontroll çdo pushtet, e drejta vijon të mbetet koncept i huaj për vendin e shqiponjave dhe se piramida abuzive e përpara qershorit 2013 vijon të jetë në këmbë, po aq e fortë dhe e frikshme, pavarësisht ndryshimit të rojeve, gardianëve apo atyre që sillen në labirintet e saj. Dhe në këto rrethana aktet konkrete kundër korrupsionit janë dhe mbeten detyra numër një për çdo institucion, testi i provës për çdo politikë, - ndaj ikja nga testi apo alibitë për mospërmbushjen e detyrave rrezikojnë të jenë dështimi më i madh i sistemit të vlerave dhe parimeve mbi të cilat do duhet të ngrihet dhe funksionojë demokracia në Shqipëri.

Lufta anti-korrupsion nuk mund të jetë çështje shorti dhe as fati, - është mbi të gjitha çështje besimi, barazie, transparence dhe principi. ILKDP, Prokuroria, Gjykatat, Presidenti, KLD, parlamenti, qeveria, shërbimi sekret, media dhe kushdo tjetër mund të japin argumente pafund se po e bëjnë detyrën e tyre më mirë se paraardhësit, - një alibi pa sens dhe parimisht e njëjtë si në rastin kur modeli Eskobar tenton të duket më i mirë se ai Al Kapone. Të dyja janë modele që nuk ka duhen, nuk na ndihmojnë, dhe vetëm matja me standardet dhe jo me hijen e tjetrit, mund të sjellë shanset për ndryshim dhe shpresën se një ditë, ata që flasin në emër të drejtësisë dhe ligjin, të mund të përballen me drejtësinë dhe ligjin. Diçka që kemi aq shumë nevojë, diçka që na kërkohet nga BE dhe qytetarët tanë, diçka që fatkeqësisht ende nuk ka ndodhur, dhe me gjasa, ende ka pak shpresë të ndodhë. 

Shkrimi u publikua sot 26 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)