Antibiotikët, përdorim me kriter
dhe me rekomandimin e mjekëve

Rezistenca ndaj antibiotikëve është një ndër kërcënimet më të mëdha për sigurinë e pacientëve në spitale, ndaj apeli i mjekëve është për përdorimin e tyre vetëm me përshkrimin e recetave nga mjekët .
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik organizuan sot aktivitete për sensibilizimin e qytetarëve mbi përdorimin e antibiotikëve. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha se, qytetarët duhet të jenë më të vëmendshëm dhe të tregohen të kujdeshëm me përdorimin e antibiotikëve, të cilët duhet t’i marrin me përshkrimin e mjekut të familjes. Kjo është dhe mënyra më e mirë për shmangien e rezistencës së antibiotikëve.
Ndërkohë, sipas drejtorit të Përgjithshëm të Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, shtimi i mikrobeve rezistente ndaj antibiotikëve është kërcënim për jetën e pacientëve në spitale për shkak se infeksionet e mbivendosura me baktere rezistente zgjasin ditët e qëndrimit të pacientëve në spitale, duke rritur koston e trajtimit, sëmundja vështirësohet dhe rritet vdekshmëria, ndërsa përzgjedhja e antibiotikëve të duhur bëhet më e vështirë dhe shpesh mjekët janë të detyruar të fillojnë terapinë me më shumë se dy antibiotikë.
Sipas tij, rezistenca e bakterieve ka ardhur si pasojë e përdorimit të paarsyeshëm e në masën përtej normales të antibiotikëve.
"Veç tyre janë edhe një sërë faktorësh të tjerë shtytës të kësaj situate të rënduar, që nisin prej marrjes së tyre pa recetë si një ilaç i rëndomtë, përdorimi pa këshillën e mjekut edhe në viruse virale, mungesa e resurseve të kontrollit të infeksioneve në spitale dhe komunitet, rritja e popullatës me moshë të thyer, etj. Për të mos thënë që ka ende mjekë që sot këshillojnë antibiotikët si mjekim për gripet stinore”, tha Pipero. Sipas tij, një terapi e duhur jo vetëm do të ofronte një shërbim cilësor për pacientët, por do të ulte njëkohësisht si rrjedhojë edhe koston e trajtimit të tyre në spitale.
Përsa i përket statistikave, ato ofrojnë një luhatje jo të vogël mes vendeve të Europës. Sipas organeve kompetente të mbikqyrjes shkalla më e ulët e rezistencës vihet re në vendet e Skandinavisë, Balltikut dhe Holandë (1-10%). Në krah të kundërt si shkallë më e lartë është Ballkani, Italia, Spanja e Portugalia (30-50%).
Ndërsa në vendin tonë, edhe pse jo të plota, studimet flasin për një rezistencë ndaj antibiotikëve që shkon deri thuajse dyfish krahasuar me mesataren europiane. Masat për promovimin e përdorimit të drejtë të antibiotikëve janë edukimi i vazhdueshëm i mjekëve dhe personelit tjetër shëndetësor, masat kufizuese për përdorimin e antibiotikëve në spitale pa kriter, si dhe këshillimet me infektologë e mikrobiologë, udhëzuesit dhe protokollet për antibiotikë në spitale, të cilat bazohen në evidence, monitorimi i rezistencës dhe përdorimit të antibiotikëve në spitale për të udhëzuar terapinë empirike tek pacientët e sëmurë rëndë, dhënia e profilaksisë me antibiotikë në kirurgji në kohën dhe kohëzgjatjen e duhur, etj.(Burimi ATSH)

DIABETI, SËMUNDJA ME ZHVILLIM TË NGADALTË E TË HESHTUR


Sëmundja e diabetit është e parandalueshme, ndërkohë që konsiderohet si një sëmundje me zhvillim të ngadaltë dhe shpesh të ‘heshtur’. Ndaj sensibilizimi, informimi i komunitetit për njohjen e diabetit merr një rëndësi të madhe.
Gjatë konferencës kombëtare për diabetin, mbajtur në Hotel 'Tirana International', u përcollën mesazhe sensibilizuese për qytetarët për despistim dhe kapjen në kohë të sëmundjes.
“Shërbimet tona përkatëse, shërbimi i Endokrinologjisë dhe shoqata përkatëse kanë bërë shumë në këtë drejtim, por mesazhi sot shkon tek qytetarët, të cilët duhet të jenë shumë të vëmendshëm ndaj çdo mesazhi që vjen nga sistemi shëndetësor, pasi ka të bëjë me mirëqënien e tyre”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas tij, diabeti për shkak të përmasave që po merr po kthehet në sëmundjen e shekullit.
Ndërkohë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Diabeti prek rreth 5% qind të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në botë sot numërohen rreth 200 milion diabetikë dhe në vitin 2025 mendohet të jenë 330 milionë diabetikë, apo 6,3 % e popullsisë së botës.
Diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme do të rriten me 50%. Sa i takon Shqipërisë, prevalenca e diabetit në popullatën adulte është 1.25 %, që do të thote se kemi afërsisht 40 mijë diabetike të njohur. Në fakt, numri duhet të jetë 2-3 herë më i lartë, pasi në disa depistime të kryera në Tiranë (2004,2006, 2008, 2009,2010) prevalenca e diabetit të pa diagnostikuar ka qënë 3-4%, që do të thotë se në realitet shifra e përafërt e diabetikëve duhet të jetë 120-150 mijë.
Mosha më e prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjeç që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç. Rreziku i diabetit qëndron në faktin që po prek moshat që janë aktive për punë, por këmbanat po bien, sepse forma e diabetit 2 po takohet edhe tek fëmijët.(Burimi ATSH)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen