Antidroga e Tiranës arrestoi në flagrancë teksa ndodhej në një parkim në afërsi të Rrethrrotullimit të Tegut, një 45-vjeçar, të cilit iu gjet 1 pako me 1 kg e 39.4 gramë kokainë. Sektori i Antidrogës kishte disa muaj që e mbante në përgjim dhe ishte vënë në ndjekje të Ervin Kaftiraj, i cili përfundoi në pranga.

Gjatë operacionit të koduar “Cargo 1”, të riut iu gjet kokaina të cilën e shiste në zona të ndryshme në Tiranë. Gjatë kontrolleve që iu ushtruan në banesë, 45-vjeçarit iu gjet 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive, të cilat u sekuestruan bashkë me motorin që lëvizte dhe celularin e tij.

“Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në një parkim, në afërsi të Rrethrrotullimit të Tegut, shtetasin E. K., të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen në sasi, në zona të ndryshme të Tiranës. Më tej, gjatë kontrollit të banesës, iu gjet 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive. Lënda narkotike, së bashku me 1 motomjet, 1 aparat celular, 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton Policia e Tiranës.

Burimet thonë se Ervin Kaftiraj ka biznes të makinave me qira, kryesisht automjete luksoze, si dhe mjete retro. Agjentët e Antidrogës po vijojnë hetimet për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë.