TIRANË, 17 Shtator / ATSH / -"Antihomazh" që vjen në formën e një instalacioni artistik, sjell një sintezë mes elementeve historikë dhe atyre të artit pamor, duke ekspozuar një artefakt shumë interesant për publikun në Muzeun Historik Kombëtar, siç është Maska e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha.
Ekspozimi për herën e parë i një artefakti mjaft ndryshe siç është Maska e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, është shfaqur për publikun nga artisti Ardian Isufi, i cili shprehet se krijimtaria e tij, ajo e viteve të fundit dhe qëmtimet e tij artistike, nëpërmjet artit pamor në kontekstin social dhe shoqëror, e nxitën atë të realizoj një ekspozitë si ndërhyrje artistike tepër të studiuar si në rrafshin historik por edhe antropologjik.
"Arkiva e Muzeut Historik Kombëtar ka në përbërjen e saj Maskën e vdekjes të Enver Hoxhes që është një artefakt shumë interesant për t'u shfaqur për herë të parë në formën e një instalacioni artistik" u shpreh vetë artisti gjatë ceremonië së çeljes së kësaj ekspozite jo të zakonshme.
"Antihomazhi"  i Isufit, vjen si një qasje e re konceptuale e marrëdhënies që mund të ketë çdo individ duke u përballur me diktatorin (maskën e tij) dhe me historinë e diktaturës, ku sipas artistit publiku përmbyll instalacionin që rrugëton fillimisht në një "tunel izolimi" dhe qëndron për pak çaste përballë "Enver Hoxhës", duke krijuar një kontakt imagjinar me kohën.
"Allçija i ra mbi fytyrë dhe forma e shformuar që mori portreti i shtangu oficerët e sigurimit që ishin gati për të mu hedhur në fyt se po shprishja imazhin e Enverit, por ndërsa dridhesha i tëri nën peshën e realizimit të këtij proçesi teknik u ngurtësua forma nga ky imazh morti që la pezull çdo situatë tensioni" shkruan  në adresën e tijë zyrtare në internet artisti  Ardian Isufi, pjesën e shkëputur nga dritë-hijet e kujtimeve të Muharrem Turkeshit.
Ekspozita  "Antihomazh"  do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 22 shtator.
/k.m/ /a.g/