TIRANË- Anti-informaliteti ka goditur një tjetër rast të efazionit fiskal ku si skemë është përdorur falsifikimin e biletave të transportit publik në Tiranë, ndërsa në pranga kanë rënë katër bashkëpronarë të linjave të tranportit dhe 4 punonjës të kompanive. 

Gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra ka zbardhur emrat e të arrestuarve që janë Ferdinand Ibrahimi, 60 vjeç me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit të Unazës, dhe djali i tij Anastas Ibrahimi i të cilit iu gjetën të fshehura provat materiale (biletat), në tentativë për t’i asgjësuar.

Të arrestuarit e tjerë janë Fatos Vrapi , 60 vjeç, banues  në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit "AlbaTrans" dhe bashkëshortja e tij Albana Vrapi, 51 vjeçe, banuese në Tiranë, administratore dhe ortake (të dy janë bashkëpronar të linjave të Tiranës së Re, Tufinës dhe Shkozës); Evisa Vora, 33 vjeçe, banuese në Tiranë (ka në pronësi linjën e Porcelanit), me detyrë administratore; Lulëzim Allaraj, 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë dispeçer i një linje autobuzash; Aldi Duka, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre dispeçer i një linje autobuzash; Klodiana Qato, 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë ekonomist në një shoqëri autobusash.

Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë. Ata përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhura në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare. Nëpërmjet këtyre veprimeve i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik, i cili do të përllogaritet në vazhdimësi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Gjatë arrestimit janë sekuestruar edhe 150 000 bileta urbani të falsifikuara, vënia në përdorim e të cilave kap vlerën 6 000 000 lekë të reja.

Ferdinand Ibrahimi është një emër i njohur i botës së biznesit. Ai është pronar i firmës "Ferlut". Ndërsa për sa i përket të arrestuarit Fatos Vrapi, ai ka detyrën edhe si anëtar i Këshilli Bashkiak në Tiranë nën siglën e Partisë Demokracia Sociale të Paskal Milos. Ndërsa të arrestuarit e tjerë akuzohe si bashkëpunëtor të cilët shpërndanin biletat e falsifikuara . 

Gjithashtu u sekuetruan: një automjet “Maserati”, 4 aparate celulare në posedim nga personat nën hetim, kartela të ndryshme financiare të plotësuara me shkrim dore, 5 libra arkash, 62 blloqe mandatesh arkëtimi, 350 kopje mandatesh arkëtimi , si dhe dokumente të tjera me shënime të ndyshme. 

Po ashtu policia njofton se po hetohet në lidhje me identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Të arrestuarit do të akuzohen , për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i letrave me vlerë” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Ky aksion vjen në kuadër të Planit të Masave “Mbi informalitetin në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, trajtimi i mallrave me akcizë dhe evazionin fiskal”. Aksioni anti-infomralitet është shtrirë në të gjithë vendin tonë dhe përgjatë muajve korrik dhe gusht ka mbyllur dhe gjobitur qindra biznese.

Ferdinand Ibrahimi, administrator i linjës së Unazës e pronar i 'Ferlutit' 

Fatos Vrapi, anëtar i këshillit bashkiak Tiranë

Albana Vrapi, administratore e AlbaTrans