Bollino: Anti-KÇK, Lulzim Basha s’ka luksin të gabojë prapë

Bollino: Anti-KÇK, Lulzim Basha s’ka luksin të gabojë prapë

Pasi ka sulmuar prej gjashtë vitesh qeverinë socialiste duke e akuzuar për dobësi dhe bashkëpunim me krimin, tani Partia Demokratike e riakuzon atë sepse ka aprovuar ligjin më të ashpër antikrim të shkruar ndonjëherë në Shqipëri. Edhe këtë herë, koherenca është një cilësi që Lulzim Basha nuk ka treguar se e zotëron. Kritikat e tij ndaj të ashtuquajturës “paketë anti-KÇK” tregojnë fatkeqësisht, prapë, se interesat e kësaj opozite nuk janë që të orientojë qeverinë drejt zgjedhjeve të dobishme për vendin, por ekzaktësisht e kundërta: të kundërshtojë qeverinë me çdo kusht, nga frika se mund të bëjë zgjedhje të dobishme për vendin.

Elementi kryesor i përdorur nga PD në ktitikën e saj alogjike ndaj ligjit të ri kundër kriminalitetit, është se paketa anti-KÇK dublon ligjin ekzistent anti-mafia. Çështja nuk do të duhej të shqetësonte opozitën, por, eventualisht gjykatësit që do të duhet të përdorin këto dy ligje të ngjashme. Të ngjashëm, pra, jo të njëjtë. Në të vërtetë paketa anti-KÇK shtrin aplikimin e normave të pasurisë ndaj krimeve më parë të papërfshira; fut masa parandaluese personale shumë të ashpra (nga sekuestrimi i pasaportes, deri te kufizimi i lëvizjes edhe brenda vendit) që ligji antimafia nuk parashikon; fikson afate të qarta për aplikimin; përshpejton procedurat e sekuestrimit; përcakton se brenda sa kohësh i dënuari ose vetëm i dyshuari për krime të rënda duhet të tregojnë origjinën e ligjshme të pasurisë së vet dhe krijon një trupë policie të specializuar ekskluzivisht të dedikuar në aplikimin e këtij ligji.

Praktikisht kjo paketë me rregulla të reja e kritikuar nga opozita e cila e gjykon deri anti-kushtetuese, në të vërtetë përmbush shumë boshllëqe që përmban ligji antimafia i votuar nga PD në vitin 2009, e më pas i fuqizuar nga socialistët që përfshinë edhe ato krime ndaj korrupsionit që Berisha nuk deshi të godasë. Versioni fillestar i PD-së përfshinte vetëm 16 vepra penale për të cilat ishte parashikuar sekuestrimi i pasurisë, paketa anti-KÇK sot përfshin 44.

Shumë më shumë se paketa antimafia, ligji anti-KÇK ka mundësinë të godasë me të vërtetë dhe në pak javë arkat e krimit të organizuar. Masat lejojnë sekuestrimin e menjëhershëm të llogarive bankare, vilave, restoranteve, hoteleve, tokave, kontratave konçensionare, pallateve, butikeve, makinave luksoze ose te blinduara, dhe çdo aktiviteti tjetër financiar apo burim ekonomik që lidhet direkt apo indirekt me një trafikant të dënuar në Shqipëri apo jashtë, ose të hetuar apo vetëm të dyshuar se ka kryer krime të rënda. Nëse brenda 48 orëve bosi nuk arrin të faktojë origjinën e ligjshme të pasurisë së tij, pasuria konfiskohet për gjithmonë nga gjykata. Siç thonte dhe Giovanni Falcone, mënyra më e mirë për të fituar betejën kundër mafias është ta godasësh aty ku asaj i dhemb më shumë: Paratë.

Por ndryshimi me të vërtetë thelbësor mes dy ligjeve është se, ndërsa ai antimafia i aprovuar nga PD duhej të zbatohej nga gjykatat e zakonshme, ligji i ri anti-KÇK do të zbatohet nga prokuroret dhe gjykatësit e SPAK, pra elita e re e sistemit të drejtësisë së reformuar. Në vend që të citojë në mënyrë abstrakte ligjin antimafia ekzistues si model të mjaftueshëm dhe më të mirë, Lulzim Basha duhet të rreshtojë rezultatet që ligji i tij ka prodhuar në luftën kundër krimit të organizuar në vitet kur PD ishte në pushtet dhe më pas: Zero rezultate.
Që prej 2013 opozita akuzon qeverinë për rritjen e krimit, por në të vërtetë gabon objektiv: sepse kush ka shkatërruar indin social të Shqipërisë duke i dhënë dorë të lirë të fortëve dhe trafikantëve, është viroza e korrupsionit që në këto tre dekada ka përmbytur prokurori e gjykata. Përshkallëzimi i krimit, bashkë me korrupsionin e politikës, të administratës publike dhe të policisë në 28 vitet e demokracisë janë pasojë e korrupsionit të drejtësisë dhe jo e kundërta. Një ushtri gjykatësish dhe prokuratorësh të korruptuar, në shumë raste të panjohur, kanë prodhuar në errësirën e dhomave të tyre më shumë dëme vendit se e gjithë klasa politike bashkë. Politika ka pranuar situatën për gjithë këtë kohë sepse ka qenë përfituese, të paktën deri në vendimin për ta reformuar drejtesinë.

Për 28 vite Shqipëria ka luajtur një kampionat pa arbitra në fushë, ose me arbitra të shitur. Revolucioni që përfaqëson ligji anti-KÇK është se këtë herë arbitrat do të jenë dhe janë gjykatësit dhe prokuratorët e SPAK dhe jo më ata gjykatës periferish që prej vitesh janë dhe vazhdojnë të jenë kamarierët e bosave. Për SPAK-un ky do të jetë një test vendimtar, sepse pasuritë e kriminelëve nuk janë mister për askënd, ndaj kështu do të jetë e lehtë për të kuptuar se kush do të vazhdojë të jetë i mbrojtur sot e tutje. Ky ligj i heq alibitë të gjithëve dhe është prova më e mirë për të kuptuar nëse reforma e Drejtësisë do të mjaftojë për të shpëtuar vendin nga sundimi i bandave.

Partia Demokratike gënjen kur thotë se paketa anti-KÇK është e kotë sepse dublon edhe SPAK-un: Ligji anti-KÇK, përkundrazi, është mjeti më i fortë që qeveria i ka besuar deri më tani Spak-ut për të luftuar kriminalitetin. Eshtë një ligj i jashtëzakonshëm, që fut masa të jashtëzakonshme për një gjendje emergjence të jashtëzakonshme.

Një sfidë e vështirë për t’u menaxhuar nga opozita, sepse nëse do të fitohet, ashtu siç njerëzit e ndershëm shpresojnë dhe urojnë, merita politike do t’i shkojë Edi Ramës. Bile mund të jetë pikërisht kjo sfida që do të ndezë dritën jeshile për hapjen e negociatave me BE. Por të rreshtohen kundër, do të thotë të bëjnë edhe këtë herë një zgjedhje të gabuar, duke tradhëtuar popullin dhe duke vendosur të qëndrojnë në krah të krimit, dhe vetëm për një interes banal personal dhe elektoral. Nderkohë që pas gabimeve të pandërprera, nuk ka luskin të gabojë prapë. Skepticizmi është i madh dhe i përhapur, por lufta ndaj të keqes nuk fitohet kurrë vetëm më katastrofizëm. Nëse opozita vërtet ka për zemër luftën ndaj bandave, dhe jo vëtëm marrjen e pushtetit, e ka për detyrë ta mbështesë këtë nismë të re duke pritur në se prodhon apo jo rezultate, ndoshta pa duartrokitje, por të paktën në heshtje.

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbëri: 03/02/2020 20:17

    BRAVO

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë