Partia Demokratike i është përgjigjur ashpër kryeministrit Rama, i cili gjatë fjalës së tij në Kuvendi i cilësoi armiq të gjithë ata që sulmojnë drejtësisë dhe paketës anti-kçk, duke shënjestruar opozitën dhe presidentin që i dalin në krah gjyqtarëve të korruptuar. Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi tha se me Ramën në krye nuk ka lajme të mira për Shqipërisë dhe se BE shton kushtet çdo herë për shkak të keqqeverisjes.

'Vendet anëtare të Bashkimit  Europian nuk gënjehen nga deklaratat pompoze dhe ligjet në letër', shprehet Bardhi, duke cilësuar se duhen veprim konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe kjo do të vijë vetëm përmes ndryshimit apo rotacionit politk.

'Sa shpik “armiq” të rinj, të brendshëm e të jashtëm, Edi Rama bën mirë të lexojë kushtet e partnerëve europianë që shtohen çdo herë, për shkak të keqqeverisjes së tij.  Nga 9, kushtet për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Europian mund të bëhen 10 apo 11. Me Edi Ramën kryeministër nuk ka lajme të mira për Shqipërinë.

Vendet anëtare të Bashkimit  Europian nuk gënjehen nga deklaratat pompoze dhe ligjet në letër. Ata duan veprime konkrete, por Edi Rama është i pafuqishëm të luftojë seriozisht krimin e organizuar. Pushteti i tij i ka rrënjët tek krimi dhe jo tek vota e lirë, prandaj  Edi Rama është e keqja më e madhe e vendit, është imazhi më i keq i Shqipërisë në Europë. Shqipërisë i duhet ndryshimi për të bërë Shqipërinë si Europa', shkruan Bardhi.