TIRANË - Byroja Kombëtare e Hetimit do të funksionojë si pjesë përbërëse e Prokurorisë, më konkretisht në varësi të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Ky është konkluzioni i draftit final të ekspertëve amerikanë të cilët kanë asistuar hartimin e projektligjit sipas ekspertizës së FBI. Byroja do tw asistojw SPAK-un me materiale hetimore pwr vepra kriminale dhe korruptive, ndërsa antikorrupsioni do t’i ekzekutojë ato.

Kjo nismë është cilësuar si pjesë e reformës në drejtësi, por në kushtet kur mazhoranca dhe opozita nuk kanë arritur dakordësinë për paketën e ndryshimeve Kushtetuese, ka bërë që ekspertët e huaj të rekomandojnë miratimin e Byrosë e cila fillimisht do të jetë në varësi të strukturave të Policisë. Ngritja pa humbur kohë e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe lënia e saj përkohësisht në varësi të Ministrisë së Brendshme, bëhet me qëllim adresimin e menjëhershëm të dosjeve voluminoze të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
 
Struktura
Byroja Kombëtare e Hetimit është një formulë e reformimit të strukturave të hetimit dheparandalimit të krimeve, trafiqeve, kontrabandës dhe korrupsionit. Projektligji fillestar i hartuar nga qeveria shqiptare e linte atë në varësi të Kryeministrit, ku do të funksiononte si drejtori qendrore. Pas rrëzimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese vitin e kaluar, ekspertët amerikanë dhe ata shqiptarë reflektuan vërejtjet dhe punuan me një draft tjetër i cili i heq ekzekutivit çdo kompetencë për ta patur në varësi Byronë Kombëtare të Hetimit.

Kësisoj, sipas draftit të ri, Byroja do të jetë në varësi të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Paketa e ndryshimeve Kushtetuese parashikon pikërisht krijimin e një Strukture të Specializuar dhe të Posaçme Antikorrupsion (SPAK), me polici gjyqësore, prokurori dhe gjykata të shkallës së parë dhe të apelit, brenda Prokurorisë së Përgjithshme. Vetë SPAK-u do të asistohet nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Ose e thënë thjesht, Byroja do të ketë për funksion punën hetimore dhe investigative dhe dosjet e saj i kalojnë SPAK-ut për procedimet e mëtejshme ligjore për rastet e krimeve të rënda dhe korrupsionin në rangjet e larta të institucioneve shtetërore.

Vetë Komisioni i Venecias, në rekomandimet e dhjetorit 2015-ë, nuk hedh poshtë Byronë Kombëtare të Hetimit, por kërkon që kompetencat e strukturës së re hetimore, përgjegjëse për hetimin e korrupsionit në nivele të larta, të specifikohen në Kushtetutë. “Komisioni i Venecias evidenton se është e nevojshme që vetë BKH të mos i nënshtrohet drejtimit të jashtëm dhe roli/kompetencat e saj të jenë të specifikuara shkurtimisht në Kushtetutë”.

Donald Lu: Byroja, sipas modelit të FBI-së amerikane
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” pak ditë më parë, e cilësoi prioritet ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas tij, ekspertiza për hartimin e projektligjit është dhënë nga ekspertët amerikanë dhe modeli është ai i FBI-së. “Veç reformës në drejtësi, këtë vit kemi në plan edhe përparësi të tjera: të vazhdojmë të punojmë drejt realizimit të nismës për krijimin dhe trajnimin e një Byroje Kombëtare Hetimi, bazuar në FBI-në amerikane, përmes së cilës shqiptarët do të hetojnë rastet e korrupsionit”, ka thënë Lu.
 
Edi Rama: Miratimi i projektligjit, në varësi të reformës
Kryeministri Edi Rama u shpreh në Kuvend të enjten, gjatë debatit për Byronë Kombëtare të Hetimit, se miratimi i projektligjit varet nga ecuria e reformës në drejtësi. Kreu i qeverisë kërkoi që drafti të shqyrtohej fillimisht nga komisioni ad hoc. “Për Byronë, ne e kemi mbaruar punën tonë, por ka një proces të reformës në drejtësi që nuk mund të anashkalohet.Komisioni i Reformës le të diskutojë dhe le të thotë fjalën e tij. Në momentin që Komisioni i Reformës thotë që ky dokument nuk e cenon Kushtetutën, apo nuk është i tepërt, ndaj të votohet përpara votimit të paketës së parë të reformës, të jeni të sigurt fare se do të votohet pa as më të voglin ngurrim”, tha Rama.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)