Marrëveshja e nënshkruar dje, më 28 prill 2026 mes Shqipërisë, Greqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me kompanitë amerikane Venture Global dhe Aktor LNG, për furnizimin e Shqipërisë me gaz të lëngshëm natyror (LNG) për një periudhë 20-vjeçare dhe me vlerë totale rreth 6 miliardë dollarë, konsiderohet një nga zhvillimet më të rëndësishme strategjike për sektorin tonë energjetik në dekadat e fundit.

Diversifikojmë burimet energjetike

Kemi qenë historikisht shumë të varur nga energjia hidrike, e cila sot përbën 90% të prodhimit tonë të energjisë elektrike. Kjo e bën vendin të cenueshëm ndaj thatësirave, ndryshimeve klimatike dhe luhatjeve sezonale.

Importi i gazit të lëngshëm LNG nga SHBA-të krijon një burim alternativ energjie që redukton varësinë nga hidrocentralet, stabilizon furnizimin me energji në vitet me reshje të pakta dhe krijon bazë për prodhim energjie me gaz, më fleksibël dhe më pak ndotës se karburantet fosile tradicionale.

Marrëveshja 20-vjeçare i jep Shqipërisë parashikueshmëri në furnizim, siguri kontraktuale ndaj krizave të sotme të tregut dhe mbrojtje më të mirë nga luhatjet ekstreme të çmimeve ndërkombëtare.

Investimet kryesore të pritshme
Komponenti                                     Vlera e pritshme
Terminale LNG dhe portuale           1.5 - 2 mld USD
Rrjet shpërndarje kombëtare          800 mln - 1 mld USD
Impiante energjie me gaz               1 - 1.5 mld USD
Infrastrukturë ndihmëse                  500 mln USD

Pas krizave energjetike të viteve 2021–2025 dhe tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, sigurimi i furnizimit afatgjatë me energji është kthyer në prioritet strategjik për çdo ekonomi në rajon dhe më tej.

Krijimi i infrastrukturës së gazifikimit në Shqipëri

Marrëveshja pritet të përshpejtojë investimet në terminale pritëse LNG, në depozita magazinimi, në rrjete transmetimi dhe shpërndarjeje gazi, si dhe në lidhje me infrastrukturën ekzistuese , si TAP.  Kjo infrastrukturë mund të transformojë Shqipërinë nga një vend pa treg të zhvilluar gazi në një nyje rajonale energjetike.

Përdorimi i gazit natyror të lëngshëm mund të sjellë  energji më të qëndrueshme për industrinë tonë prodhuese, kosto më të ulëta, krahasuar me importet e energjisë elektrike në periudha krizash, si dhe rritje të konkurrueshmërisë së industrive shqiptare.

Sektorët që përfitojnë më shumë janë industria ushqimore, materialet e ndërtimit, turizmi dhe hoteleria, si dhe përpunimi i mineraleve dhe metaleve.

Përdorimet e gazit të lëngshëm natyror (LNG)
Me LNG mundemi:
 Ta bëjmë funksional TEC-in e Vlorës
Prodhim energjie më të qëndrueshme gjatë gjithë vitit
Ulje të importeve të energjisë në periudha krizash.
Me LNG sigurojmë:
Stabilitet më të madh të furnizimit me energji
Fleksibilitet në menaxhimin e ngarkesës
Balancim më i mirë me energjinë diellore dhe atë hidrike.

Hotelet, resortet dhe strukturat turistike kanë konsum të lartë energjie për  ngrohje, ftohje, ujë të ngrohtë dhe kuzhina industriale. Gazi natyror i lëngshëm do të ndihmojë në ulje kostosh operative, shërbime më të qëndrueshme dhe investime në struktura moderne energjetike në industrinë numër një të vendit, që është turizmi.

Nga ana tjetër, industria e çimentos, tullave, qeramikës dhe përpunimit termik tek ne ka nevojë të lartë për energji. Përdorimi i gazit natyror doo të ulë kostot për prodhuesit e çimentos, gëlqeres, qeramikës dhe materialeve izoluese. Kjo rrit konkurrueshmërinë e tyre në tregun rajonal.

Përfitimet gjeopolitike dhe forcimi i aleancës me SHBA-të

Pjesëmarrja amerikane përmes kompanive Venture Global dhe Aktor LNG (ku kompania Venture Global ka patur të ardhura 13.8 miliarde dollarë vitin e kaluar) ka rëndësi jo vetëm ekonomike, por edhe strategjike. Marrëveshja e djeshme forcon marrëdhëniet ekonomike Shqipëri–SHBA, rrit profilin strategjik të Shqipërisë në Ballkan dhe redukton ekspozimin rajonal ndaj furnizuesve tradicionalë me risk gjeopolitik.

Në kushtet e rivaliteteve energjetike në Europë Juglindore, kjo i jep Shqipërisë peshë më të madhe në hartën energjetike rajonale. Disponueshmëria e gazit dhe energjisë më të qëndrueshme është faktor kyç për tërheqjen e investitorëve të huaj. Atakërkojnë energji të qëndrueshme, kosto të parashikueshme dhe infrastrukturë moderne. Marrëveshja afatgjatë 20 vjeçare do të nxisë investime të reja në industri, logjistikë, qendra prodhimi dhe përpunim agro-industrial.

LNG siguron tranzicion më të butë energjetik

Gazi natyror shihet si karburant tranzicioni drejt energjive më të pastra. Krahasuar me naftën dhe qymyrin, gazi natyror i lëngshëm (në anglisht LNG) emeton më pak dyoksid karboni, ul ndotjen urbane dhe krijon fleksibilitet për integrimin e energjive diellore dhe erës.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për objektivat e Shqipërisë drejt integrimit në BE dhe përmbushjes së standardeve klimatike.

Memorandumi i 28 prillit 2026 për importin e LNG nuk është thjesht një kontratë tregtare energjie, por një hap strategjik për transformimin ekonomik dhe energjetik të Shqipërisë. Ai do të na japë më shumë siguri energjetike, diversifikim ekonomik, investime infrastrukturore dhe integrim më të fortë rajonal dhe euroatlantik.

Ai shënon fillimin e epokës së gazifikimit modern të Shqipërisë dhe një model të ri zhvillimi energjetik për dekadat në vijim.