'Anti-shpifja', Rama replika me Hajdarin: Nuk e ke haberin fare të ligjit! Kurani i shenjtë e quan shpifjen aksion çnjerëzor (VIDEO)

Kryeministri Rama ka replikuar me deputeten, Rudina Hajdari duke thënë se ajo flet për një ligj që nuk ia ka idenë se si do të funksionojë. Ndër të tjera Ram ka thënë se ligji është 100% në përputhshmëri me BE dhe OSBE.

Replika e plote

Zonja Hajdari, nëse do ta përmblidhja replikën në një fjali do ti referohesha avokat Ngjelës, që në këto raste thoshte, “amanet mushkat!”. Por unë do them pak më shumë se kaq.

Së pari, më nxore mallin e liderit legjendar të partisë tënde të vjetër që që kur e përdorte atë fjalinë, “je i lodhur”, “ka ikur koha jote”. Juve jeni e freskët zonja Hajdari. Koha juaj nuk ka ardhur akoma, por unë nuk mendoj se kjo është mënyra për të bërë politikë të re, siç ju pretendoni. E aq më tepër pastaj, nuk është mënyra për të bërë politikë të re, duke mos lexuar ligjin për të cilin merr përsipër të flasësh, sepse qartësisht nuk e ke haberin fare të ligjit që ne sot do ta miratojmë, me gjithë keqardhjen që nuk ua plotësoj dot dëshirën që të tërhiqemi urgjent, sikundër na bëni thirrje. Ju thatë që kriminelët kanë të drejtat e tyre. Po, zonja Hajdari. Kriminelët kanë të drejtat e tyre për një proces ligjor të ndershëm, por nuk kanë të drejtën e tyre që të vazhdojnë të bëjnë krime kur kapen në krim, apo jo zonja Hajdari?

Unë nuk e kuptoj dot se me çfarë logjike, me çfarë sensi arsyeje një person që i ka kënduar dy libra dhe lëre pastaj një person që merr përsipër të përfaqësojë të tjerë dhe këtu flas për të gjithë në këtë sallë, të verë në diskutim një fakt shumë të thjeshtë, të drejtën e një personi të akuzuar pa fakte për të kërkuar të vendoset në vend dinjiteti i tij. Është shumë e thjeshtë. Cila qenka kjo liri e cila u cënoka, nëse një personi, cilitdo individi i jepet e drejta të mbrohet nga shpifja?!

Kurani i shenjtë e quan shpifjen “aksion çnjerëzor” zonja Hajdari. Shpifësit i quan mishngrënës njerëzish që kërkojnë të vdekur. Kështu thotë Kurani i shenjtë. Unë nuk e thashë. Të ngrihesh këtu e të më tregosh “putinizmin” e “erdoganizmin”, e të më tregosh se këtu po ndodh një gjëmë e madhe kur po të them se s’ke haberin fare se për çfarë po flet, kur po të them që është një ligj që krahasuar me ligjet e vendeve të BE është limonadë, kur po të them që në Gjermani të marrin shpirtin nëse guxon të shpifësh edhe s’di të japësh pastaj llogari për shpifjen, është e tepërt.

E thashë dhe do ta përsëris. Nuk e dua fare unë këtë ligj për veten time. S’keni për të më parë ndonjëherë mua të shkoj te AMA, por shembujt që solla ishin për të thënë diçka tjetër dhe për t’ua thënë këtë, për ta ndarë këtë me njerëzit. Nuk të mora në mbrojtje sot zonja Hajdari. Ti nuk ke nevojë për mbrojtjen time. Të solla si shembull të një keqkuptimi të madh se ti je në fakt një keqkuptim i madh që, në ndërkohë që flet dhe mban fjalime për diçka që nuk e di, je viktima tipike e gjësë për të cilën ligji merr masë.

E kam thënë dhe po ta përsëris që kush merr përsipër të hyjë në këtë valle, duhet të marrë përsipër që të mbajë dhe baltën në kurriz, po ne nuk mund të lëmë që kjo gjë të kthehet në standard. Nuk mund ta lëmë këtë gjë të paluftuar.

Nuk mund ta lëmë këtë gjë që të bëhet trashëgimi kulturore e politikës shqiptare se janë shumë e shumë njerëz më të mirë se ne që jemi këtu, që do ishin këtu nëse nuk do frenoheshin njëmijë herë përpara se ta çojnë nëpër mend që të vinin këtu sepse e dinë se çfarë kalvari i pret nëse i hyjnë kësaj rruge, sepse shohin. E mos më trego mua as PE as OSBE as BE, as KiE, se unë këtu flas me përgjegjësi, nuk tregoj përralla siç tregon ti dhe po të them që ligji është i dakordësuar, jo 99%, por 100% me OSBE-në.

Ligji është i përputhur jo 99%, por 100% me standardet ndërkombëtare.

E fundit që kam, po hajde na thuaj si ta bëjmë. Dil këtu dhe na thuaj “hiqni këtë, vini këtë”. Ka një vit që ne merremi me këtë, është e vërtetë, ka një vit. Pse ka një vit? Sepse kemi bërë shumë konsultime, ik e eja, pastaj nuk i kemi në dispozicion se nuk i kemi nëpunës parlamenti ekspertët e huaj, kanë 100 mijë punë të tjera atje në OSBE. Një vit ka. Hajde na e thuaj si ta bëjmë. Ke dalë të thuash ti ndonjë ide meqë je politikane e re e ideve të reja për Shqipërinë e re? Ke dalë të na thuash ndonjë ide këtu, apo gjithmonë nga pllaka e gramafonit, “putinizmi, erdoganizmi, liria...”? Këto janë broçkulla. Ke ndonjë ide konkrete si bëhet kjo punë më mirë? Hajde na e thuaj: “Këtë e keni gabim, ja si mund ta bëjmë,” po të folura në hava, njësoj si ata te dera?!

Atyre te dera iu falet se ata s’duan ligj fare, ata e thonë vetë, nuk duan ligj. Ti je deputete. Si mund të dalësh këtu të flasësh në hava?! Pastaj, çfarë ishte kjo që unë shpifkam gjithë ditën? Ku e gjete këtë? Nga e nxore këtë? Ku? Nëse unë ty të dukem si shpifje kur dal në ekran ky është perceptim dhe jeni e lirë të më shikoni mua si shpifje fizike në sytë tuaj, por më shumë se kaq unë nuk e di. Juve thoni ra tërmeti, po mos merremi me tërmetin. Me çfarë të merremi? Me ty? Ja të merremi me ty. Çfarë do nxjerrim? Asgjë. Ta votojmë ligjin zonja Hajdari tani, sa të vijë votimi. Të votojmë se është gjëja e duhur për të garantuar të drejtën e çdo njeriu për t’u mbrojtur nga shpifësit dhe pa cenuar asnjë sekondë lirinë e atyre që duan të shkruajnë, duan të informojnë, duan të jetojnë në votën e informacionit. Asgjë nuk cenohet asgjë. Por legjitimimi i shpifjes, jo. Kthimi i shpifjes në standard dhe pranimi i shpifjes si kosto e lirisë, kjo nuk bën vaki. Këtë ne nuk mund ta pranojmë. Mos e sillni 1000 herë këtu AMA-n, se po ju them përsëri, ky mekanizëm nuk është kontestuar ndonjëherë që nga drafti i parë deri në fund, sepse është mekanizëm ekzistues, është sot, e dini ju këtë, se ju jeni të çuditshëm, është sot, ka nuk e di sa vjet që është aty për audiovizualet, nuk kemi prekur pjesën e ligjit për audiovizualet, nuk kemi prekur asgjë për shtypin e shkruar, s’kemi prekur asgjë. Çfarë jemi ne tani? Ku e ke parë ti këtë Putinin që merret me portalet e nuk merret me ekranet? Ku e ke parë? Në ëndërr? Te ajo ëndrra e re, e botës së re që do vijë nga politika, e re, e partisë së re, që ndahet në dy pjesë të reja, pastaj në tre të tjera. Aman, mos ia lejo vetes të bëhesh qesharake se nuk është mirë.

Mekanizmi është sot, është aktual. Keni parë ju ndonjë represion politik përmes AMA-s? Nuk e kanë bërë as ata që ishin përpara me thënë të drejtën, e kanë pasur aty, nuk kanë vajtur, kanë bërë luftëra nga më të çuditshmet dhe bizantinet me ekranët që i kishin inat, nuk kanë vajtur tek AMA. Është aty, është ekzistues, shkon tek AMA dhe ankohesh për një ekran që të ka cënuar ty, sot që flasim. E çfarë kemi bërë ne? Thjesht dhe vetëm, edhe këta të xhunglës, i kemi marrë e i kemi futur në këtë kuadër. Çfarë është kjo? Pse duhet nisur nga fakti që, “çfarë do më bësh ti mua, kur unë të shkel ligjin”. “Çfarë do më bësh t’i mua kur unë të vras ose kur unë të vjedh”? Pse të mos nisemi nga fakti që mos e shkel ligjin, mos shpif, thjesht mos shpif, thuaj çfarë të duash, thuaj 1001 të zeza, opinione për kë të duash.

Fyerja, ok, po e përballojmë, por të thuash gjëra që implikojnë persona me detyrën e tij ndaj publikut apo me punën e tij si sipërmarrës, është përtej mundësisë për ta duruar, se publiku meriton të dijë zonja Hajdari, meriton ta dijë dhe nuk i mjafton publikut që e tha ai që “ti ke lekët offshore” dhe e the ti që “nuk i kam”. Jo, publiku meriton të dijë të vërtetën dhe e vërteta mund të dalë vetëm përmes një procesi ku futet një i tretë. AMA nuk është gjykata dhe nuk zëvendëson gjykatën, e merrni vesh ju?

Tek AMA nuk shkohet për të bërë gjyqin.

AMA është një stad i parë për t’i dhënë mundësi shpifësit që të tërhiqet, është shumë e thjeshtë ndërsa përmbajtja e shpifjes shkon në gjykatë. E kuptoni ju këtë gjë? Siç është sot, i vetmi ndryshim është që efekti dëmtues i shpifjes mund të eliminohet në një kohë të shkurtër, duke i dhënë mundësi shpifësit të tërhiqet, përpara një trupe siç është Këshilli i Ankesave. Këshilli i Ankesave nuk merr vendim mbi përmbajtjen. Vendimin final e merr gjykata. Por unë nuk do pres 1 vit Gjykatën për të sqaruar publikun për një shpifje që e ka efektin sot. E ka efektin sot mbi detyrën time publike.

Lideri yt legjendar thotë që “qentë me nuhatje molekulare qenkan marrë e qenkan tregtuar në kuadrin e trafikut të qenieve jonjerëzore, e prandaj nuk paska pasur qen në dispozicion”.

Kjo është shpifje dhe kjo efektin e ka tani, për publikun, jo për personin të cilit ai i adresohet. Publiku duhet ta dijë, është e vërtetë kjo apo jo? Dhe ky moment është momenti i ballafaqimit në instancën e parë. Pastaj vazhdon procesi, por i jepet mundësi shpifësit, -e solla shembullin por këtu flasim për onlinet, jo për liderin, mos u shqetëso, ai ka gjyqe të tjera me mua në gjykatat tradicionale, - që të tërhiqet. Është super e thjeshtë. Çfarë problemi ka këtu? Pse duhet të mblidhemi ne e të qajmë hallin e shpifësve, për çfarë? Për çfarë duhet të kemi ne kundërshti për shpifësin? Pse? Pse duhet të qajmë ne hallin se si do vejë fati i atyre që shpifin e nuk do qajmë hallin si do vejë fati i të vërtetës në këtë shoqëri e si do vejë fati i transparencës mbi faktet në raportin mes politikës dhe shoqërisë apo mes sipërmarrjes dhe konsumatorit. Pse? Për çfarë arsye? Kush është interesi jonë?

Të qajmë hallin e atyre që sulmojnë dhe dëmtojnë apo të qajmë hallin e kujt për shkak të detyrës sulmohet dhe efekti negativ shkon mbi gjithë publikun. I kemi ne ndonjë detyrim publikut t’i themi në një kohë të shpejtë, kjo nuk është e vërtetë. Por nuk mjafton fjala jonë se kështu e bëmë ne njëri-tjetrin, njëri thotë ti kështu, tjetri thotë ti ashtu dhe thonë pastaj të gjithë njësoj. Jo, publiku duhet ta dijë. U publikua kjo gjë është e vërtetë apo nuk është e vërtetë? Kaq e thjeshtë është. Pse duhet të qajmë hallin e tyre ne? Reflekto zonja Hajdari, politika e re është reflektim.

Po ta përsëris për të tretën herë, patjetër, por si karakteristikë dhe duke njohur dhe praktikën e gjyqeve të mia që po i zhvilloj pavarësisht se nuk më intereson fare t’i bëj publik, i kam fituar disa, me ata që ishin këtu, do t’i fitoj të gjitha, jo se kam ndonjë pushtet mbi gjykatat, por sepse kur vijmë tek fakti, duhet të thuash tregoje faktin. Tregoje. “Ke blerë 17 mijë këmisha Hugo Boss në Neë York”. Mi trego tani, ku janë. Është shumë e thjeshtë. Mi trego këmishat, unë iki nga detyra. Nuk i tregove dot këmishat, ke shpifur. Po sjell një shembull metaforik kuptohet se nuk dua të zbuloj proceset. Pra, shpifësit si karakteristikë e di çfarë bëjnë? Shtyjnë gjyqin, pastaj vijnë avokatët thonë që është i sëmurë, pastaj vijnë prapë thonë që shiko se ka një çështje këtu, pastaj vijnë prapë, pastaj çojnë fjalë se kështu e ka politika, hajde pajtohemi, se ti e kupton. Jo, nuk kuptoj fare unë, asnjë gjë. Kështu që duke njohur këtë karakteristikë të shpifësit mendoj që kjo instancë e parë i jep mundësinë që të tërhiqet. Çfarë do bëjë? Thjesht do tërheqë artikullin. E bën atë gjënë, por do tërheqi artikullin e do të japi ty të drejtën që të publikosh ti përgënjeshtrimin tënd e lexuesi i tij kur të hyjë atje nuk do gjejë më pocaqi ndaj teje, por do gjej versionin tënd, faktet, të dakordësuar me atë. Nëse ai nuk e pranon, patjetër që shkon në gjykatë. Është shumë e thjeshtë. Çfarë ka këtu? Ku është këtu mohimi i lirisë? Kush do insistojë në shpifje, do insititojë deri në fund, siç insiston edhe sot.

Sot ka një procedurë të caktuar, por nuk është vetëm kjo ligji, ligji është dhe shumë gjëra të tjera që ka të bëjë me regjistrimin, me regjistrin, që ka të bëjë me sigurimin e punonjësve, që ka të bëjë dhe me lehtësirat fiskale për ta, që ka të bëjë dhe me transparencën e fondeve, janë shumë gjëra, nuk është kjo, por ne po përqendrohemi këtu meqë kemi Peçi Vasilin atje e meqë kanë ardhur gjithë ata mashkulloritët e post tërmetit që janë mbledhur bashkë për të ruajtur Shqipërinë nga ky ligj. Kjo ishte zonja Hajdari!


Lajmi kryesor:

Portalet 'shpëtohen' nga mbyllja, por u rritet gjoba (dhe nuk pezullohet pa folur gjykata)! Parlamenti voton ligjin anti-shpifje /VIDEO- Ndryshimet e fundit


//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK