Antologjia e poezisë shqipe
flet rumanisht

Antologjia e poezisë shqipe <br />flet rumanisht
TIRANE- Përkthyesi dhe shkrimtari rumun, Marius Dobresku, me një kontribut të jashtëzakonshëm për njohjen e kulturës shqipe në Rumani, me botimet e panumërta për Shqipërinë dhe kulturën shqiptare, sjell këtë herë një befasi për lexuesin rumun: një antologji të poezisë moderne shqipe: “Misteri i lutjeve” (Një antologji e poezisë shqipe sot). Këto ditë shtëpia botuese “Privirea” në Bukuresht ka botuar antologjinë “Misteri i lutjeve” (Një antologji e poezisë shqipe sot) hartuar dhe përkthyer nga Marius Dobrescu, me parathënie nga studiuesi shqiptar dr. Luan Topçiu. Në këtë antologji, sipas rendit alfabetik, zënë vend autorë të mirënjohur të poezisë shqipe si: Agim Vinca, Ali Podrimja, Bardhyl Londo, Besim Bokshi, Bislim Ahmetaj, Gjek Marinaj, Dhori Qiriazi, Dritëro Agolli, Eqrem Basha, Ermir Nika, Ervin Hatibi, Fatos Arapi, Frederik Rreshpja, Ismail Kadare, Luljeta Lleshanaku, Mimoza Ahmeti, Natasha Lako, Petrit Ruka, Radije Hoxha, Resul Shabani, Skënder Rusi, Skënder Sherifi, Visar Zhiti etj. Në parathënien e kësaj antologjie të poezisë moderne shqipe, dr. Luan Topçiu shkruan: “Hartimi e një antologjie tregon një demonstrim polemik të opsioneve estetike, gjë që e bën “par excellence”, provokuese, madje edhe kur hartohet në një gjuhë të huaj. Roli i një antologjie nuk mund të jetë veçse propozimi i një tabloje të re, ku takohen autorë që shkruajnë në kushte të ndryshme, që vijnë nga zona të ndryshme, që u përkasin brezave të ndryshëm dhe rrymave të ndryshme, por që i bashkon gjuha amtare dhe hapësira etnike dhe shpirtërore të cilës i përkasin. Kjo antologji është një tablo e poetikave të poezisë bashkëkohore shqiptare”. Marius Dobresku është cilësuar si ambasadori i kulturës shqiptare në Rumani e në mbarë rajonin. Ai është autor i shumë artikujve publicistikë, që i dedikohen Shqipërisë në shtypin rumun, por mbi të gjitha është një nga përkthyesit më të mirë të veprave shqiptare në gjuhën rumune. Dobresku është vlerësuar edhe me çmime kombëtare në Rumani duke u shpallur “përkthyesi më i mirë i vitit”, për përkthimin e veprave të Kadaresë, por dhe laureati i çmimit “Penda e argjendtë” (Tiranë 2006).
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë