1770133972_transportimiimbetjevetekorumneportoromano.jpg

Transportimi i mbetjeve të Korum në 'Porto Romano'

Një vit pas sekuestrimit të 2800 tonë mbetjeve të kompanisë Kurum, Prokuroria e Durrësit lëshoi 33 urdhër arreste. Report Tv ka siguruar dosjen hetimore, ku tregohet si nisi hetimi për këtë çështje. Ishte organizata mjedisore “Basel Action Network” e akuzoi Shqipërinë se po shkelte konventat ndërkombëtare për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.

Në korrik 2024, OLAF informoi për ngarkesën e rrezikshme dhe më pas në bashkëpunim me doganat nisi edhe puna për lokalizimin e dy ngarkesave, njëra 2000 tonë dhe tjetra 800 tonë. Ka rezultuar se mbetjet ishin blerë pranë Kurum International sh.a., me vlerë 40.800 USD. Më datë 16.08.2024 Policia e Durrësit ka referuar materialet në Prokurorinë e Durrësit për nisjen e hetimeve, ku i bashkëngjit si provë edhe një artikull të publikuar nga Shqiptarja.com për njërën prej ngarkesave prej 800 tonësh.

Pjesë nga dosja hetimore

Nga studimi i akteve të procedimit penal rezulton se: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, mbi bazën e materialeve hetimore të referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës dhe Drejtoria e Hetimit Doganor Tiranë, ka regjistruar procedimet penale Nr. 1596 datë 14.08.2024, Nr.1611 datë 19.08.2024 dhe Nr.1612 datë 19.08.2024, procedime të cilat janë bashkuar në një procedim të vetëm atë me Nr.1596 datë 14.08.2024, për veprat "Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara", parashikuar nga neni 171 i Kodit Penal, "Transportimi i mbetjeve". parashikuar nga neni 201/b i Kodit Penal, si dhe "Shpërdorimi i detyrës" parashikuar nga neni 248 1 Kodit Penal.

Me shkresën Nr.17267 prot. datë 13.08.2024 të Drejtorisë së Hetimit Doganor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, është referuar materiali hetimor, për veprën penale "Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara", parashikuar nga neni 171 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetases Gjovana Sokolaj, administratore e subjektit Sokolaj sh.p.k. me NIPT K64312403D

Nga aktet e këtij materiali referues rezulton se, me e-mail të dërguar nga Drejtoria Antitrafik datë 13.08.2024, është përcjellë një memo e shkurtër dhe dokumente në lidhje me eksportin e dyshimtë të oksidit të hekurit. Ndërsa, në datë 25.07.2024, janë njoftuar nga OLAF (European Anti-Fraud Office-European Commission), për një ngarkesë se dyshohej që mund të transportonte mbetje nga Shqipëria në Tailandë. Njoftimi i OLAF përmbante një listë kontenierësh dhe fotografi të mallrave të dyshuara gjatë procesit të ngarkimit në portin e Durrësit.

Që nga ky moment, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe OLAF kanë bashkëpunuar në mënyrë aktive për identifikimin dhe verifikimin e ngarkesës. Edhe pse numrat e kontenierëve nuk përputheshin, është arritur të identifikohej deklarata doganore bashkëngjitur ngarkesës së dyshimtë, bazuar në llojin e mallrave dhe destinacionin

Të dhënat e transportuesit janë shkëmbyer me partnerët, për të asistuar në lokalizimin e ngarkesës, e cila ishte ndarë në dy mjete transporti. Itinerarët ishin Durrës-Triste-Singapor-Tailandë dhe Durrës-Pire-Singapor-Tailandë. Subjekti Sokolaj sh.p.k., në datë 04.07.2024, ka eksportuar 2,816,300 kg Oksid Hekuri (Zn) drejt Tailandës, me vlerë 140.815 USD me tvsh.

Sipas dokumentacionit të depozituar nga subjekti, mallrat ishin blerë pranë Kurum International sh.a., me vlerë 40.800USD.

Nga verifikimi në sistemin Asycuda Word, rezulton se ky subjekt ka kryer edhe dy eksporte të tjera me këtë natyrë malli "Oksid Hekuri (Zn), përkatësisht me deklaratat doganore EX.1 R11842 datë 27.03.2024 dhe EX.1 R15663 datë 22.04.2024.

Bashkëlidhur referimit janë dërguar edhe praktikat e këtyre eksporteve. Materiali i mësipërm është regjistruar si procedimi Nr.1596 datë 14.08.2024, për veprën penale "Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara", parashikuar nga neni 171 i Kodit Penal.

Me shkresën Nr.5268 prot. datë 16.08.2024, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, ka referuar materialin hetimor, për veprat penale të parashikuara nga nenet 174, 180 dhe 202 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve Gjon Sokolaj, Gjovana Sokolaj dhe Doni Sokolaj.

Nga aktet e këtij materiali referues rezulton se, më datë 13.08.2024, në faqen online të internetit www.shqiptarja.com, është publikuar linku https://shqiptarja.com/lajm/mbetje-te-rrezikshme-nga-shqiperia-drejt-tajlandes-reagon-drejtoria-e-doganave-po-bashkepunojme-me-olaf-per-te-lokalizuar-ngarkesen. Nga përmbajtja e këtij shkrimi jepet informacion se, nga Porti Durrës është nisur një anije e ngarkuar me kontenierë, e cila dyshohet se transporton rreth 800 ton mbetje toksike.

Nga ana e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik pranë DVP Durrës, janë kryer verifikime për të identifikuar konkretisht se cila anije ishte nisur, datën kur është nisur, ngarkesën që ka pasur, cilat subjekte kanë dërguar produkte me destinacion Tajlandën.

Nga verifikimet paraprake rezultoi se, anija është nisur më datë 04.07.2024 nga Porti i Durrësit, dhe mbetjet të cilat dyshohen se janë toksike, janë nisur nga subjekti Sokolaj sh.p.k., me NIPT K64312403D, me administratore shtetasen Gjovana Kol Sokolaj.


Lajmi kryesor:

2800 tonë mbetjet e rrezikshme të ‘Kurum’, Prokuroria e Durrësit lëshon 33 masa sigurie, mes tyre 2 administratorët, zyrtarë të Doganës dhe Agjencisë së Mjedisit! Report Tv zbardh dosjen (EMRAT)