Antony Blinken: Këshilli i Sigurimit t’i kërkojë Rusisë të ndalë kërcënimet bërthamore

Antony Blinken: Këshilli i Sigurimit t’i kërkojë Rusisë të ndalë kërcënimet bërthamore

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u bëri thirrje vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që t'i "dërgojnë një mesazh të qartë" Rusisë se duhet të ndalë kërcënimet e saj bërthamore për luftën në Ukrainë.

Presidenti rus Vladimir Putin tha në fillim të kësaj jave se vendi i tij që disponon armë bërthamore "sigurisht do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion" nëse territori i tij kërcënohet, si dhe për të mbrojtur vendin dhe popullin e tij.

Sekretari Blinken shrytëzoi një seancë të Këshillit të Sigurimit të enjten për të kritikuar sulmin e Rusisë dhe për të nxitur vendet e tjera që t’i bashkohen Uashingtonit për ta dënuar me forcë këtë konflikt. Ai renditi mizoritë që ai tha se ishin kryer nga Rusia - dhe sugjeroi se mund të ndodhin edhe mizori të tjera.

"Çdo anëtar i këshillit duhet të dërgojë një mesazh të qartë se këto kërcënime të pamatura bërthamore duhet të ndalen menjëherë", tha ai.

Këshilli i Sigurimit ka mbajtur dhjetëra takime për Ukrainën që nga fillimi i luftës në shkurt, por takimi i së enjtes ndodhi në një moment të veçantë; u mbajt gjatë mbledhjes vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të udhëheqësve botërorë dhe mblodhi rreth tryezës shumë ministra të jashtëm.

I thirrur nga Franca, vendi që ka presidencën e radhës, takimi u përqendrua tek përgjegjësia për abuzimet dhe mizoritë, dhe Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore akuzuan vazhdimisht Rusinë për kryerjen e tyre. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, përsëriti ndërkohë pretendimet e shpeshta të vendit të tij se Kievi ka shtypur prej kohësh rusishtfolësit në lindje të Ukrainës – një nga arsyetimet e ndryshme që Moska ka ofruar për sulmin.

Aleatët perëndimorë të Ukrainës, tha ai, "kanë mbuluar krimet e regjimit të Kievit". Lavrov nuk ishte i pranishëm kur folën Sekretari Blinken dhe disa aleatë të tjerë të Shteteve të Bashkuara, por u shfaq vetëm pak para fjalimit të tij. Pavarësisht fjalëve të forta të Sekretarit Blinken, askush nuk pret që Këshilli të veprojë kundër Rusisë, pasi Moska ka të drejtën e vetos si një anëtare e përhershme.

Në vend të kësaj, një zyrtar amerikan tha se qëllimi i Sekretarit Blinken ishte të bindte anëtarët e tjerë që t'i theksonin Moskës dëmin global që po shkakton lufta dhe të kërkonin që ajo të përfundojë. Zyrtari foli në kushte anonimiteti pasi ishte njohur paraprakisht me fjalimin që do të mbante Sekretari Blinken.

Takimi erdhi një ditë pasi presidenti Joe Biden denoncoi Presidentin rus Putin për atë që ai e quajti shkelje skandaloze të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar. Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Sekretari Blinken deklaroi se Rusia duhet të përballet me censurë dhe izolim të mëtejshëm për sulmin ndaj Ukrainës.

Duke renditur disa akuza për krime lufte dhe mizori të tjera, ai u bëri thirrje vendeve që ende nuk kanë folur me forcë kundër tyre duke i denoncuar si një sfidim i rendit ndërkombëtar.

Ai vuri në dukje se lufta jo vetëm që kishte shkaktuar shkatërrim masiv për Ukrainën dhe popullin ukrainas, por gjithashtu e shpërqëndroi këshillin nga krizat e tjera globale, përfshirë urinë e mundshme, ndryshimet klimatike dhe varfërinë e përhapur.

Me fillimin e mbledhjes kishte shenja të një atmosfere të ngarkuar rreth tryezës së famshme të këshillit në formë patkoi. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba u tha gazetarëve paraprakisht se ai kishte në plan të mbante një "distancë të sigurt sociale" nga Lavrov.

Dhe ndërsa stafi i Këshillit po përgatitej të vendoste emërtimin që shënonte vendin e Ukrainës në tavolinë pranë vendit të Rusisë, Kuleba me sa duket ngriti kundërshtime dhe vendi i paracaktuar u zhvendos diku tjetër. Lavrov nuk ishte në dhomë në atë moment.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) hapi një hetim në mars për krime të mundshme ndërsa lufta vazhdon dhe dërgoi ekipe për të mbledhur prova. Prokurori Karim Khan i tha këshillit të enjten se ai do të dërgojë më shumë punonjës të ICC-së javën e ardhshme për të shqyrtuar akuzat që vijnë nga Ukraina lindore.

Khan nuk ka njoftuar ende ndonjë akuzë të lidhur me konfliktin, por ai përsëriti para këshillit se ai beson se ka baza të arsyeshme për të menduar se krimet janë kryer.

"Ajo çfarë kam parë deri më tani është vërtet shqetësuese", tha ai.

Ndërkohë, Ukraina ka kërkuar krijimin e një gjykate speciale për të ndjekur penalisht krimet e dyshuara të luftës.

Të mërkurën, presidenti i Ukrainës paraqiti një dosje të detajuar kundër sulmit rus në Kombet e Bashkuara dhe kërkoi ndëshkim nga udhëheqësit botërorë në një fjalim të mbajtur vetëm disa orë pasi Moska bëri një njoftim të jashtëzakonshëm se do të mobilizonte disa rezervistë për operacionet luftarake.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u zotua në një fjalim të filmuar drejtuar udhëheqësve botërorë se forcat ukrainase nuk do të ndalen derisa të rimarrin të gjithë Ukrainën.

"Mund ta rikthejmë flamurin ukrainas në të gjithë territorin tonë. Mund ta bëjmë këtë me forcën e armëve", tha Zelenskyy. "Por na duhet kohë"./VOA

D.GJ/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori