TIRANE- Anullohet vendimi i administratës “Berisha” për të dhenë me konçension ndërtimin dhe zhvillimin e infrastrukturës për qëllime turistike të plazheve të Dhërmiut dhe të Perivollit. Dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ështe vendosur anullimi i VKM-së nr. 591, datë 1.8.2012, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, e ka cilësuar shfuqizimin e projektit konçensionar për plazhet e Dhërmiut dhe Perivollit, si një hap të rëndësishëm të kthimit të zonave bregdetare për përdorim në interesit publik.

“Një nga vendimet që u mor sot (dje), ishte vendimi për shfuqizimin e projektit konçensionar i parashikuar të zbatohej në zonat bregdetare plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll. Konsiderohet në fakt si një hap i rëndësishëm i iniciativës qeveritare e cila do të thellohet dhe do të vazhdojë më tej me marrjen e masave te mëtejshme të karakterit legjislativ, duke synuar kthimin e plazhit dhe të brezit bregdetar për përdorim në interes të publikut”,-theksoi ajo.
 
Projekti
Në bazë të VKM-së nr. 591, datë 1.8.2012, u vendos që të kryhej një projekt për zhvillimin turistik të zonës bregdetare që përfshin plazhet e Dhërmiut dhe Perivollit, duke kontraktuar një autoritet konçensionar. Ajo që vlen të theksohet në këtë VKM të kohës së administratës “Berisha” është fakti se kompanisë “Eurokontakt”, iu akordua një avantazh prej 2%. Kjo do të thotë se të gjithë konkurrentët për të fituar konçensionin e zhvillimit turistik të zonave të lartpërmendura hynë në “garë” me një dizavantzh fillestar.

Duhet shtuar se kompania “Eurokontakt”, sipas VKM-së nr. 591, datë 1.8.2012, nuk e kërkoi një avantazh të tillë. Ky trajtim i privilegjuar, që iu akordua kompanisë “Eurokontakt”, u argumentua në dokumentin zyrtar “për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pakërkuar)”, të kësaj kompanie. Zbatimi i vendimit bëhet nga bashkia e Himarës
 
Kundërshtimet
Në shtator të vitit 2012 “Shqiptarja.com” ka zbardhur VKM-në  nr. 591, datë 1.8.2012. Ky vendim i jep me konçension firmës “Eurokontakt”, vijën bregdetare me të frekuentuar në vend, pra të plazheve të Dhërmiut dhe të Perivollit. Një nga ortakët e kësaj firme është Gent Prizreni. Në lidhje me këtë ka pasur një reagim të fortë nga Shoqata “Bregdeti” si dhe nga komuniteti himarjot.

Shoqëria civile himarjote e ka cilësuar këtë lëvizje të administratës “Berisha” si skandalin më të madh pas shembjes së fshatit Jalë në vitin 2007 në bashkinë e Himarës. Shoqëria civile himarjote bëri të ditur se punimet nga firma “Eurokontakt” kanë nisur që në verë të vitit 2012, ende pa u dhënë koncesioni dhe pa u publikuar vendimi në fletoren zyrtare.

faksimile


Shkrimi u publikua sot (23.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)