Tenderi për Portin e Ri tregtar në Porto Romano tashmë është zyrtarisht i anulluar. Njoftimi është shpallur në Buletinin e Agjensisë së Prokurimeve Publike.
Tenderi u anulua pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertë financiare. Në garë ishte kompania Achirodon.
Ndërtimi i Portit të ri ishte parashikuar në dy faza. Në ndryshim nga Porti i Durrësit ai ofron një thellësi më të madhe të ujërave në basen, duke lejuar ankorimin e anijeve më të mëdha dhe me një ngarkesë më të madhe. Vetëm në fazën e parë parashikohet përpunimi i 500 mijë kontejnerëve, nga afro 180 mijë që përpunohen tani në Portin aktual.
Tenderi për këtë projekt, 393 milionë euro pa TVSH ka dështuar disa herë. Në garën e hapur në dhjetor të 2024-ës, u paraqitën 5 konsorciume dhe vetëm njëra prej tyre kaloi në fazën finale për të paraqitur një ofertë teknike dhe ekonomike. Një nga kandidatët bëri kallzim në Prokurorinë e Posaçme. Ajentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në zyrat e Autoritetit Portual Durrës dhe sekuestruan të gjithë dokumentacionin e garës për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano.

Komente








