Apeli konfirmon 1 vit burg! Salianji humb mandatin, jo deputet për 5 vitet e ardhshme! Bardhi mbledh grupin: S' i nënshtrohemi, shpallje lufte ndaj opozitës! Gjyqtarët u përdorën nga Rama

TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike u mblodh me urgjencë menjëherë pasi Apeli konfirmoi vendimin me 1 vit burg për deputetin demokrat Ervin Salianji për kallëzim të rremë. Pas përfundimit të mbledhjes, kreu i grupit Gazment Bardhi foli me tone të ashpra për mediat, ndërsa sulmoi gjyqtarët e Apelit duke i akuzuar se janë përdorur nga kryeministri Edi Rama.

Për Partinë Demokratike, dënimi i Salianjit është një vendim poltik, ndërsa Bardhi e quajti drejtësinë të fabrikuar.

“Me këtë vendim sot Rama i dha mesazhin çdo qytetari se kush denoncon qeverinë prangat i ka ai në xhep dhe i nxjerr në çdo moment. E papranueshme që gjyqtarë në konflikt interesi, nuk ka ndodhur kurrë që pasi shkon në sallë për të marrë vendimin thuhet ka sjellë Geron Xhafa një provë të re, po tërhiqemi që ta marrim. Prandaj u shty vendimi me një javë, u ndërtua strategjia për të shtuar prova në dosje. Ky është falsifikim, drejtësi e fabrikuar”, tha Gazment Bardhi.

Bardhi tha për mediat se dërgimi i Salianjit në burg është shpallje lufte ndaj Partisë Demokratike, duke u shprehur se nuk do i nënshtrohen këtij vendimi.

“Dënime të tilla politike janë medalje për çdo deputet të opozitës. Ka guximin për të denoncuar. Nuk i nënshtrohemi këtij vendimi politik, është goditur i gjithë grupi i PD, është goditur PD, partia më e madhe e opozitës”, tha Bardhi.

Ndërkohë, selia blu reagoi menjëherë për verdiktin e Gjykatës, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama, ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafa, aktualisht deputet i PS dhe vëllanë e tij Geron Xhafa, si autorë të këtij dënimi, që e cilësuan si një "hakmarrje të verbër politike".

"Sot në luftën e shpallur ndaj opozitës, Edvin Kristaq Rama dënoi me burgim politik deputetin e opozitës Ervin Salianji, për betejën e tij guximtare kundër Edi Ramës dhe narko-shtetit të tij. Sot Ervin Salianji u dënua nga Edi Rama, Geron dhe Fatzi Xhafa, në një akt hakmarrje të verbër politike, për faktin e vetëm se deputeti Salianji vërtetoi lidhjen dhe veprimtarinë kriminale të narko-trafikantit ndërkombëtar vëllait të Fatmir Xhafës, ministër trafikant, dhe Edi Ramës kreu i narko-shtetit shqiptar", thuhet ndër të tjera në reagimin e selisë blu.

Në orën 20:00, Kryesia e PD do të zhvillojë një tjetër mbledhje, pas asaj të grupit parlamentar. 

Dënimin e tij me 1 vit burg, e tij e quajtën politik jo vetëm demokratët, që në bllok akuzuan Ramën se ka ndikuar vendimin e apelit. Edhe kreu i PL Ilir Meta tha se dënimi i tij është hakmarrje për denoncimet ndaj qeverisë. Ndonëse çështja Babale u denoncua në kohën kur ishte kryetar i PD, reagim nuk pati Lulzim Basha i cili zgjodhi të heshtë.

Me vendimin e këtij 26 shtatori 2024 të gjykatës së Apelit, Ervin Salianji humb mandatin e deputetit. Sipas nenit 71 të Kushtetutës mandati i një ligjvënësi ndërpritet kur ndaj tij merret një vendim i formës së prerë.

Tashmë këshilli i mandateve do të duhet të mblidhet vetëm formalisht për të konstatuar ndërprerjen e mandatit e më pas bëhet zëvendësimi i tij nga KQZ. Sipas listës shumë-emërore, Salianji pasohet nga Andrea Mano, por do të mbetet për t’u parë nëse ky i fundit do të pranojë mandatin.

Por me një vit burg mbi supe, Salianji nuk humbet vetëm këtë mandat. Atij do t’i duhet të qëndrojë jashtë politikës dhe funksioneve publike, për të paktën 5 vite të tjera pas përfundimit të dënimit, sipas afateve që parashikon Kodi Penal, pra ai nuk mund të kandidojë në zgjedhjet e 2025 dhe 2029. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:19
'Shtëpia jonë zakonisht sakrifikon më të mirin', dënimi i Salianjit, Açka: Përgjegjësit e vërtetë, a kanë ndonjë katarsisis?

Deputetja Flutura Açka i është bashkuar reagimeve në mbrojtje të Ervin Salianjit, për të cilin Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin me 1 vit burg për kallëzim të rremë në dosjen Babale. 

"Shtëpia jonë zakonisht sakrifikon më të mirin! Ata, përgjegjësit e vërtetë, a kanë ndonjë katarsisis? Hipokritët, të cilët as në foto nuk e fshehën dot n’fashën, më mirë të heshtin", shkruan Açka. 

Ora 17:45
Dënimi i Salianjit, Kryebashkiaku i Kavajës Qosja: I kanë bërë llogaritë gabim! Opozitës po i hyhet në hak me duart e drejtësisë

Kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, ka reaguar ashpër sot (25 Shtator), pas dënimit që la në fuqi Gjykata e Apelit Tiranë, me 1 vit burgim ndaj deputetit Ervin Salianji, për dosjen “Babale”.

I zgjedhuri vendor i opozitës deklaroi se “këtë radhë i kanë bërë llogaritë gabim”, duke shprehur “mbështetje të plotë për mikun Ervin Salianji”, të cilin e konsideroi edhe si “një prej drejtuesve më të aftë dhe më premtues të PD”.

Qosja pretendon se “opozitës po i hyhet në hak” me qëllim frenimin e mobilizimit në prag të zgjedhjeve të ardhshme, me “duart ë drejtësisë”.

Reagimi i Fisnik Qosja:

“Mbështetje të plotë për mikun Ervin Salianji, i cili për fat është dhe një prej drejtuesve më të aftë dhe premtues të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare!

Ervin Salianji është një FITUES dhe kjo është arsyeja e vendimit të sotëm aq banal të Gjykatës së Apelit!

Opozitës tashmë po i hyhet në hak dhe frenimi i mobilizimit të saj në kulmin e fushatës zgjedhore me motivacione politike e për më tepër me duart e drejtësisë, nuk është asgjë tjetër, veçse minim i demokracisë shqiptare!

Kjo është një sfidë ndaj brezit të rinj të politikanëve të Partisë Demokratike, nga të cilët në fakt kalon dhe suksesi zgjedhor i opozitës dhe kthimi i Partisë Demokratike në krye të qeverisjes!

Por kësaj radhe i kanë bërë llogaritë gabim! Bashkë më Ervin Salianjin, do dalim shumë më të fortë nga kjo histori!”

Ora 17:21
Dënimi i Salianjit, reagon Dashnor Sula: Sot u rikthyen dënimet politike, kambanë alarmi për demokracinë! Opozita të mos pranojë, qytetarët të reagojnë

1725553844_dashnorsula.jpg

Deputeti demokrat, dashnor Sula

Edhe deputeti demokrat Dashnor Sula ka reaguar për dënimin e lënë në fuqi nga Apeli i Tiranës, me 1 vit burgim ndaj kolegut të tij Ervin Salianji, për dosjen “Babale”.

Ai e cilësoi një “dënim politik dhe mesazh për të vrarë kurajon dhe guximin e atyre që denoncojnë pushtetarët e inkriminuar”.

Sula e konsideroi si një “rikthim të dënimeve politike dhe kambanë alarmi për demokracionë në vend”. Ai apeloi që ky dënim të mos pranohej nga Opozita dhe që qytetarët të përgjigjeshin përballë kësaj arrogance qeverisëse duke u ngritur.

Reagimi i Dashnor Sulës:

“Sot u rikthyen dënimet politike! Dënimi i deputetit Ervin Salianji është vendim  politik. Ky është një mesazh për të vrarë kurajon/guximin e atyre që denoncojnë pushtetarët e inkriminuar.

Është fakt që vëllai i ish-ministrit të Brendshëm u fut në burg në Itali pas denoncimit të Salianjit. Është fakt i njohur botërisht që derisa u bë denoncimi nga PD, vëllai i ish-ministrit lëvizte i lirë madje edhe duke bërë biznes në Shqipëri. Por gjykatat dënojnë deputetin e opozitës që denoncon.

Kur kjo ndodh me një deputet që përfaqëson minimalisht 10 mijë qytetarë, e kuptoni çfarë ndodh me një qytetar të vetëm?!

Vendimi politik i marrë ndaj deputetit demokrat, Drejtuesit politik të qarkut të Elbasanit, Ervin Salianji është një kambanë alarmi për demokracinë në vend. Partia Demokratike dhe opozita nuk duhet të pranojnë të nënshtrohen nga vendimet politike.

Qytetarët dhe opozitarët duhet të ngrihen përballë kësaj arrogance të qeverisë dhe të ndalojnë shkatërrimin e demokracisë në Shqipëri”.

Ora 15:40
Pas mbledhjes së grupit, PD mbledh në 20:00 Kryesinë

1683817064_seliablu.jpg

Partia Demokratike do të mbledhë me urgjencë Kryesinë, pasi Apeli konfirmoi dënimin me 1 vit burg për deputetin Ervin Salianji.

Në mbledhjen e Kryesisë në orën 20:00 do të diskutohet për lëvizjen e PD pas dënimit të Salianjit, ndërsa mbledhja vjen pas asaj të grupit të PD.

Ora 15:26
Dënimi i Salianjit, Bardhi pas mbledhjes së grupit: Shpallje lufte ndaj opozitës, vendim politik me urdhër të Ramës! Nuk i nënshtrohemi

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka folur për mediat pas mbledhjes urgjente të grupit, menjëherë pasi Apeli konfirmoi dënimin me 1 vit burg për Ervin Salianjin. Bardhi në një prononcim për mediat e quajti një vendim politik me urdhër të Ramës, ndërsa sulmoi edhe gjyqtarët e Apelit. Bardhi tha se kjo është një shpallje luftë ndaj opozitës ndërsa tha se nuk do i nënshtrohen këtij vendimi. 

"Për llogari të një trafikanti droge mendojnë se do i mbyllin gojën deputetëve të opozitës. Pse nuk bëhet hetim pasuror ndaj Fatmir Xhafës, pse vëllai i një trafikanti droge, nuk kalon në sitën e pasurisë për ligjin anti-mafia. Kodi mafioz që Rama vendos me këtë vendim politik gjykate, duke çuar në burg nënkryetarin e PD, është shpallje lufte ndaj grupit tonë parlamentar, ndaj opozitës në tërësi. Kolegët kanë bërë propozime që kalojnë për miratim në Kryesi. Salianji është deputet përfaqësues në Kuvend, beteja nuk bëhet kundër Salianjit, por kundër mandatit të Salianjit. Nuk ka bërë betejë personale Salianji. Të dalë jashtë burgu Dako dhe të shkojë në burg një deputet i opozitës që ka guximin të bëjë denoncime. Me këtë vendim sot Rama i dha mesazhin çdo qytetari se kush denoncon qeverinë prangat i ka ai në xhep dhe i nxjerr në çdo moment. E papranueshme që gjyqtarë në konflikt interesi, nuk ka ndodhur kurrë që pasi shkon në sallë për të marrë vendimin thuhet ka sjellë Geron Xhafa një provë të re, po tërhiqemi që ta marrim. Prandaj u shty vendimi me një javë, u ndërtua strategjia për të shtuar prova në dosje. Ky është falsifikim, drejtësi e fabrikuar. Kushdo që shkel ligjin pa diskutim që duhet të dënohet, por nuk është ky rasti. Ku është kallëzimi i rremë që ka bërë Salianji, që tha se Geron Xhafa është trafikant droge, shkoi në burg si trafikant nga kallëzimi. Ky është falsifikimi. Dënime të tilla politike janë medalje për çdo deputet të opozitës. Ka guximin për të denoncuar. Nuk i nënshtrohemi këtij vendimi politik, është goditur i gjithë grupi i PD, është goditur PD, partia më e madhe e opozitës. Kjo nuk bëhet për të mbrojtur një individ, nuk ka asgjë personale Salianji me Geron Xhafën. Në burg nuk shkon Salianji, por cilido që ka vendosur të qëndrojë në Shqipëri dhe të përballet me regjimin e kriminalizuar të Ramës, duke keqpërdorur dy gjyqtarë të Apelit", tha Bardhi. 

Ora 15:21
Dënimi i Salianjit/ Bardhi pas mbledhjes urgjente: U kalua vija e kuqe! Rasti i parë kur dikush shkon në burg për kallëzim të rremë

 

Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi foli pas mbledhjes së grupit në PD, e cila ishte urgjente pas dënimit të Ervin Salianjit me 1 vit burg për kallëzim të rremë në dosjen Babale. Bardhi thotë se është kaluar vija e hollë e kuqe që ndan demokracinë me diktaturën.

'Vendi i sotëm i paprecedentë nuk ka asnjë rast në Shqipëri kur dikush për kallëzim të rremë të ketë shkuar në burg. Rasti i parë në 34 vite nga 3 gjyqtar të Apelit që dorëzojnë në burg një deputet të opozitës. Nuk është vendim kundër Salianjit. Vendmi i sotëm është kundër çdo qytetari që vendos të përballet me qeverinë e kriminalizuar të Edi Ramës. Nuk është kundër Salianjit, kundër çdo qytetari në këtë vend dhe vendos të denoncojë keqqeverisjen e Edi Ramës. Geron Xhafa është një trafikant i dënuar droge. Këtë ka thënë Ervin Salianji dhe po shkon në burg. Është kaluar ajo vija e hollë e kuqe që  ndante demokracinë e brishtë shqiptare me diktaturën. Kush e dha sot vendimin, një gjyqtar që ka qenë përfaqësues politik në KQZ për socialistët që ka marrë premtimin nga Xhafaj që do shkoj anëtar në GJL. Iliba “Bezati i dikton karrierën e vet në Apel Fatmir Xhafës. U kërkua shkarkim i saj në KLD dhe ka qenë Xhafa si ministër drejtësie që tërhoqi kërkesën për shkarkimi ne kësaj gjyqtarëve.'

Ora 15:15
Dënimi i Ervin Salianjit, reagon PD: Edi Rama, Geron dhe Fatzi Xhafa dënuan sot deputetin e opozitës, hakmarrje e verbër politike!

Vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, për lënien në fuqi të dënimit të deputetit Ervin Salianji me 1 vit burgim për kallëzim të rremë në dosjen “Babale”, nuk është pritur mirë nga selia blu.

Partia Demokratike reagoi me një deklaratë pas shpalljes së verdiktit pasditen e sotme (26 Shtator).

“Sot në luftën e shpallur ndaj opozitës, Edvin Kristaq Rama dënoi me burgim politik deputetin e opozitës Ervin Salianji, për betejën e tij guximtare kundër Edi Ramës dhe narko-shtetit të tij.

Sot Ervin Salianji u dënua nga Edi Rama, Geron dhe Fatzi Xhafa, në një akt hakmarrje të verbër politike, për faktin e vetëm se deputeti Salianji vërtetoi lidhjen dhe veprimtarinë kriminale të narko-trafikantit ndërkombëtar vëllait të Fatmir Xhafës, ministër trafikant, dhe Edi Ramës kreu i narko-shtetit shqiptar. Dënimi i sotëm i Ervin Salianjit dëshmon se në këtë vend droga dhe krimi i lidhur me qeverinë janë vendim-marrësit kryesorë në narko-shtetin shqiptar”, thuhet në reagimin e PD-së.

Më tej u dënua ky vendim i drejtësisë së dhënë një ligjvënësi opozitar, duke e cilësuar si një “terror të egër ndaj PD”.

“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë akt politik të shëmtuar të Edi Ramës dhe narko-shtetit të tij kundër Partisë Demokratike, opozitës dhe pluralizmit politik në Shqipëri, si dëshmi e terrorit të egër ndaj opozitës për Partinë Demokratike, për çdo demokrate dhe demokrat, për çdo opozitare dhe opozitar, ky akt është një kushtrim, është një SOS të ngrihemi në mosbindje civile: “O sot, o kurrë” kundër Edi Ramës dhe narko-diktaturës së tij”, mbyllet reagimi i selisë blu.

M.Q./S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë