BRUKSEL - Komisioni Europian ka bërë sot apelin e fundit për politikën shqiptare lidhur me miratimin e dy reformave që kërkohen për anëtarësim në familjen europiane. Gjatë një konference për shtyp, Peter Stano, zëdhënësi i komisionerit Stefan Fyle, ka deklaruar se Fyle gjatë vizitës së tij në Shqipëri është siguruar nga politikanët se brenda datës 24 maj, reforma do të votohej.

“Pra ishte idea se marrëveshja e arritur mes partive politike në nëntor të mund të zbatohej përpara se sa të nisnin procedurat zyrtare për zgjedhjen e Presidentit të ri. Dakord, data 24 është sot por ende nuk ka mbaruar dita. Megjithatë nuk duhet humbur kohë dhe koha po kalon. Reforma zgjedhore është një ndër pikat kyçe të marrëveshjes së nëntorit të kaluar dhe ne e kemi bërë të qartë disa herë se implementimi i plotë i kësaj reforme përmes dialogut politik është i rëndësishëm. Në këtë kontekst ne inkurajojmë Shqipërinë dhe liderët e saj politikë që përmbushin detyrimin për të kryer reformën sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Stano.
Besojmë, vijoi ai, se Shqipëria nuk duhet të humbasë më kohë pasi vërtet koha po kalon. “Duhet të përmbyllen çështjet që janë ende të hapura në dialogun mbi reformën zgjedhore. Ka ende shumë punë për të bërë me qëllim që të përmbushen 12 prioritetet e vendosura në opinionin e Komisionit Evropian dhe që janë të rëndësishme kur do të flitet për performancën e Shqipërisë për dhënien e mundshme të statusit kandidat apo për ecjen e Shqipërisë një hap përpara në këtë drejtim”, nënvizoi Stano.

Në vlerësimin e Stano, komisionari Fule ju referua 24 majit si një datë e rëndësishme për përmbushjen e reformës zgjedhore por në mënyrë urgjente duhen trajtuar çështjet që janë prekur nga komisionari në takimet me kryeministrin dhe liderin e opozitës.

“Koha po kalon. U kërkojmë sërish ldierëve të punojnë për këtë shumë shpejt që të mund të plotësohen 12 prioritetet që janë shumë të nevojshme”, theksoi Stano.

(aq/shqiptarja.com)