Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako do të rikthehet në burg. Apeli konfirmoi dënimin me 2 vite e 8 muaj burg të dhënë nga GJKKO dhe sipas përllogaritjeve, Dako, i cili ndodhet në “arrest shtëpie” do t’i duhet të kryejë vetëm 10 ditë burg, pasi pjesën tjetër të dënimit e ka kryer në paraburgim.

Dako u arrestua në 6 qershor 2023. Ai u lirua në shkurt të vitit 2024 pasi i kaloi afati i paraburgimit dhe prej asaj kohe ka qëndruar në arrest shtëpie. Më 25 nëntor të 2024, GJKKO vendosi që ta dënonte me 2 vite e 8 muaj burg për shpërdorim detyre në dy raste.

Vendimi i kësaj të marte, imarrë nga treshja e Apelit, Engert Pëllumbi, Miliana Muça dhe Iliriana Olldashi, konfirmoi gjithashtu dënimin edhe për tre të pandehurit e tjerë, Fatmir Ejupi, Fiqiri Farruku dhe Adrian Bulku, me nga 2 vite burgim me gjykim të shkurtuar, dënime të pezulluara me shërbim prove nga GJKKO.

Ndërkohë, gjatë pasdites, mësohet se Vangjush Dako u shtrua në Spitalin e Durrësit pasi pësoi aritmi. Aty shkuan edhe efektivët e Policisë së Durrësit, ku e gjetën Dakon duke marrë mjekim dhe bënë të mundur ekzekutimin e vendimit të Apelit të GJKKO, duke i komunikuar arrestimin.

Vangjush Dako u dënua për shpërdorim detyre në 2 raste, në kohën që ushtronte postin e kryetarit të bashkisë së Durrësit. Bëhet fjalë për ndërtimin e një pallati 12 vite më parë në Durrës, që u shemb nga tërmeti i vitit 2019. Leja e ndërtimit të pallatit u zbardh, tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe kishin hyrë banorët, duke legalizuar 4 kate pa leje. Po kështu dhe vetë ndërtimi nuk ishte bërë sipas projektit të miratuar nga Bashkia Durrës.

Ndërsa rasti tjetër i shpërdorimit të detyrës nga Dako lidhet me abuzimin me tenderin për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, të zbuluar nga KLSH, që I shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh. 

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, Vangjush Dakos i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë pesëvjecare.

Vendimi i Apelit të GJKKO

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:45
Vangjush Dako përfundoi në spital kur mësoi që duhet të shkonte në burg, policia ekzekuton vendimin

1758044963_1712921094dako.jpg

Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako është arrestuar nga Policia e Durrësit në zbatim të vendimit të Apelit të GJKKO, që e riktheu në burg me vendimin e ditës së sotme.

Sipas burimeve të Report Tv, Dako përfundoi në spital pasi u mësua vendimi që ai duhet të rikthehet në qeli, pasi i kanë mbetur për të vuajtur edhe 10 ditë dënim.

Sipas të dhënave, Dako ka pësuar aritmi dhe mori ndihmë në spital. Aty shkoi edhe Policia e Durrësit, duke bërë të mundur ekzekutimin e vendimit të Apelit të GJKKO.

Vangjush Dako pritet  t'i dorëzohet Drejtorisë së Burgjeve ditën e nesërme për ta rikthyer në qeli.