Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, për të cilin ditën e sotme Apeli i GJKKO-së la në fuqi dënimin me një vit burg, pritet të vetë-dorëzohet ditën e nesërme në Polici.
Lajmin e kanë bërë të ditur burime për Report TV, ku bëhet me dije se Memolla do të vetë-dorëzohet, pasi të delegojë detyrat që mban.
Memolla u dënua për korrupsion në zgjedhje, pasi SPAK zbuloi një bisedë të tij kur kandidonte në zgjedhjet e pjesshme vendore të marsit 2022, me elektricistin e OSHEE Blerim Xhamani.
Memolla i kërkoi elektricistit të mos i ndërpresë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim që të votonte në favor të tij në zgjedhje. Me elektriçistin Xhamani, sipas SPAK, Memolla bisedoi edhe për punësime në Bashkinë e Rrogozhinës, në këmbim të votës.
Me dënimin me formë të prerë, Edison Memolla humbet mandatin e kryebashkiakut dhe Rrogozhinës i duhet të shkojë sërish në zgjedhje.
Lajmi kryesor:
Korrupsion në zgjedhje, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 1 vit burg për Edison Memollën, burime: Do të vetëdorëzohet nesër! Bashkia e Rrogozhinës mbetet pa kryetar












