Disa orë përpara nisjes për në Bruksel, kryeministri Edi Rama mblodhi sot grupin parlamentar në kryesinë e Kuvendit.
Kësaj mbledhje gjithashtu iu bashkua dhe Belinda Balluku, e cila tashmë është e pezulluar nga posti i zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe aktualisht gëzon vetëm statusin e deputetit.
Pas vendimit të Kushtetueses, Rama thotë se nuk ka urgjencë për trajtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin si dhe paralajmëroi ndërhyrje në legjislacion për të zgjidhur këtë ngërç institucional.
"Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit", shkroi Rama.
Pas shprehjes së gjyqtarëve të Kushtetueses, radhën e ka mbledhja e Komisionit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK, të cilët kërkojnë heqjen e imunitetit të deputetit me qëllim arrestimin e saj.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama do të niset rreth orës 14:00 drejt Brukselit ku do të takohet me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Kosta. Në fokus të bisedimeve do të jenë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Lajmi në përditësim...
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në profilin e tij në Tëitter duke dalë me 3 konkluzione nga mbledhja e grupit parlamentar. Çështja kryesore është ajo e pezullimit të Ballukut nga detyra, ndërsa Rama ka paralajmëruar ndërhyrje në legjislacion për të zgjidhur këtë ngërç institucional.
Ndër të tjera Rama thotë se nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën e SPAK, të cilët kanë kërkuar arrestimin e saj, por për këtë duhet që Ballukut t’i hiqet nga Kuvendi imuniteti i deputetit.
Reagimi i Edi Ramës:
3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga:
1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.
2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.
Një shtesë nga ana ime:
SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen.
Komente












