KAKAVIJË- 72 orë transmetim nonstop në Report Tv për mijëra qytetarë të nisur drejt Greqisë bllokuar në radhë kilometrike në Kakavijë, nxori në pah se media është aleati më i besueshëm i qytetarëve dhe zëri më i fortë për të sjellë reagimin e instancave shtetërore.

Në12 gusht, mediat raportuan për herë të parë për Kakavijën me një ftohtësi që e kthente situatën si të zakonshme e të përvitshme: Radhë për shkak të fluksit të kthimit në Greqi pas pushimeve në Shqipëri.

Mbledhja e mëngjesit të së premtes në redaksinë e Report Tv vuri theksin se kjo situatë kërkonte një angazhim më të madh dhe ngritjen e një kauze për të sjellë zgjidhjen për mijëra qytetarë të mbetur nën temperatura të larta, në radhë në makina, pa ujë e me ditë të tëra pritje sfilitëse.

Transmetimi live me pyetje dhe trokitje për përgjigje në dyer e institucioneve e deri tek historitë njerëzore, solli zgjimin e autoriteteve shtetërore. Përgjigjja më e vështirë për t’u marrë ishte ajo e ministrit në detyrë të Punëve të jashtme, Gent Cakaj, telefoni i të cilit, në kulmin e kësaj krize humanitare, ishte i mbyllur. Trajtimi i gjithçkaje po ndodhte në Kakavijë nga Report Tv, nxiti reagimin e parë. Reagimi i parë që Report Tv mori nga Ministria e Jashtme ishte zi i zv.ministrit Agron Tare, i cili foli për negociatat me palën greke.

E duke ditur rolin e diplomacisë në zgjidhjen e situatave të tilla, nuk mungoi dhe një apel nga gazetari i Report Tv, Arsen Rusta për Kryepiskopin Anastas Janullatos. Në fakt, sipas Ministrit të Diasporës, Pandeli Majko, ishte pikërisht Janullatos, ai që luajti rol kyç në zgjidhjen e krizës. 

Përfaqësuesja e parë shtetërore në Kakavijë ishte ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, që bashkë me Kreun e Emergjencave Civile, Haki Çako, u angazhuan që qytetarët e rraskapitur të furnizohen me ujë e ushqime. Aty nisën edhe negociatat me palën greke për zgjatjen e orarit të punës në kufi.

15 gushti, dita e katërt në pritje, nuk i bëri qytetarët të kthehen pas, pavarësisht thirrjeve të autoriteteve shqiptare, e shkaku kryesor ishte se pas datës 16 gusht për të kaluar kufirin I duhej veç përgjigjes negative të testit COVID me lekët e tyre edhe karantina e detyruar 7 ditë në Greqi.

Fëmijë, të moshuar, burra e gra, karvanin e gjatë të pritjes e kthyen edhe në protestë e revoltë si në këmbë ashtu edhe me automjetet e tyre. Por gjithçka në pak minuta mëngjesin e 15 gushtit do të kthehej në tragjedi duke rritur tensionin dhe duke sjellë një reagim edhe më të madh nga opinioni, e deri tek fjalët e para të kryeministrit Edi Rama.

Një autoambulancë teksa kthehej nga Kakavija për të dërguar në spital një pacient, aksidentoi për vdekje Samuel Ndoj një 10-vjeçar nga Lezha i cili prej dy ditësh priste në radhë për të kaluar kufirin me familjen e tij.

As puna pas orës 22:00, as shtimi i ekipeve mjekësore, nuk e ulën fluksin e qytetarëve në pritje, ndërsa e diela e 16 gushtit, pas insistimit të palës shqiptare dhe angazhimit të asaj greke, solli më në fund lajmin që të gjithë donin të dëgjonin: Pritja mori fund!

Negociatat e orëve të fundit vendosën të kalojnë përtej çdo orari të gjitha makinat në 00:40 teksa kishte hyrë data 17 gusht. Por çfarë sollën kolegët nga Kakavija, nga kjo krizë humanitare që përfundoi falë institimit dhe apelit të fortë të medias? Historitë njerëzore përcjellë nga gazetarët Merin Maçi e PiroNase, janë ato që të kthejnë vite pas në kohë: Fëmijë që duan të kthehen në shtëpi, e prindër të ndjerë krejtësisht të pafuqishëm për ta ndryshuar situatën.

Zgjidhja përfundimtare, ishte e pabesueshme edhe për vetë ata që pritën me ditë të tëra për t’u kthyer në vendin ku banojnë, mes vështirësive lindur nga pandemia COVID-19…Më në fund, nga goja e tyre, u shqiptua fjala lumturi:“Ndihemi të kënaqur, më në fund përfundoi!”