Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë për Report TV, ka komentuar protestën që vijon prej pesë ditësh, duke u ndalur te pakënaqësia qytetare, situata ekonomike dhe përgjegjësia e qeverisë për zhvillimet politike në vend.
Ai nënvizoi se protestuesit nuk kanë dalë papritur në shesh, por janë pjesë e një pakënaqësie të akumuluar prej muajsh. Sipas Alibeajt veçanërisht të rinjtë, por edhe qytetarë të tjerë, po shprehin pakënaqësinë ndaj mënyrës së qeverisjes, vështirësive ekonomike, problemeve me punësimin dhe mungesës së shpresës.
“Nuk më kënaq fakti që Shqipëria ka arritur në këtë fazë, konkretisht sistemi politik. Fakti që kemi arritur në këtë pikë nuk më bën të ndihem mirë, edhe për arsyen se, nga ajo që shoh, situata është e njëjtë dhe po agravon gjithnjë e më shumë. Shkaku kryesor është kokëfortësia dhe qëndrimi i Edi Ramës.
Të gjithë ata që janë në shesh nuk kanë ardhur sot papritur. Ne kemi qenë këtu prej katër muajsh e gjysmë me protesta paqësore. Ata njerëz nuk dolën befas. Shumica janë të rinj, por bashkë me ta ka edhe qytetarë të cilët prej kohësh kanë parë se pushteti nuk i përfaqëson. Ai ka treguar se mënyra e qeverisjes është në duart e një kaste politike të dedikuar thjesht dhe vetëm për t'u pasuruar në kurriz të qytetarëve.
Situata ekonomike ka arritur në një nivel të tillë saqë ka krijuar një mllef të përditshëm, të mbledhur ditë pas dite. Vështirësitë ekonomike, problemet me rendin, punësimin dhe mungesa e shpresës, së bashku me një situatë gjithnjë e më refuzuese, kanë bërë që një numër i madh shqiptarësh të largohen nga vendi. Ky mllef shpërtheu. Shpërthimi ishte i pritshëm, Duke komentuar përhapjen e protestave edhe në qytete të tjera, si Shkodra dhe Elbasani, ish-ministri i Drejtësisë tha se ato nuk mund të konsiderohen thjesht si një reagim i çastit apo si pakënaqësi e një grupi të vogël njerëzish."-shprehu Alibeaj.
Në fund, Alibeaj u ndal edhe te mandati qeverisës për periudhën 2025–2029, duke theksuar se fitorja në zgjedhje nuk i jep kryeministrit të drejtën të qeverisë pa kufizime.
"Rama, në këtë pikë, nuk është se ka të drejtë. Ata që janë në protestë nuk përfaqësojnë të gjithë Shqipërinë, por përfaqësojnë një pjesë të madhe dhe më energjike të saj, veçanërisht të rinjtë.
Për dikë që pretendon se përfaqëson të gjithë shqiptarët, është e lehtë të kuptojë se kjo nuk është një tekë, një nervozizëm i çastit apo një fraksion njerëzish. Pikërisht në këto ditë kemi parë protesta në Elbasan dhe Shkodër, jo vetëm në Tiranë. Ky është një nga treguesit që dëshmon se një pjesë e madhe e shqiptarëve janë të dëmtuar ekonomikisht. Mandatin që ka marrë për periudhën 2025–2029, kryeministri nuk mund ta përdorë si justifikim për të bërë çfarë të dojë.”-përfundoi ish-ministri.








Komente
Komento