Nën presionin e një nisme parlamentare të PDK që synon ngushtimin e kompetencave të Dhomave të Specializuara pas dënimit të ish krerëve të UÇK në Hagë, Albin Kurti shtriu dorën e bashkëpunimit në Tiranë.
Sipas tij duhet një strategji e përbashkët e dy shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës për të ndjekur hapa konkrete në ndihmë të procesit të apelit për Thaçin dhe ish krerët e tjerë të UÇK.
"Këtu duhet të jemi bashkë. Bashkë si shtet, bashkë si shoqëri. Bashkë me Shqipërinë. Vetëm në këtë mënyrë, me një strategji të përbashkët shtetërore, me qëllimin e përbashkët, fitoren në apel, ne dalim triumfues" tha Kurti.
Përfshirjen e Tiranës zyrtare e sheh edhe në arsyetimet e trupit gjykues në Hagë të cilët përmendën vendodhje krimesh edhe në Kosovë por edhe dy të tjera në Shqipëri.
Në takimet e zhvilluar në Nju Jork në 21 shtator me diasporën, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama tha se Shqipëria do të ofrojë vetëm mbështetje ndaj Prishtinës në rrugën e apelimit për Thaçin dhe të tjerët.
Nisma e PDK për të ngushtuar nuk ishte në rendin e ditës në mbledhjen e qeverisë së Kosovës këtë të mërkurë. Por Kurti siguroi se ajo është duke u shqyrtuar nga Ministria e Drejtësisë dhe jursitët në qeveri.
U shpreh optimist se pas deklaratës së përbashkët parlamentare të së hënës të miratuar me 99 vota, sheh mundësinë që palët të bashkëpunojnë për Presidentin, zgjedhja e të cilit ka vetëm 6 ditë kohë në dispozicion.
Kurti njoftoi nisjen e takimeve të reja me partitë politike me zgjedhjet e reja që duken shumë afër.
Të enjten në Prishtinë ndërkohë platforma “Liria ka Emër” ka thirrur një protestë kombëtare e cila sipas organizatorëve synon të jetë e qetë, masive dhe vetëm me synimin për të kundërshtuar dënimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqitd he Rexhep Selimit.
"Po. Ne u kemi dërguar ftesë krejt qytetarëve të Kosovës, edhe krerët e partive janë qytetarë të Kosovës, gjithsesi që duhet të jenë të pranishëm për me e përçuar një mesazh të rëndësishëm siç është ‘Jo në emrin tim’”. Krejt organizimet tona janë paqësore. Ne u bëjmë thirrje zakonisht që të vijnë me fëmijë, me pleq, të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta përçojmë një mesazh paqësor" tha Ismail Tasholli, nga 'Liria ka Emër'








Komente
Komento