Shqipëria ka nivelin më të lartë të paraburgimit në Europë, deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të draftit për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Duke iu referuar të dhënave të Këshillit të Europës për 31 janarin 2025, Rama tha se 62% e personave në burgjet shqiptare ishin të paraburgosur, më shumë se dyfishi i mesatares europiane prej 26%.
Ai solli si krahasim edhe Rusinë, të cilën e cilësoi “atdheun e represionit”, ku sipas tij të paraburgosurit përbëjnë 30% të popullsisë së burgjeve, më pak se gjysma e nivelit të Shqipërisë.
Ai u kërkoi prokurorëve dhe gjyqtarëve që kjo sfidë e përbashkët të adresohet pasi shifra të tilla janë të papranueshme për një vend që synon të jetë pjesë e BE.
“Në Shqipëri, peshorja e drejtësisë anon shumë dukshëm nga pesha represive e shtetit. Edhe sot, po të pyesësh një model të inteligjencës artificiale se cili vend mban barrën më të rëndë të paraburgimit ndër sistemet e të gjithë kontinentit europian, përgjigjja vjen shumë e hidhur: Albania. Raporti më i fundit i Këshillit të Europës për gjendjen më 31 janar 2025 tregon se 62% e njerëzve në burgjet shqiptare janë të paraburgosur. Pra, mbahen në burg për atë që akuzohen, jo për ndonjë dënim që kanë marrë. Mesatarja europiane e të paraburgosurve në po atë datë ishte 26%, ose, ndryshe, Shqipëria ishte më shumë se dy herë më keq krahasuar me mbarë Europën.
Në Greqi 24.8%, në Serbi 21.5%, në Maqedoninë e Veriut 14.3%, në Rumani 12.4% dhe në Bullgari 7%. Pra, ky nuk është ndonjë mallkim rajonal, as ndonjë rekord i pashmangshëm ballkanik. Është një problem shumë i rëndë shqiptar, të cilin duhet ta adresojë në letër, pa humbur kohë, Kuvendi i Shqipërisë dhe duhet ta pranojmë si sfidë të përbashkët për ta fituar, gjyqësori dhe ekzekutivi.
Ne, duke siguruar mbështetjen financiare dhe logjistike për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të punës së gjyqësorit, dhe magjistratët, duke iu përkushtuar zbatimit të kësaj pakete garancish si një mision dinjiteti kombëtar.
Si mund ta pranojmë ne faktin që krahasimi me Rusinë të jetë edhe më tronditës? Atje, në atdheun e represionit, ku paraburgimi vendoset rëndom me një telefonatë, të paraburgosurit janë 30% e popullsisë së përgjithshme të burgjeve. 30%! Pra, as sa gjysma e Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Të nderuar prokurorë dhe gjykatës, ju lutem, nuk mund të vazhdojmë me shifra të tilla, pas të cilave ka jetë njerëzish, drama familjesh, trauma fëmijësh dhe pasoja nganjëherë të pariparueshme, jo vetëm për ata që i vuajnë, por edhe për shoqërinë.
Jemi një vend shumë i vogël dhe një popull që vjen nga histori shumë traumatike për t’ia bërë vetes, me duart tona, dëmin kolosal të një politike të tillë penale”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene/ Asnjë masë arrest me burg për dënimet nën 5 vite, jo më në qeli gratë shtatzënë dhe nënat me fëmijë nën 6 vjeç! Seancat mund të transmetohen live









