Kodi i Procedurës Penale pritet të ndryshojë në 105 nene, me ndërhyrje që prekin nga masat e sigurisë dhe paraburgimi, të drejtat e palëve gjatë hetimit dhe gjykimit, provat dhe mënyrën e administrimit të tyre, seancën paraprake, prezumimin e pafajësisë, publicitetin e seancave dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Sipas paketës së re të prezantuar nga qeveria, për veprat penale me dënim maksimal nën 5 vite nuk do të caktohet masa “arrest në burg”, ndërsa në qeli nuk do të dërgohen as gratë shtatzëna, nënat me fëmijë nën 6 vjeç dhe baballarët që janë kujdestarët e vetëm të fëmijëve.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që, me kërkesë të palëve, seancat gjyqësore të mund të transmetohen drejtpërdrejt. Kryeministri Edi Rama e vuri theksin te kufizimi i paraburgimit, duke e cilësuar “cenim të dinjitetit kombëtar” faktin që, sipas tij, Shqipëria është bërë “delja e zezë e Europës” për shifrat e larta. Rama tha se burgu duhet të jetë alternativa e fundit dhe se gjykata duhet të argumentojë çdo kufizim të lirisë së individit.

Sekuestrimi i celularëve do të kufizohet vetëm te të dhënat e përcaktuara nga gjykata.

“Teksti nuk është hermetik, është projekt për konsultim. Paraburgimi është pjesa më e dukshme e kësaj reforme, por jo e vetmja. Ne propozojmë që prokurori të ketë detyrimin ta dokumentojë dhe vërë provat në dispozicion të burgosurit. Mbrojtja të ketë të drejtën për të hetuar. Kush thirret si dëshmitar, duhet të gëzojë mbrojtjen e të dyshuarit. Sekuestrimi i telefonit personal do të japë akses vetëm në të dhënat që vendos gjykata. Prezumimi i pafajësisë duhet të mbrohet njësoj si liria e shtypit. Këto rregulla janë të njëjta për këdo që është duke u përballur me drejtësinë.”, tha ministri Gogu.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:47
Drafti i Kodit të Procedurës Penale, Rama: S’ka më hetime në sirtar! Çdokush do të informohet për veprën, të kërkojë verifikim nga gjykata

1790761575_edirama.JPG

Çdokush do të ketë të drejtën e vendosjes në dijeni se ndodhet nën hetim dhe të kërkojë verifikim nga gjykata, parashikohet në ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale. Kryeministri Rama tha se hetimet e fshehura s’kanë vend në shtetin e së drejtës.

“Procedimi duhet të regjistrohet që prokurori merr dijeni për veprën. Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar procedim dhe t’i kërkojë gjykatës verifikim. Hetimet e fshehura, të mbajtura në sirtar ndër vite, nuk mund të jenë një rutinë në një shtet të së drejtës”, tha Rama.

Ora 11:46
Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Rama: Nuk cenohet reforma në drejtësi! Forcon kontrollin e gjykatës, të drejtat vlejnë për të gjithë

1790761396_edirama.JPG

Paketa e re ligjore për Kodin e Procedurës Penale nuk cenon progresin e reformës në drejtësi, tha kryeministri Rama. Ai theksoi se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit e çdo vepre tjetër penale duhet të vijojë, por duke respektuar të drejtat dhe forcuar kontrollin e gjykatës.

“Kjo nuk prek asnjë shtyllë të reformës në drejtësi. Nuk i heq prokurorisë asnjë kompetencë për të hetuar. Ajo ndryshon mënyrën si ushtrohen këto kompetenca dhe forcon kontrollin e gjykatës. Për korrupsionin, krimin e organizuar, ruhen regjime të posaçme. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk duhet të zbutet. Rishikimi brenda 60 ditëve i masave të sigurisë që janë në fuqi është kontroll individual nga gjykata. Të drejtat s’kanë parti, profesion ose popullaritet. Ato vlejnë për të gjithë ose s’janë më të drejta. Sa më e pavarur drejtësia, aq më e lartë cilësia dhe respektimi i kufijve që i vendos ligji”, tha Rama.

Ora 11:46
Rama: Jo kontroll të celularëve pa autorizim të gjykatës! Marrja në pyetje do të regjistrohet me zë dhe figurë

Sekuestrimi i telefonave dhe pajisjeve elektronike nuk do t’u japë më hetuesve akses të pakufizuar në të dhënat personale, ndërsa marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen me zë dhe figurë. Duke prezantuar ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, kryeministri Edi Rama tha se për hapjen e të dhënave do të nevojitet vendim gjykate.

“Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore do të regjistrohen me zë dhe figurë. Nëse shteti merr në pyetje një njeri duhet të tregojë si e ka marrë dhe sa e ka respektuar. Dhe shkruhet se deklarimet e marra me sjellje me presion apo dhunë nuk vlen. Ndryshimi i 4 vjen si domosdoshmëri për të mbrojtur jetën private në epokën teknologjike. Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë për të parë dhe lexuar apo parë gjithçka. Për ata hapur duhet vendim i gjykatës…Në rast të urgjencës të përcaktuara nga ligji, veprimi vlerësohet nga gjykata. Çdo material i nxjerrë që nuk ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet. E njëjta gjë në lidhje me përgjimet, duhet të shikohet vetëm ato që kanë lidhje me hetimet. Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale, nuk mund të përdoret si instrument presioni apo për ushqim për mediat”, tha Rama.

Ora 11:43
Transmetimi i seancave gjyqësore, Rama: Lejohen me kërkesën e të pandehurit dhe viktimës

1790761256_edirama.JPG

Drafti i ri i Kodit të Procedurës Penale parashikon edhe transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore.

“Me kërkesën e të pandehurit dhe viktimës dhe autorizimin e gjykatës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt duke mbrojtur të drejtat e të tretëve dhe viktimave”, tha Rama.

Ora 11:38
Drafti i Kodit të Procedurës Penale, Rama: Çdokush që thirret si person në dijeni, ka të drejtën e avokatit! Deklarimet nën torturë, të pavlefshme

1790760879_edirama.JPG

Me ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, avokati mund të kryejë hetimet dhe verifikimet e tij, ndërsa i pandehuri mund të aksesojë provat, tha kryeministri Rama.

“Avokati s’mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit. Ai duhet të kryejë hetimet e veta, të marrë dokumente, të kryejë verifikime dhe të angazhojë ekspertë. Personi do të ketë akses të pakushtëzuar te provat dhe të marrë pa pagesë dosjen e plotë, para se çështja të dërgohet në gjyq. Prokurori do të ketë detyrimin e shprehur të hetojë edhe rrethanat që e favorizojnë fajtorin”, tha Rama.

Kushdo që thirret si person në dijeni do të ketë të drejtën e thirrjes së një avokati. Çdo deklarim i marrë nën torturë, do të jetë i pavlefshëm, vijoi kryeministri.

“Nuk mund të thirret dikush si person në dijeni dhe të trajtohet si i dyshuar pa avokat e garanci, kushdo do të ketë në fletën e thirrjes të drejtën për t’u paraqitur me avokat. Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen me zë e figurë. Nëse shteti merr në pyetje një njeri, duhet të tregojë saktësisht si e ka respektuar dinjitetin e tij. Për herë të parë, shprehet në letër se deklarimet e marra nën torturë apo nën trajtim çnjerëzor, janë të papërdorshme”, tha Rama.

Ora 11:33
Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Rama: Për veprat me dënim nën 5 vite nuk do të ketë më arrest me burg

1790760540_edirama.JPG

Kryeministri Edi Rama prezantoi ndryshimet e propozuara për masat e sigurisë në Kodin e Procedurës Penale, duke deklaruar se arresti me burg duhet të jetë alternativa e fundit. Sipas tij, për veprat penale që parashikojnë dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të caktohet më arrest me burg, ndërsa gjykata duhet të shqyrtojë fillimisht masat më të buta dhe arrestin në shtëpi.

“Procesi penal duhet të nisë nga zona e lirisë dhe jo nga burgu si zanafillë. Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme. Për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më arrest me burg. As heshtja e personit, as mospranimi i akuzës s’do të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret. Gjykata duhet të bëjë vlerësimin e pavarur dhe, nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësit. Sa herë caktohet arrestimi, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore. Prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato”, tha Rama.

Ora 11:29
Drafti i Kodit të Procedurës Penale, Gogu: Garancia pasurore, sipas gjendjes financiare! Dhuna në familje, mbrojtje e shtuar për viktimat

Garancia pasurore do të jetë një nga aspektet që do të ndryshojnë me paketën e re të Kodit të Procedurës Penale. Tanimë, ajo do të përcaktohet në bazë të gjendjes financiare të personit, shpjegoi ministri Toni Gogu.

Një hapësirë rezervohet për viktimat e dhunës ku dhunuesi, me vendim gjykate, do të largohet menjëherë nga banesa.

“Kjo reformë nuk e harron as viktimën. Në rastet e dhunës në familje, gjykatës do t’i jepet e drejta ta largojë menjëherë nga banesa personin e dyshuar për dhunë, të ndalojë afrimin me viktimën dhe ta mbajë nën mbikëqyrje. Garancia pasurore do të caktohet sipas gjendjes financiare të personit dhe kur ka rrezik për provat, liria nuk do të blihet me para”, tha Gogu.

Ora 11:27
Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Rama: T’i japim më shumë ekuilibër peshores së drejtësisë, pushteti gjyqësor të mos bëjë ligjin mbi drejtësinë (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama tha se paketa e re e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale synon t’i japë më shumë ekuilibër sistemit të drejtësisë dhe të forcojë prezumimin e pafajësisë.

“10 vjet më parë i dorëzuam gjyqësorit shpatën e ndëshkimit, që për 100 vjet kishte qëndruar në dorën e pushtetit politik. Sot duam të bëjmë një hap tjetër, më modest në përmasa. Duam t’i japim më shumë ekuilibër peshores së drejtësisë, në mënyrë që pushteti gjyqësor të mos bëjë ligjin mbi drejtësinë, por drejtësia të jetë fuqia e barazisë së ligjit para të gjithëve. Ky është thelbi i paketës së re që prezantojmë sot. Pas miratimit të Kodit të Procedurës Penale në 1995 dhe ndryshimeve të reformës në drejtësi, kjo është ndërhyrja e parë që trajton në mënyrë të plotë prezumimin e pafajësisë në procesin penal", tha Rama.

Ora 11:25
Rama: 62% e të burgosurve në Shqipëri janë në paraburgim, mbi dyfishin e mesatares europiane! Edhe në Rusi, 'atdheun e represionit' janë vetëm 30% (VIDEO)

Shqipëria ka nivelin më të lartë të paraburgimit në Europë, deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të draftit për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Duke iu referuar të dhënave të Këshillit të Europës për 31 janarin 2025, Rama tha se 62% e personave në burgjet shqiptare ishin të paraburgosur, më shumë se dyfishi i mesatares europiane prej 26%.

Ai solli si krahasim edhe Rusinë, të cilën e cilësoi “atdheun e represionit”, ku sipas tij të paraburgosurit përbëjnë 30% të popullsisë së burgjeve, më pak se gjysma e nivelit të Shqipërisë.

Ai u kërkoi prokurorëve dhe gjyqtarëve që kjo sfidë e përbashkët të adresohet pasi shifra të tilla janë të papranueshme për një vend që synon të jetë pjesë e BE.

“Në Shqipëri, peshorja e drejtësisë anon shumë dukshëm nga pesha represive e shtetit. Edhe sot, po të pyesësh një model të inteligjencës artificiale se cili vend mban barrën më të rëndë të paraburgimit ndër sistemet e të gjithë kontinentit europian, përgjigjja vjen shumë e hidhur: Albania. Raporti më i fundit i Këshillit të Europës për gjendjen më 31 janar 2025 tregon se 62% e njerëzve në burgjet shqiptare janë të paraburgosur. Pra, mbahen në burg për atë që akuzohen, jo për ndonjë dënim që kanë marrë. Mesatarja europiane e të paraburgosurve në po atë datë ishte 26%, ose, ndryshe, Shqipëria ishte më shumë se dy herë më keq krahasuar me mbarë Europën.

Në Greqi 24.8%, në Serbi 21.5%, në Maqedoninë e Veriut 14.3%, në Rumani 12.4% dhe në Bullgari 7%. Pra, ky nuk është ndonjë mallkim rajonal, as ndonjë rekord i pashmangshëm ballkanik. Është një problem shumë i rëndë shqiptar, të cilin duhet ta adresojë në letër, pa humbur kohë, Kuvendi i Shqipërisë dhe duhet ta pranojmë si sfidë të përbashkët për ta fituar, gjyqësori dhe ekzekutivi.

Ne, duke siguruar mbështetjen financiare dhe logjistike për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të punës së gjyqësorit, dhe magjistratët, duke iu përkushtuar zbatimit të kësaj pakete garancish si një mision dinjiteti kombëtar.

Si mund ta pranojmë ne faktin që krahasimi me Rusinë të jetë edhe më tronditës? Atje, në atdheun e represionit, ku paraburgimi vendoset rëndom me një telefonatë, të paraburgosurit janë 30% e popullsisë së përgjithshme të burgjeve. 30%! Pra, as sa gjysma e Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Të nderuar prokurorë dhe gjykatës, ju lutem, nuk mund të vazhdojmë me shifra të tilla, pas të cilave ka jetë njerëzish, drama familjesh, trauma fëmijësh dhe pasoja nganjëherë të pariparueshme, jo vetëm për ata që i vuajnë, por edhe për shoqërinë.

Jemi një vend shumë i vogël dhe një popull që vjen nga histori shumë traumatike për t’ia bërë vetes, me duart tona, dëmin kolosal të një politike të tillë penale”, tha Rama.

Ora 11:18
Reforma në drejtësi, Rama: Në 10 vite, shembëm kultin 100-vjeçar të pandëshkueshmërisë! Kemi parë edhe dështime (VIDEO)

 

Në prezantimin e ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, kryeministri Edi Rama bëri një bilanc të 10 viteve të reformës në drejtësi, duke deklaruar se ajo ka sjellë rezultate që më parë as imagjinoheshin. Sipas tij me reformën në drejtësi u shemb kulti 100-vjeçar i pandëshkueshmërisë. Rama tha se gjatë kësaj dekade janë shfaqur edhe dështime dhe deformime, të cilat siç tha nuk mund të fshihen pas rezultateve të reformës.

“Në 2016, Kuvendi ktheu në akt aspiratën më të guximshme të programit tonë për një Rilindje Shqiptare. Ndryshuam Kushtetutën dhe ligjëruam çlirimin e drejtësisë nga pushteti politik, pas një varësie që kishte zgjatur qysh nga dita e themelit të shtetit shqiptar.

Reforma në drejtësi ngriti një arkitekturë krejt të re, krijoi institucione të reja të vetëqeverisjes së gjyqësorit, struktura për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, sistem pagash më të larta se maja e piramidës shtetërore dhe një proces vetingu.

Sot, pas 10 vitesh, kemi parë, dëgjuar dhe mësuar shumë. Kemi parë forcën e reformës, por edhe dobësitë që dolën. Kemi parë rezultate që dikur dukeshin jo vetëm të pamundura, por as nuk imagjinoheshin, por kemi parë edhe dështime dhe deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve.

Barra e kthesës së madhe përmes reformës ia ka vlejtur të gjithë qiranë. Një fjali i përmbledh të mirat e kësaj reforme, sa brutale dhe dobrurëse: në 10 vjet shembëm kultin 100-vjeçar të pandëshkueshmërisë”, tha Rama.