Apeli lë në fuqi vendimin për kufizimin e komenteve të Trump për çështjen civile në gjykatën e Nju Jorkut

Apeli lë në fuqi vendimin për kufizimin e komenteve të Trump për çështjen civile në gjykatën e Nju Jorkut

Donald Trump

Një gjykatë apeli në shtetin e Nju Jorkut la të enjten në fuqi një urdhër që e ndalon ish-Presidentin Donald Trump dhe avokatët e tij që të bëjnë deklarata publike për punonjësit e gjykatës në një çështje civile ku ai akuzohet për mashtrime financiare, thuhet në dokumentet e gjykatës.

Më 3 tetor, gjykatësi Arthur Engoron vendosi kufizimin e deklaratave publike nga ish-presidenti pasi zoti Trump akuzoi një pjesëtarë të ekipit të gjykatësit Engoron për njëanshmëri politike përmes një postimi në platformën e tij “Truth Social”. Gjykatësi Engoron tha se akuzat në rrjetin social nxitën qindra kërcënime ndaj gjykatës nga mbështetësit e zotit Trump. Më 16 nëntor një gjyqtar i gjykatës së apelit e pezulloi përkohësisht urdhrin.

Zoti Donalt Trump, kandidati kryesor republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, akuzohet për fryrjen e vlerës së pasurive të tij me miliarda dollarë për të siguruar kredi të leverdishme bankare. Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut ka ngritur padi ndaj tij për mashtrime financiare. Ish-Presidenti Trump i ka hedhur poshtë akuzat ndërsa e ka akuzuar për njëanshmëri politike Prokuroren e Përgjithshme të Nju Jorkut, e zgjedhur në post si kandidate demokrate.

Urdhri për kufizimin e deklaratave publike u pezullua përkohësisht ndërsa avokatët e zotit Trump e apeluan vendimin me argumentet se shkelte të drejtën e tij të shprehjes që mbrohet nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara. Gjykatësi Engoron tha se gjykata kishte marrë qindra telefonata dhe letra kërcënuese pas akuzave të zotit Trump në rrjetin social.

Ai e ka gjobitur zotin Trump 15000 dollarë për dy shkelje të vendimit për kufizimin e komenteve dhe e ka paralajmëruar atë se shkelje të tjera do të rezultonin në dënime më të rrepta, përfshirë burgimin. Vendimi për kufizimin e komenteve ka të bëjë vetëm me ekipin e gjykatësit Engoron.

Ndërkohë, zoti Trump përballet me një urdhër të ngjashëm për kufizimin e komenteve për një çështje tjetër të ngritur ndaj tij lidhur me akuzat për përpjekje për ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Kryeprokurorja e Nju Jorkut e ka akuzuar zotin Trump, dy djemtë e tij të rritur dhe 10 nga bizneset e tij se kanë manipuluar vlerën e pronave për të mashtruar bankat dhe kompanitë e siguracioneve për të siguruar kredi dhe mbulime të leverdishme. Gjyqi ka të bëjë kryesisht me dëmet, sepse gjykatësi Engoron tashmë ka zbuluar se deklaratat financiare të zotit Trump ishin të rreme.

Kryeprokurorja James kërkon një gjobë prej 250 milionë dollarësh dhe që zotit Trump t’i ndalohet veprimtaria në biznesin e pasurive të paluajtshme në Nju Jork. Zoti Trump përballet me katër padi federale dhe shtetërore të ndryshme, përfshirë dy çështje ku ai akuzohet për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ai ka thënë se është i pafajshëm në të gjitha çështjet.

Asnjëra nga çështjet nuk e ka dëmtuar epërsinë e tij të lartë në garën për të marrë emërimin e Partisë Republikane për të sfiduar presidentin demokrat Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit të ardhshëm./VOA

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen