TIRANE – Ish-koordinatori i grevës së urisë së ish-të burgosurve politik, Asllan Patrioti ka lënë sot qelinë e burgut, pasi Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur ndaj tij masën “Arrest shtëpie”. Patrioti, i cili akuzohet për mitmarrje, apeloi dje vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila kishte dhënë ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg.

Ish-koordinatori i grevës së urisë së ish-të përndjekurve politik, u arrestua më 17 tetor, pak ditë para përfundimit të grevës. Ndërsa tre ditë më pas, në 20 tetor, Gjykata e Tiranës dha ndaj tij masën e sigurisë nën akuzën se ka mashtruar një shtetas italian duke i marrë atij para.

Arrestimi i Asllan Patriotit, por edhe rrjedha e çështjes është cilësuar nga të afërm të tij, por edhe nga kreu i shoqatës së ish-të përndjekurve politik, Skënder Tufa, si një veprimi i ndikuar nga politika.

Asllan Patrioti, sëbashku me Sëkndër Tufën ishin bashkëkoordinator të grevës së urisë së ish-të burgosurve politik, të vendosur në çadra në ambient të hapur te “Komuna e Parisit” në Tiranë në shenjë proteste ndaj mosmpërmbushjes të kerkesave të tyre nga ana e qeverisë. Kryesorja e kërkesa të tyre ishte dëmshpërblimi për vitet e burgut që kishin bërë në kohën e regjimit komunist.

Patrioti, për shkak të masës së sigurisë nga Shkalla e Parë, dje nuk mundi të ishte në homazhet për mikun e tij Lirak Bejko, ish-i përndjekuri i cili ndërroi jetë më 2 nëntor në spitalin e Barit në Itali, pas plagëve të marra nga vetëdjegia. Bejko i vuri flakën vetes në tentativë për tu vetëflijuar në ditën e 19 të grevës së urisë, ndërsa u transportua drejt Italisë për trajtim më të specializuar me ndërmjetësimin e Partisë Socialiste.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)