Apeli mbyll në qeli Shullazin e
Danin, kanë rrezik arratisjeje

Apeli i Krimeve të Rënda nuk ka ndryshuar asgjë nga vendimi i dy javëve më parë të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, që caktonte masën e “arrestit në burg” për Emiljano Shullazin, kushëririn e tij Blerim Shullazi dhe shokun e tij Gilmando Danin. Të tre të ndaluarit kanë dalë nga salla e gjyqit kokulur, duke mos reaguar aspak lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila la dje në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. 

Avokatët mbrojtës të tre të ndaluarve kanë parashtruar para gjykatës një sërë argumentash, duke pretenduar se prokuroria nuk ka asnjë provë, por nga ana tjetër gjyqtarët kanë marrë në konsideratë qëndrimin e prokurorëve të Apelit, duke caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për tre të ndaluarit të cilët akuzohen për një sërë veprash penale si “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Grup i strukturuar kriminal”,”Armë mbajtje pa lejë” dhe “Trafik droge”.

Për Prokurorinë e Apelit, dyshimet janë të forta dhe po kryhen veprime të mëtejshme hetimore, ndërkohë që sipas prokurorëve ekzsiton rreziku i ikjes i të ndaluarve. Me argumentin të jenë të disponueshëm për hetimet që po kryhen, si dhe të rrezikshmërisë së veprave dhe rrezikut të ikjes, u kërkua që të liheshin në burg Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi dhe Gilmando Dani.

Dyshimet dhe provat
I pari që doli para gjyqtarit, ishte Emiljano Shullazi i cili përveç gjeneraliteteve nuk preferoi të flasë për akuzat e prokurorisë. Nga ana tjetër, avokatët, kërkuan nga Gjykata të lirojë nga burgu Shullazin në mungesë të provave. Por kërkesa e avokatëve, u kundërshtua nga prokurori çështjes, i cili krahas informacioneve të Shërbimit Informativ Shtetëror për vendosjen e gjobave ndaj 4 biznesmenevë të ndryshëm, i treguan gjykatës edhe për një kallëzim penal të një shtetaseje, për vjedhjen e pronës së saj. Krahas këtyre akuzave, prokuroria tha se është Shullazi dhe “banda” e tij që ka kërcënuar edhe dy profesorët Dhori Kule e Mynyr Koni.

Të njëjtin qëndrim prokurori mbajti edhe për të dyshuarit Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi, duke i kërkuar gjykatës të lërë në fuqi vendimin e “arrestit me burg”. Edhe këta të dyshuar mësohet se nuk pranuan të flasin për akuzat, duke pretenduar se janë të pafajshëm. Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe avokatët,të cilët kërkuan lirimin e dy të dyshuarve nga burgu, me pretendimin se prokuroria nuk ka prova që implikon klientët e tyre në këto ngjarje.Sipas prokurorisë, Shullazi në bashkëpunim me bandën e tij dyshohet se ka kryer 6 vepra penale në më shumë se 15 raste të përsëritura. Ata dyshohet se u kanë vendosur gjoba 4 biznesmenëve të njohur duke përfituar prej tyre shuma të mëdha parash. Në rastet e mos vjeljes së gjobave, ata dyshohets e vendosnin eksploziv për t’I trembur. Po me metodën e kërcënimit dhe dhunës ai ka përfituar ish-hotel Vollgën në Durrës, e cila tashmë u sekuestrua dhe po tentonte të privatizonte ish-parkun e sporteve në Durrës.
***

Beqja: I dhurova pronën Shullazit, më mbrojti jetën
Ylvi Beqja, administrator i kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company” ka pranuar në një intervistë për “Shqiptarja.com” se i kishte dhurur një pjesë të pasurisë Emiljano Shullazit.Emri i tij, ka dalë sapo është arrestuar Emiljano Shullazi, duke u paraqitur nga disa media si viktimë e kërcënimeve të të shumëpërfolurit Shullazi. I veshur me një kostum blu, Ylviu qëndron i qetë dhe buzagaz teksa na takon në prani edhe të avokatit të tij.

Nuk duket aspak i kërcënuar dhe nuk qëndron aspak i fshehur. Ndërkohë që shprehet se është i hapur të bëjë transparencën me publikun e gjerë, kjo pasi sipas tij, ai është përfolur se i ka dhuruar pronën Emiljano Shullazit, të cilit i ka dorëzuar një sipërfaqe prej 749 metra katrorë tek ish-hotel Vollga në Durrës. “…Ja kam dhuruar me dëshirë, se më ka mbrojtur. Ka qënë një marrëveshje dhe besë burri, të cilën unë ja kam ofruar…”-thotë Ylvi Beqja i cili përfaqëson në këtë kompani interesat e pronarit të firmës, sheikut Abdulaziz Al Noëaiser, i cili njëherësh është dhe konsull nderi i Shqipërisë. Biznesmeni Beqja shton se nuk ka marrë asnjë kërcënim nga Emiljano Shullazi, kjo pasi me këtë të fundit ka njohje që prej vitit 1993, pasi prej 14 vitesh e ka patur komshi, duke banuar në të njëjtën lagje, tek rruga “Kongresi i Lushnjës” Tiranë.

Për shkak të këtij afrimiteti ai e konsideron mik dhe jo armik. “…Nuk ka ardhur Shullazi tek unë por kam shkuar unë tek Shullazi, kjo pasi më kanë kërcënuar me jetën time, gruas dhe fëmijët e mi, me qëllimin e vetëm që të tërhiqesha e të mos merrja pronën e ish-hotel Vollga. Këto kërcënime mafioze kanë ardhur nga Zamir Hasa, djali i tezes së tij Artan Asllani, i cili më prezentohej si Dritan Dajti në telefon, duke më kërcënuar në forma më të egërsueshme. Këto kërcënime kanë qënë dhe një lobim tjetër që ka përkrahje politike dhe mediatike në vend. Për këto kërcënime ndaj meje, Asllani është dënuar me 400 mijë lek gjobë nga gjykata e Tiranës…”-thotë Ylvi Beqja. “…Do të vrasim fëmijët, zorët e fëmijëve kemi për t’i varur në qafë…,-këto kanë qënë kërcënimet dhe sigurisht që do shkoja tek komshiu im Emiljano Shullazi”-thotë Ylviu. 

Redaksia online
l.q/Shqiptarja.com

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave