Prek Molla, një prej zërave më të fuqishëm mes banorëve në Rrjoll të Velipojës, ku biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj po ndërton resortin “Blue Borgo”, është shprehur se nuk do të tërhiqen nga protestat për mbrojtjen e pronave të tyre.
Komentet Molla i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, ku tha se protestës së tyre u janë bashkuar qytetarë edhe nga treva të tjera të Shqipërisë.
“Jo, nuk ka tërheqje dhe nuk do të ketë deri në momentin që prona të shkojë te i zoti. Faktikisht ata nuk po ndërtojnë, por po rrethojnë. Sepse në momentin që ata po bëjnë beton si të ishte një burg, por me ndihmën e të gjithë banorëve dhe të gjithë njerëzve, ai burg do të rrëzohet. Ne nuk do i ndalim protestat. Çdo ditë e më shumë po na bashkohen njerëz. Le që po vijnë emigrantët, por po na bashkohen edhe nga Mallakastra dhe nga Vlora, si dhe nga qytete të tjera të Shqipëris. I falënderoj të gjithë”, tha Molla.
Sot Gjykata Administrative njohu familjen Malaj si pronare të një sipërfaqe toke në kufitare me zonën ku po ndërton Bashkim Ulaj. Megjithatë, duke qenë se beteja është fituar për 2.1 hektarë, banorët pretendojnë se Fatmir Shpellza, i cili pretendon se zotëron tokën ku Ulaj po ndërton, ka falsifikuar dokumentet për marrjen e saj në pronësi. Nga ana tjetër, avokati i banorëve të Rrjollit, Ndue Pjetra, teksa e cilësoi Bashkim Ulajn një grabitqar pronash, tha se pas vendimit të sotëm të Apelit do i drejtoheshin sërish Gjykatës Administrative për të kërkuar pezullimin e punimeve për ndërtimin e resortit.
Kjo pasi sipas avokatit, biznesmeni Ulaj po u rrëmben pronat banorëve të zonës, të cilët janë edhe pronarët realë të tokës ku po ndërtohet resorti.
“Pas këtij vendimi të marrë sot për familjen Malaj, ne do i drejtohemi edhe njëherë Gjykatës Administrative për të kërkuar pezullimin pasi vërtetohet që këta janë pronarë të këtyre tokave. Brenda 5 ditëve nga dita e nesërme, gjykata duhet të shprehet. Ky popull nuk ka pasur ndonjëherë ndihmë as nga e majta dhe as nga e djathta dhe nuk kanë pse të pretendojnë ndihmën e tyre. U bëj thirrje qytetarëve që të jenë prezent në protesta, sepse nesër do ta pësojnë të gjithë. Këta janë grabitqarë, jo vetëm Bashkim Ulaj, por edhe të tjerët”, tha Pjetra.
Nga ana tjetër, Prek Molla tha se janë takuar më parë me Bashkim Ulajn dhe deputetë të Partisë Demokratike, që sipas tij i kishin dalë garant për mbrojtjen e pronës, por që sipas Mollës, gjithçka ishte mashtrim.
Teksa nuk ia përmendi emrin, Molla tha se një deputet i PD-së nga Tropoja u kishte thënë banorëve të Rrjollit se ‘nëse keni folur me Ulajn, zëre se keni folur edhe me mua’, por më pas sipas tij, deputeti në fjalë ‘u zhduk’ dhe nuk hap më telefonin.
“Ne fillimisht kemi qenë të ftuarit e Ulajt që të ulemi në atë tryezë, ku kemi gjetur edhe deputetë të PD-së që na kanë thënë se ‘nëse do të flasësh me Bashkim Ulajn, zëre se ke folur edhe me mua. E di ai zotëria, është një nga Tropoja i PD-së. Atë e kemi kontaktuar muajt e fundit dhe i kemi kërkuar ndihmë që të ulemi dhe të bisedojmë. Tani na ka mbyllur edhe telefonin dhe na thotë i keni rënë gabim, nuk jam unë për këtë punë. Ai është stepur dhe ka bërë një ndryshim në komunikimin me ne”, tha mes të tjerash Molla.
Komente












