Pas uljes së perdes së Kuvendit të “Rithemelimit” ka një entuziasëm të pakuptimtë ndërmjet berishistëve që duke qenë në jerm dhe jo me këmbë në tokë besojnë se kanë pushtuar politikën e të djathtës konservatore. Me Sali Berishën prijësues grigja që e nisi “rithemelimin” e PD-së me “foltoret” dhe e mbylli me Kuvendin e zgjedhjen e 150 anëtarëve të Këshillit Kombëtar paralel, jo vetëm e quan këtë një “arritje historike”, por përpiqet ti mbush mëndjen vetes së në zgjedhjet më të para do të përmbysë nga pushteti Edi Ramën.
“Vetëm Saliu e shporr Edi Rama nga qeverisja. S’ka të dytë veç Berishës. As Luli, as Enkelejdi…Të gjithë janë të shitur tek Edi Rama, kanë bërë marrëveshje të heshtur dhe përfitojnë…”. Janë frazat më të përmendura në ambientet publike të frekuentuara nga foltoristët, ku ende vijon jehona entuziaste e Kuvendit, që, ndërsa ka rikthyer në qiellin e politikës së pushtimit me forcë profesorin e kësaj rrugë, pra Sali Berishën, e dalë jashtë ndëshkimit ligjor prej tre dekadash, nuk ka llogaritur se ka një element që mund ta shembë gjithë këtë mur entuziami foltoristësh me vetëm një lëvizje. Me heqjen e tullës së fundit.
Një element ky i njëjtë me atë që stimuloi sipërmarrjen berishiste të foltoreve, që e bëri pensionistin Berisha të hedh tej jorganin e apatisë moshore dhe të vihet në krye të aksionit për çlirimin e PD-së historike nga Lulzim Basha, i vendosur me bekimin e tij, asgjesimin e PD-së ligjore dhe “rithemelimin” e Partisë, fillimisht antiligjore, por të ligjëruar nga një vendim gjykate i komentuar prej juristëve si antiligjor por që duhet respektuar deri në rishqyrtimin e çështjes nga Gjykata superior e Apelit.
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të kryeqytetit është akti që ligjëroi gjithë këtë katrahurë: aksionin “rithemelues” të Sali Berishës dhe zhvillimet e mëpasme, që nga foltoret deri tek mbajtja e Kuvendit të Parë të Rithemelimit, të cilat nëse nuk do të ishte ky vendim në favor do të përbënin shkelje të rendë të ligjit dhe rendit publik. Duke sjellë pasoja ndëshkimi për sipërmarrësit e prijësuar nga Berisha.
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë e motivoi dhe e mbrojti ligjërisht recidivistin Berisha dhe çetën e tij në ndërmarrjen e tyre anarkiste, por jo pa afat. Ky vendim është i përcaktuar dhe i vlefshëm brenda një caku kohor, që nis nga dhenia e tij prej gjyqtarit Agron Zhukri deri në shqyrtimin prej Gjykatës së Apelit, vendimi i të cilës do të përcaktojë edhe fatin e arritjeve të gjeratëhershme të lëvizjes foltoriste, madje dhe të vetë Berishës së shpallur “non grata” e që gjithsa po e gatuan për ta përdorur si mburojë për interesin e vet e familjes së shpallur të padëshiruar nga SHBA-të.
Një vendim i Apelit në favor të PD-së së “Rithemeluar” e heq kufizimin kohor, e legjitimon përfundimisht aksionin që përmbledh që nga foltoret e mbajtura pa leje, deri tek përdorimi i qysqive e vareve për pushtimin me dhunë të godinës së PD-së legjitime. Por edhe mbajtjen jo statuore të Kuvendit që zgjodhi Këshillin Kombëtar paralel etj., lëvizje që mund të ndërmerren në emër të “Rithemilimit” deri në vendimarrjen e Apelit.
Megjithatë sado në favor të PD-së së “Rithmeluar” të jetë vendimi i Apelit një gjë ai nuk mund ta tjetërsojë. Nuk mund t’a çlirojë vetë udhëheqësin Sali Berisha dhe familjen e tij nga qënia “non grata” për SHBA. Ata do të vijojnë të mbeten të tillë, duke mbartur gjithë pasojat e rrjedhura prej veshjes së këtij qyrku amerikan, sikurse fat të njejtë do të ketë edhe PD-ja e “Rithemeluar”, dhe e dënuar të mos marrë kurrë pushtet.
Nga ana tjetër, një vendim i Gjykatës së Apelit që do të rrëzoj atë të gjyqtarit të Shkallës së Parë, Agron Zhukri, duke u shprehur në favor të PD-së ligjore, do të sjellë si pasojë shëmbjen e gjithë kësaj godine të projektuar e ngritur nga arkitekti “non grata” Sali Berisha, njësoj siç ndodh me një mur të cilit i hiqen tullat e fundit.