Fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Washington dhe apeli i tij për gjyqin në Hagë ndaj ish-liderëve të UÇK-së ishte një lëvizje e paprecedentë dhe me peshë në arenën ndërkombëtare sipas analistit dhe gazetarit Aleksandër Cipa.
Gjatë një interviste me emisionin ‘Studio Live’ në Report TV, Çipa tha me pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, Shqipëria konfirmon afinitetin strategjik me SHBA-të
Ai vlerësoi mënyrën se si Edi Rama dhe Vjosa Osmani, u pozicionuan në takimin inaugurues të Bordit të Paqes, duke e cilësuar si një komplementaritet politik dhe diplomatik në funksion të interesave kombëtare.
“Shqipëria konfirmon edhe njëherë atë afinitet gjeopolitik dhe strategjik që ka me SHBA-të, në përputhje me interesin kombëtar. Mbledhja e parë e Bordit të Paqes, përcaktoi në arenën ndërkombëtare prezencën e dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës. Mënyra se si u qasën, kryeministri Rama dhe Presidentja Osmani meritojnë të vlerësohen sepse evidentuan për herë të parë, komplementaritetin politik dhe diplomatik të dy shteteve në funksion të interesave kombëtare.
Çipa tha se përmendja e procesit gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Bordin e Paqes i dha jehonë globale një çështjeje që, sipas tij, nuk kishte pasur kurrë më parë një ekspozim të tillë.
"Në atë pjesë të fjalimit të Ramës ku iu referua procesit gjyqësor të ish krerëve të UÇK në Hagë dhe mënyra se si reagoi Vjosa Osmani kur presidenti rikonfirmoi mbështetjen eksplicite të SHBA-ve në raportin mes Kosovës dhe Serbisë. Kurrë ndonjëherë nuk është bërë jehonë ndërkombëtare për një proces të tillë në këto dimensione.” tha Çipa.
Sipas Cipës, zëri i faktorëve politikë shqiptarë në arenën ndërkombëtare i ka dhënë sistemit të drejtësisë në Hagë “një goditje shumë të rëndësishme morale në planin e PR-it”. Çipa u shpreh se rritja e presionit publik dhe solidariteti i opinionit ndërkombëtar janë faktorë që, sipas tij, duhet ta shtyjnë drejtësinë drejt reflektimit.
Opozita ka një problem që nuk zgjidhet me deklarata politike. Sipas analistit Aleksandër Cipa, thelbi i krizës është brenda vetë saj.
Duke folur në Report TV për situatën në Partinë Demokratike, Cipa tha se opozita vuan nga mungesa e reformimit të brendshëm dhe nga një strukturë e fragmentizuar që është krijuar gjatë tre viteve të fundit. Sipas tij, kjo përçarje e ka dobësuar ndjeshëm forcën politike përballë mazhorancës.
Ai u ndal edhe te roli i Sali Berishës, për të cilin tha se nuk ka as shanse ta fitojë betejën politike. Sipas Cipës, marrëdhënia e ngrirë personale e Berishës me SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar po kthehet në një ngërç serioz për opozitën dhe po pengon diplomacinë partiake të PD-së.
Në thelb, sipas tij, pa një ristrukturim të brendshëm dhe pa zgjidhur krizën e lidershipit, opozita do ta ketë të vështirë të dalë nga kjo situatë tha ai.
"Problemi themelor i opozitës ka të bëjë me reformimin e brendshëm të saj, me strukturën e fragmentizuar të saj që u bë në 3 vitet e fundit. Berisha jo vetëm që nuk po e fiton këtë betejë dhe sipas gjasave nuk ka shanse ta fitojë por po e konverton marrëdhënien perosnale të ngrirë me SHBA dhe Britaninë e madhe, në një ngërç dhe pengim të konsiderueshëm të opozitës dhe diplomacinë partiake të PD-së" tha ai në Report TV .
Komente










