Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, kërkon që SPAK të shkojë përtej personave të përfshirë deri tani në dosjen e AKSHI-t dhe çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke thirrur edhe kryeministrin Edi Rama.

E ftuar në emisionin "Sot Live në Shqipëri" në Report TV, Xhixho tha se çështja e Hysenit tregon, sipas saj, se siguria kombëtare është lënë "në dorë të krimit të organizuar". Ajo i lidhi akuzat e saj ndaj ish-kreut të SHISH dhe Ergys Agasit drejtpërdrejt me kryeministrin.

"Siguria kombëtare u la në dorë të krimit të organizuar. Gysi dhe Vlora janë patronazhistë dhe nën urdhrat e Edi Ramës, që është në krye të aferave. Këto dosje u çuan përpara nga SPAK. SPAK të thërrasë Edi Ramën", tha Xhixho.

Deputetja e PL-së akuzoi gjithashtu SPAK-un për standarde të dyfishta, duke sjellë në vëmendje rastin e Belinda Ballukut dhe duke e krahasuar trajtimin e saj me masat e marra më parë ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës.

"Ka standarde të dyfishta. Si mundet Belinda Balluku, që ka 13 akuza, dhe ende nuk ka ardhur në Parlament kërkesa e SPAK për arrestimin e saj? Është e vonuar për mua. Berishën e mbajtën një vit në arrest shtëpie, Ilir Meta u rrëmbye në mënyrë kriminale", deklaroi ajo.

Sipas Xhixhos, zhvillimet e fundit nuk janë raste të shkëputura, por tregojnë atë që ajo e konsideron një lidhje mes politikës dhe krimit të organizuar.

"Ky është sistem i kalbur, ku krimi i organizuar bashkëpunon me politikën për të mbajtur Edi Ramën në pushtet", tha deputetja e PL-së.

Xhixho e lidhi situatën edhe me procesin e integrimit europian, duke pretenduar se në Shqipëri nuk zhvillohen zgjedhje të lira dhe duke përsëritur kërkesën e opozitës për krijimin e një qeverie teknike.

"Shteti ka rënë. Nuk bëhen zgjedhje të lira, që janë themelore për BE-në. Duhet një qeveri teknike që të avancojë axhendën europiane dhe të shkëpusë lidhjet qeveri-krim", përfundoi Xhixho.