Apeli: Prendi e Llupo
qëlluan në ajë

Apeli: Prendi e Llupo<br />qëlluan në ajë
Gjykata e Apelit në Tiranë ka vlerësuar se dy protestues të demonstratës së 21 janarit janë vrarë nga gardistë, por emrat e tyre nuk dihen. Nga zbardhja e vendimit të saj rezulton se nuk kanë autorë dy vrasje dhe shtatë plagosje të tjera. Madje, në arsyetimin e vet, Gjykata e Apelit shprehet se jeta, jo gjithmonë mbrohet me ligj. Ndërkohë, togat e zeza kanë përmendur citate të ligjit të Gardës, ku legjitimohet hapja e zjarrit në raste rrezikshmërie, duke i cilësuar vrasjet nga pakujdesia, pasi sipas tyre, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo kanë qëlluar në ajër. Gjykata shkon më tej kur thotë se asnjë nga viktimat nuk po tentonte të hynte në Kryeministri, ndaj vrasja e tyre nuk mund të ishte me dashje. “Nuk është provuar se i pandehuri Ndrea Prendi ka dashur të vrasë pikërisht viktimën Faik Myrtaj, ndërkohë që nuk kishte asnjë njohje dhe ndonjë motiv për këtë. Kjo, ndër të tjera edhe për faktin se viktima Faik Myrtaj nuk ka qenë pjesë aktive e sulmit, gjë që do mund të shërbente, eventualisht, si motiv për të qëlluar drejtpërdrejt,” thekson gjykata. Madje sipas tyre: “Vetëm një person i papërgjegjshëm nga ana mendore, pra i papërgjegjshëm përpara ligjit, mund të kryejë vrasje me dashje direkt pa pasur asnjë motiv”. Pra sipas trupit gjykues gardistët nuk kishin si të vrisnin Faik Myrtajn dhe Ziver Veizin, duke qenë se ata nuk ishin protestues aktivë.

Viktimat ishin pasivë
Në vlerësimet e saj treshja gjykuese shprehet në pikën 76 se viktimat Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Aleksa Nika nuk kanë qenë pjesë aktive e sulmit që protestues të tjerë po bënin drejt kryeministrisë, por nuk jep asnjë arsye apo motiv që ka shtyrë Prendin dhe Llupon të qëllojnë protestuesit e pafajshëm. Ata kanë qenë pasivë, të paarmatosur, jashtë rrethimit të Kryeministrisë, relativisht jo afër ORV-së, duke mos kryer asnjë akt force apo dhune. Gjykata e Apelit konsideron gjithashtu të bazuar në ligj qëndrimin e gjykatës së shkallës së parë, sa i takon akuzës për të provuar motivet kur pretendohet se vrasja është kryer me dashje direkte. Në këto kushte, gjykata pretendon se nuk kishte motiv për një vrasje me dashje.

Pakujdesia e Gardës
Gjithashtu, në argumentimin e saj, gjykata thotë se Garda ka qëlluar në ajër dhe jo drejtpërdrejt. Sipas saj, kjo provohet jo vetëm nga dëshmitë e dëshmitarëve në seancë gjyqësore, por edhe nga fakti se, po të ishte qëlluar drejtpërdrejt, referuar edhe numrit të madh të gëzhojave të gjetura e sekuestruara në vendngjarje, mbi 500 të tilla, gjë që tregon se është qitur një numër i madh predhash, do të kishte shumë pasoja fatale tek protestuesit që kishin depërtuar në brendësi të territorit të Kryeministrisë. Po kështu, as snajperët, të vendosur në lartësi të godinës së Kryeministrisë, nuk kanë qëlluar mbi protestuesit. Lidhur me gjurmët e kalimit të predhave në kangjellat e rrethimit të Kryeministrisë, për të cilat prokuroria pretendon se tregojnë se drejtimi i qitjes nuk ka qenë në çdo rast në ajër, nuk u provua që këto gjurmë të jenë lënë nga kalimi i predhave të qitura nga të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo.
Komandanti i Gardës
Ndrea Prendi, në cilësinë e komandantit të Gardës, është provuar se ka qëlluar 11 predha, nga të cilat, veç predhës që i ka shkaktuar vdekjen të ndjerit Faik Myrtaj, janë gjetur edhe katër të tjera, në lartësi që përputhen me deklarimet e dëshmitarëve për qitje në ajër, si dhe me vetë pretendimin e të pandehurit. Distanca e qitjes ndërmjet të pandehurit Ndrea Prendi dhe viktimës Faik Myrtaj nuk është përcaktuar saktësisht, por ka qenë relativisht jo e vogël, pasi, ndërsa i pandehuri ishte në brendësi të territorit të Kryeministrisë, viktima ishte 5-6 metra nga trotuari i Gjykatës Kushtetuese. Duke mbajtur parasysh këtë fakt, si dhe atë se i pandehuri Ndrea Prendi ka qëlluar me pistoletë, por edhe rrethanave të tjera, siç është ana subjektive e të pandehurit, të përshkruara në këtë vendim, nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se trajektorja e predhës së qitur nga i pandehuri Ndrea Prendi ka qenë e drejtpërdrejtë me viktimën Faik Myrtaj, pavarësisht pamundësisë për të përcaktuar trajektoren e saktë apo të faktorëve që mund të kenë ndikuar në këtë trajektore. Gjithashtu nuk është provuar se pse i pandehuri Ndrea Prendi ka dashur të vrasë pikërisht viktimën Faik Myrtaj, ndërkohë që nuk kishte asnjë njohje dhe as ndonjë motiv për këtë gjë. Kjo, ndër të tjera, edhe për faktin se viktima Faik Myrtaj nuk ishte as pjesë aktive e sulmit, gjë që do të mund të shërbente, eventualisht, si motiv për të qëlluar drejtpërdrejtë. Vetë akuza, në parashtrimet e saj para gjykatës së apelit, ashtu sikurse është provuar edhe gjatë gjykimit në shkallë të parë, shprehet se viktima Faik Myrtaj, në momentin që është goditur nga predha vdekjeprurëse, ndodhej 5-6 metra nga trotuari i Gjykatës Kushtetuese, në një distancë të largët nga Kryeministria.

Analiza mbi ekspertizën
Gjykata në vendimin e argumentuar në pikat 90 e deri në pikën 95 dhe pse merret me analizimin e ekspertizave të Ndoc Çardakut apo Dritan Zotot, nuk shprehet se cila prej tyre duhet pranuar. Këto ekspertiza të cilat u bënë në kohën e gjykimit për plumb rikoshet apo plumb të drejtpërdrejtë. “Lidhur me qëndrimin e ekspertëve Ndoc Çardaku dhe Dritan Zoto, palët ndahen sa i takon faktit nëse predha që ka përshkuar viktimën është qitur në mënyrë të drejtpërdrejtë apo, para kontakti me trupin e viktimës, ka hasur në një trup të ngurtë, trung peme, që i ka devijuar trajektoren, duke goditur viktimën Ziver Veizi. Eksperti Ndoc Çardaku ka shpjeguar pikërisht variantin e dytë si më të mundshmin, ndërsa eksperti Dritan Zoto ka përjashtuar këtë mundësi”. Në pikën 93 thotë se “pavarësisht mendimeve të ndryshme të ekspertëve, i kuptueshëm në raste të tilla të ndërlikuara, mendimi i tyre duhet të analizohet në harmoni me provat e tjera të ngjarjes.” Sipas Gjykatës organi i Prokurorisë nuk ka mundur të provojë vrasjet për Hekuran Dedën e Aleks Nikën, si dhe plagosjen e 7 protestuesve të tjerë, ndaj Prendi e Llupo do të dënohen me akuzën e vrasjes nga pakujdesia vetëm vrasjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit.

Shkrimi u publikua sot (20.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Diplomacia, a ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?



×

Lajmi i fundit

Kjo është shenja më manipuluese e Horoskopit

Kjo është shenja më manipuluese e Horoskopit