TIRANË-Është përcaktuar grupi i gjyqtarëve në apelin e GJKKO që do të vendosë për fatin e ish Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, pasi ky u dënua nga shkalla e parë me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga postet publike. Llalla kërkon pafajësi.
Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët Nertina Kosova, kryesuese/relatore, Saida Dollani dhe Dhimitër Lara, anëtarë. Aktualisht çështja është në momentin procedural të caktimit të datës dhe orës së gjykimit nga gjyqtarja relatore.
Adriatik Llalla u bë zyrtari më i lartë shqiptar i dënuar ndonjëherë nga një gjykatë në vend. Pas kërkesës së SPAK, GJKKO mori një vendim historik, në një seancë ku nuk munguan edhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipërisë. Ish-Prokurori i Përgjithshëm i vendit, Adriatik Llalla, u dënua me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga postet publike. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar pretencën e SPAK duke mbyllur kështu në shkallë të parë këtë çështje. Një hetim i nisur në mars të vitit 2018 ka përfunduar kështu pas 3 vitesh. Llallës i janë sekuestruar 4 sipërfaqe toke dhe një shtëpi në Durrës për llogari të shtetit. Sipas gjykatës Llalla ka blerë prona me çmim të ulët i ka rivleruar nga 4 deri në 12 herë me çmime më të larta pasi nuk kishin origjinë të ligjshme për krijimin e ketyre pasurive.