Apollon Baçe: Nuk dua t’ia di për
trafikimin e thesareve arkeologjike

Apollon Baçe: Nuk dua t’ia di për<br />trafikimin e thesareve arkeologjike
Ku po shkojnë “Koka e Apolonit”, e njohur për vite me radhë si “Dea e Butrintit”, ku po shkon “Epitafi i Gllavenicës”, ku resturatorëve u ranë duart për t’i rikthyer vlerat origjinale. Ku po shkon korpusi i pikturave ikonografike të mjeshtrit të madh shqiptar, Onufrit. Ku po shkojnë 260 thesare unikale të trashëgimisë tonë kulturore me vlera dokumentare të rralla arkeologjike. Kush kujdeset për to, kush i ruan, kush i paketon e paketon, ndërkohë që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.

Ekspozita “Rrënjët e Shqipërisë” e çelur në muajin nëntor 2012 pasi qëndroi në Muzeun Arkeologjik në Romë (Vittoriano) prej 21 Nëntorit 2012 deri më 6 Janar 2013 dhe prej 23 Janarit deri në 7 Prill 2013 në Torino e mbaroi misionin e saj. Por me mbylljen e ekspozitës në Torino më 7 Prill 2013, thesaret e trashëgimisë qëndruan disa ditë jashtë limitit të kontratës shtetërore në Itali dhe papritur me iniciativën e drejtorit të IMK-së Apollon Baçe dhe një vendim shtesë të Kryeministrit Berisha dërgohen për t’u ekspozuar në muajin prill në Prishtinë.

Nuk u ekspozuan në prill dhe nuk dihet ku janë strehuar për dy muaj rresht, ndërkohë që ekspozita çelet më 17 korrik. Pas kësaj ngjarjeje, arkeologët dhe restauruesit, si dhe anëtarët e forumit për mbrojtjen e monumenteve e kanë dhënë alarmin prej kohësh për rrezikun që i kanoset trashëgimisë. Por institucionet shtetërore nuk bëzajnë. As një përgënjeshtrim formal s’e marrin mundimin ta bëjnë, as drejtori i trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës Arbër Kadija, as drejtori i Institutit të Monumenteve. Megjithatë detyra jonë është ta dimë, sepse dëgjojmë lajme jo të mira.

Intervistat e dhëna në Shqiptarja.com na shtyjnë që ta pyesim edhe njëherë kuratorin dhe iniciatorin e kësaj ekspozite Apollon Baçen: “pse po ngrihen nga specialistët dhe arkeologët kaq shumë akuza për grabitje, falsifikim dhe shkatërrim vlerash gjatë udhëtimit të këtyre veprave. Si është gjendja e objekteve, ku janë, kur do të kthehen në Shqipëri. Mirëpo ky drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës përgjigjet me stilin e një gangsteri. “Nuk dua t’ia di fare se ç’thonë”. Dhe mbyll telefonin.

Nuk është hera e parë që ai vepron kështu me gazetarët. Madje kur gjërat kanë qenë edhe më tragjike, siç ka qenë rasti i shkatërrimit të Onufrit është përpjekur të bëjë edhe sjelljen e një çapkëni.

Sa për kujtesë kur u dërguar raporti i UNESKO-s për qytetet në listën e rrezikut, në konferencën për shtyp Baçe u shpreh se “e kanë përkthyer keq gazetarët dhe sipas tij “raporti lëvdonte IMK-në” dhe kështu nuk denjoi të jepte asnjë përgjigje konkrete sesi parandalohej rreziku dhe çfarë përgjigje i jep këtij raporti. Dhe ja në fillim të gushtit “Shqiptarja.com” përktheu raportin e radhës, atë më të fundit të UNESKO-s, fjalë për fjalë nga anglishtja.

Raporti I UNESKO-s ishte fshikullues për të gjitha instancat shtetërore shqiptare të trashëgimisë:  “Rruga e re ka shkaktuar dëme të rënda në Butrint”. Kështu thoshte raporti. “U rekomandua që në 2010-n të ndërpritej rruga. Zyrtarët shqiptarë e vijuan projektin pa raportuar asnjëherë”, edhe këtë e thoshte raporti dhe nga ky raport dalka se drejtori i IMK-së Apollon Baçe nuk i raportoka as UNESKO-s se çfarë ndodh. E kotë të presim ne të mos na mbyll telefonin? Më tej ky raporti i UNESKO-s troç fare me një anglishte shumë të qartë shkruante se “Projekti i rrugës në Butrint është bërë pa planifikim ambiental historik e arkeologjik. Kjo rrugë ka dëmtuar peizazhin historik”.

Po le të kthehemi tek ekspozita dhe intervista që e jep vetëm me një fjali për “Shqiptarja.com” drejtori i IMK-së Apollon Baçe: “Nuk dua t’ia di fare për akuzat e trafikimit!”. Kështu Opinioni shkencor dhe akademik merr automatikisht të drejtën të protestojë këtë herë për mënyrën sesi kuratori i ekspozitës, Apollon Baçe, gjithashtu drejtor i IMK-së ka dërguar për herë të parë në 100 vjet qeveri shqiptare një numër të tillë objektesh me rëndësi dhe vlerë të jashtëzakonshme që të paraqiten jashtë territorit të Shqipërisë.

Për këtë ai ka marrë edhe aprovimin e Ministria e Jashtme dhe ajo e Kulturës së Shqipërisë. Duke shpresuar të kemi fat me kthimin e gjithë veprave në atdhe, askush nuk na garanton për mosdëmtimin e tyre. Restauratori Frederik Stamati i ka bërë kërkesë drejtorit të IMKS-së që restauruesit të shoqërojnë veprat dhe të mbikëqyrin dëmet, por IMK-ja e ka refuzuar. Le të ndjekim më poshtë intervistën e Frederik Stamatit.

FREDERIK STAMATI: THESARET NE UDHETIM, NE RREZIK. IMK S'KA KULTURE KONSERVIMI
 
Zoti Stamati, ju si restaurator, sa e ndjeni përgjegjësinë e ruajtjes së veprave arkeologjike që enden në udhëtim që nga nëntori, kur u çel ekspozita për 100-vjetorin në Romë?
Unë nuk e di se ç,ka ndodhur me këto objekte, sepse nuk kam pasur mundësinë të marrë shumë informacione. Pra nuk kam mundur dot ta ndjek procesin e ekspozitës. Di që organizator dhe kurator i saj ka qenë drejtori i institutit të Monumenteve të Kulturës Apolon Baçe. Unë vetë në fillim i kam thënë Apollon Baçes se ekspozitën duhet ta shoqërojnë restauratorët dhe specialistët e konservimit, sepse objekte e restauruara janë shumë delikate. Ai s’e mori parasysh këtë dhe nuk i thashë më.

Po cilat janë rreziqet për këto vepra, nëse doni t’iu referoheni dhe intervistave të dhëna këto ditë në “Shqiptarja.com”?
Unë nuk mund të flas pa ditur se ku janë dhe se çfarë po ndodh me objektet, por di që Instituti i Monumenteve duhet të ishte shumë më përgjegjës. IMK-ja nuk e ka kulturën e mirëmbajtjes së objekteve. Kjo është një nga problemet më të mëdha të këtij instituti. Ajo që më frikëson për dëmet që mund të behen është mënyra e ambalazhimit, e cila patjetër kërkon përkujdesjen e specialistëve, të cilët nuk janë thirrur për të shoqëruar ekspozitën dhe mirëmbajtur veprat.

Për sa i përket frikës së grabitjes që është folur këto ditë në gazeta, nuk besoj sepse mendoj se kjo nuk mund të ndodh në një shet si Italia. Unë di se kjo ekspozitë i ka kushtuar shtetit tonë, dhe si restaurator do të doja që kjo shumë t’i kalonte fondeve për restaurimin dhe konservimin e veprave. 
 
Në fakt ka mes tyre objekte shumë delikate, të cilat ne i kemi restauruar me shumë vështirësi, dhe mendoj se institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që mund të ndodh. Nuk besoj të ndodh se çdo gjë do të dali në dritë. Shpresoj të mos ndodh…
 
Mendoni se ishte e nevojshme lëvizja e gjithë këtyre objekteve origjinale dhe me vlerë jashtë shtetit për një ekspozim të kulturës sonë?
Nëse kjo do të ndodh, specialistët janë në gjendje t’i njohin. Kjo do të ishte një përgjegjësi e rëndë, por përderisa unë nuk di se çfarë po ndodh me këtë ekspozitë dhe nuk e kam ndjekur, nuk mund të flas dot më shumë. Vetëm dua të theksoj se ka mes tyre shumë objekte delikate të cilat kërkonin një mënyrë të specializuar ambalazhimi….

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.10.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri