Apollon Baçe: Pse duam t'i
privatizojmë monumentet

Apollon Baçe: Pse duam t'i <br />privatizojmë monumentet
TIRANE- Akademiku Apollon Baçe flet rreth monumenteve të kulturës që do të jepen për t'u shfrytëzuar si pika turistike. Në intervistën për "Shqiptarja.com", drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës tregon se projektet janë përfunduar dhe pas rreth 10 ditësh konsultime me Ministrin e Kulturës dhe stafin e tij, do të kemi një pasqyrë të përgjithshme të zonave dhe monumenteve që do të vihen në dispozicion të biznesmenëve. Si shembull analog, akademiku sjell Italinë, ku sipas tij ndodh e njëjta procedurë me dëshmitë monumentale që vinë nga historia e vjetër.

Thuhet se janë rreth 40 monumente kulture që do të jepen me qira apo koncesion nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Çfarë do të thotë kjo?
Në gjithë botën është një praktikë e njohur dhe nuk ka asnjë vend, i cili të mos e aplikojë këtë mënyrë. Edhe te ne ka pasur raste të tilla, por nuk mund të quhen raste fatlume.

Mund të përmendni disa prej tyre?
Është kalaja e Lëkursit, e cila është ndërtuar diku nga vitet 2000, ajo e Petrelës si dhe Torrja veneciane që është në qendër të Durrësit. Kalaja e Lëkursit duhet të kthehet në identitet. Parashikimet e asaj kohe janë kaluar dhe sot është betonizuar gati komplet si monument dhe nuk mund të dallosh asnjë gjë nga kalaja. Kjo kala është një monument i rëndësishëm i historisë sonë, pasi aty janë zhvilluar luftëra më andartët. Për kalanë e Petrelës ndodh pothuaj e njëjta gjë. Ka ndërhyrje më të mëdha nga sa duhet. Për mua, pjesa tjetër që ka shpëtuar e që janë kullat, u duhet një farë trajtimi, sepse tani janë lënë komplet jashtë dore. Me një fjalë, nisma jonë nuk është e re. Do të mundohemi që të krijojmë një lloj disiplinimi. Do të përpiqemi të krijojmë në Lezhë, te kalaja e Ndroqit si dhe me hyrjen e "Via Egnatia"-s në Elbasan.

Konkretisht, në çfarë mënyre?
Në Lezhë do të shfrytëzohet rreth 10% e ambientit të kalasë në pjesën e sipërme, në Ndroq ka një koeficient shfrytëzimi diku te 15%. Këtë ide kishte edhe një këshilltar për monumentet e kulturës në UNESCO. Do të kemi një piktë të re të ndërtuar, ku do të ketë sallë konferencash, ekspozita arkeologjike, njëkohësisht edhe një bar restorant në të. Për sa i përket kalasë së Lezhës, do të sistemohet terreni dhe muret, të cilat do i mbulojë investuesi. Do të ketë edhe aty një muze arkeologjik, një muze etnografik, do të ketë vetëm dy dhoma fjetje për VIP-at dhe një bufe me dimensione të reduktuara. Nëse bëhet një sondazh me opinionin publik, nuk do të pranonin që pasi të ishin ngjitur në kala të mos kishte një bar kafe. Faktikisht, ne kemi në Bylis një restorant, do të thosha jo aq i përshtatshëm. Në Apoloni janë dy. D.m.th. kjo nuk është një eksperiencë që nuk ekziston në vendin tonë. Ne do të mundohemi ta disiplinojmë në bazë të projekteve të qarta, me miratim brenda kuadrit ligjor dhe njëkohësisht të kalojë nëpërmjet instancave përkatëse. Unë e kam përgatitur projektin dhe besoj se këto ditë do ta dërgoj në ministri, ku do të diskutohet çdo pikë e tij. Ky projekt nuk është ide vetëm e imja, por kolegjiale.
Sjell Italinë si shembull, ku 20% i ka të ardhurat nga shteti, ndërsa 80% janë ose nga donatorët ose investitorët privatë, të cilët përdorin monumentet.

Në rast dëmtimi të monumenteve nga ata që do i shfrytëzojnë, cilat janë kostot për ta?
Kjo parashikohet në projektet. Këtu para kam dy projektet dhe mund t'ua tregoj për këtë që pyesni. E para: në rast se projekti i dërguar në Institut, nuk i përgjigjet kërkesave, nuk miratohet nga ne dhe atëherë ai nuk kalon. Është kërkuar p.sh. që të bëhen fusha tenisi, apo vend që të jepen shfaqje në Lekël dhe ne nuk kemi pranuar. E dyta: aty ka një kolaudues dhe supervizor, të cilët janë pjesë e Institutit dhe vëzhgojnë hap pas hapi. P.sh. nëse unë shkoj dhe e shoh monumentin 3 ose 4 herë në ditë, ai që e shfrytëzon nuk mund ta dëmtojë apo të mos zbatojë atë çka është vendosur. Në rast se hasim të tilla probleme, atëherë anulohet kontrata dhe nuk vazhdojnë punimet. Por nuk besoj se do të ketë raste të tilla, pasi ne do ta ndjekim në dendësi të madhe kohore.

Keni thënë që janë rreth 40 monumente. Mund të na përmendi se cilat janë?
Nuk mund të them se cilat janë ato, pasi po pres që të dalë lista përfundimtare, për të mos krijuar një imazh paraprak para se të kemi një listë të tillë. Kemi akoma një projekt listë, e cila është e printuar. Ju e keni vënë bllokun tuaj të shënimeve pikërisht mbi këtë listë, të cilën do ta shohim bashkë me ministrin dhe stafin e tij. Për rreth dy javët që vijnë besoj se do të kemi në dorë një pasqyrë të përgjithshme të këtyre monumenteve.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve