SHBA - Gjigandi i teknologjisë "Apple" është kompania me më vlerë e të gjitha kohërave ndërsa në treg ka kapur shifrën 623 miliard dollarë. Me këtë tregues ajo tanimë zyrtarisht ka tejkaluar edhe rekordin që mbahej prej Microsoft me 620.58 miliard dollarë në vitin 1999.

Lajmi vjen në prag të ngjarjeve të rëndësishme për "Apple" si prezantimi i iPhone 5 dhe ndoshta edhe një version i lirë i iPad. Impakti ishte i menjëhershëm në bursa ndërsa në Nju Jork, në mesditë "Apple" arriti të regjistronte një rritje me 2.6% në raport me të premten e kaluar. Pavarësisht sukseseve të menjëhershme, "Apple" si çdo kompani tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballet me një sërë sfidash.

Raporti mes dollarit amerikan dhe euros apo monedhave të tjera i bën produktet më të kushtueshme përtej oqeanit. Një tendencë rekuperuese e ekonomisë në Shtetet e Bashkuara e kombinuar me një rënie në tregjet kryesore të Evropës gjithashtu e bën më të vështirë shitjen e produkteve elektronike. "Apple" përballet edhe me garën me rivalët ndërsa së fundi Samsung prezantoi "Galaxy S3".

(dm/Shqiptarja.com)