Arabët kishin njoftuar edhe
Llallën për problemet me “Vollgën”

Arabët kishin njoftuar edhe<br />Llallën për problemet me “Vollgën”
Avokati i Ylvi Beqajt, administratorit të kompanisë arabe, “Saudi Brothers Commercial Company” që i dhuroi ish-hotel “Vollga” në Durrës, Emiljano Shullazit, i shkruan kryeprokurorit Adriatik Llalla. Avokati Roland Samarxhiu në një prononcim për “Shqiptarja.com” ka deklaruar se kjo letër është dërguar që më datë 14 prill. “Ne e kemi dërguar këtë letër për arsye se donim të informonim kryeprokurorin Llalla për problemet që hasëm gjatë procesit gjyqësor, por edhe më pas me regjistrimin e pronës”, u shpreh avokati. Në letrën e dërguar Llallës renditen me detaje, të gjitha të dhënat e kësaj prone, që nga blerja e saj në vitin 1994, zhvillimin e 15 proceseve e kundër proceseve gjyqësore dhe deri te kalimi saj në emër të Shullazit.

Në letër që në fillim i kujtohet kryeprokurorit Llalla, se pronari i vetëm i kësaj prone është arabi me shtetësi shqiptare Abdulazziz Al-Nowaiser njëherazi konsull nderi i Shqipërisë në Arabinë Saudite dhe pjesëtarë i familjes mbretërore. Avokati, e cilëson të turpshme, që për më shumë se 10 vite gjykatat dhe zyrtar të hipotekave nuk respektuan ligjin për regjistrimin e pronës, që tentuan t’ia vjedhin individ të caktuar me mbrojtje edhe në sistemin e drejtësisë. Në letër, avokati kërkon nga prokurori përgjithshëm, që të hetohen ata personat që me anë të falsifikimit të dokumenteve dhe ndihmës së dhënë nga gjyqtar të caktuar, tentuan t’i vjedhin pronën konsullit të nderit të Shqipërisë në Arabinë Saudite.

Sipas avokatit, Zamir Hasa, 3 avokat, zyrtarë të administratës së Hipotekës dhe 6 gjyqtarë të shkallës së parë dhe apelit në Durrës si dhe një anëtareje e gjykatës së lartë, duhet të hetohen për afera korruptive me qëllim përfitimin e pronës së ish-hotel Vollgës së kompanisë arabe. Në letër janë renditur emrat e të gjithë këtyre personave, duke mos përjashtuar edhe anëtaren e Gjykatës së Lartë, por që për arsye etike nuk i përmend emrat e tyre, për të cilët i kërkon kryeprokurorit të hetohen. Sipas avokatit, me ndërhyrjet e tyre dhe vendimet e dhëna në kundërshtim me ligjin, është bërë e mundur që në vitin 2006 ish-hotel Vollgës t’i ndërrohet pronësia. Më pas, shton avokati u deshën 15 procese të ndryshme gjyqësore nga viti 2006 deri në 2014, që prona të rikthehet e regjistruar në hipotekë në emër të kompanisë arabe.

Ylvi Beqaj: Pse ia dhurova Shullazit
Në një intervistë të dhënë për “Shqiptarja.com” disa ditë më parë Ylvi Beqaj, administratori i “Saudi Brothers Commercial Company” tregoi se pse i dhuroi ish-hotel “Vollga” në Durrës, Emiljano Shullazit. “…Ja kam dhuruar me dëshirë, se më ka mbrojtur. Ka qenë një marrëveshje dhe besë burri, të cilën unë ja kam ofruar…”-tha Ylvi Beqaj i cili përfaqëson në këtë kompani interesat e pronarit të firmës, sheikut Abdulaziz Al Nowaiser. Biznesmeni Beqja shtoi se nuk ka marrë asnjë kërcënim nga Emiljano Shullazi, kjo pasi me këtë të fundit ka njohje që prej vitit 1993, sepse e ka patur komshi, duke banuar në të njëjtën lagje, tek rruga “Kongresi i Lushnjës” Tiranë.

Për shkak të këtij afrimiteti ai e konsideron mik dhe jo armik. “…Nuk ka ardhur Shullazi tek unë por kam shkuar unë tek Shullazi, kjo pasi më kanë kërcënuar me jetën time, gruas dhe fëmijët e mi, me qëllimin e vetëm që të tërhiqesha e të mos merrja pronën e ish-hotel Vollga. Këto kërcënime mafioze kanë ardhur nga Zamir Hasa, djali i tezes së tij Artan Asllani, i cili më prezentohej si Dritan Dajti në telefon, duke më kërcënuar në forma më të egërsueshme. Këto kërcënime kanë qënë dhe një lobim tjetër që ka përkrahje politike dhe mediatike në vend. Për këto kërcënime ndaj meje, Asllani është dënuar me 400 mijë lek gjobë nga gjykata e Tiranës…”-thotë Ylvi Beqaj. …Do të vrasim fëmijët, zorët e fëmijëve kemi për t’i varur në qafë…,-këto kanë qënë kërcënimet dhe sigurisht që do shkoja tek komshiu im Emiljano Shullazi”-tha Ylvi Beqaj.


Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Vrasja e Eduart Reçit! Ky është oficeri i policisë, akuzohet se qëlloi biznesmenin e ndërtimit! Arrestohet dhe i vëllai

FOTO/ Vrasja e Eduart Reçit! Ky është oficeri i policisë, akuzohet se qëlloi biznesmenin e ndërtimit! Arrestohet dhe i vëllai