Arbërishtja si vetëdije
gjuhësore dhe letrare

Arbërishtja si vetëdije<br />gjuhësore dhe letrare
Gjuha dhe letërsia e arbëreshëve të Italisë janë dy elementet thelbësore që, përgjatë disa shekujve, kanë mbajtur të ndezur vetëdijen arbnore të banorëve të atyre trevave. E para, pra gjuha, duke qenë elementi kryesor që identifikon një komb, i ka dalluar arbëreshët nga i huaji/tjetri, por njëkohësisht i ka bashkuar ata vetëmevete, duke bërë që t’i mbijetojnë rrjedhës asimiluese 5-shekullore, e cila në jo pak raste ua ka rrezikuar seriozisht ekzistencën.

E dyta, pra letërsia, si mjeti me anë të të cilit shkruhet, regjistrohet e gjallon një gjuhë, është zhvilluar në vazhdimësi përkrah historisë e kulturës së bashkësisë arbëreshe, duke trashëguar nga paraardhësit e përcjellë te pasardhësit vlera të spikatura artistike letrare, por edhe duke ruajtur të gjallë vetëdijen e tyre etnike. Në lidhje me sistemin gjuhësor dhe letrar të shqipes, marrëdhënia e arbërishtes është specifike në disa kuptime:
Së pari, arbërishtja, si vatra dhe gjurma e identitetit të arbëreshëve, padyshim është shenja më e madhe e mbijetesës dhe identifikimit të tyre.

Gjuha, me gjithë nuancat dhe tiparet identifikuese të saj, u bart në vetëdijen e ikanakëve si ura lidhëse me dheun e të parëve, një urë lidhëse totale dhe e përplotësuar me të gjitha elementet e veta përbërëse. Identifikimi ishte total për arsye se arbëreshët menduan dhe krijuan një ishull të moskomunikimit shpirtëror me vendin që shkuan dhe të ruajtjes me çdo çmim të komunikimit me atdheun që lanë pas. Po kaq, identifikimi i tyre, i të ndryshmit, krahasimisht me vendin ku shkuan, lidhet me faktin se, në sistemin e gjuhës shqipe, varësisht në variantin thelbësor të arbërishtes, ata projektuan një sistem të vetëmjaftueshëm kulturor, gjuhësor dhe letrar, identifikues dhe veçues.

Pra, prania totale e kësaj fryme, si dhe pasuria tërësore e të gjitha elementeve, e ka shpërndrruar identitetin e arbërishtes, si frymë dhe substancë, në një identitet të ngurtësuar, që do të thotë, të hershëm; në një identitet shumëngjyror, që do të thotë, shpirtëror, etnik, filozofik, gjuhësor, letrar; po kaq edhe në një identitet fillimitar të qenies së gjuhës shqipe, sepse tek arbëreshët dhe arbërishtja, ruhet më mirë se kudo kronika e epokës së ndritur të Skënderbeut.

Së dyti, arbërishtja si frymë e qenies, si akt i dëshmimit të rrugës që ka bërë qenia shqiptare. Ekzistenca e arbëreshëve është e lidhur pazgjidhshmërisht me ekzistencës e botës shpirtërore që bartën me vete, po kaq është e lidhur fort me gjuhën si institucion i ekzistencës së qenies njerëzore. Varianti i arbërishtes, duke qenë nga të paktat vatra të shqipes që konfirmon se një gjuhë mund t’u jetojë të gjitha rrethanave, shtrënguese dhe mohuese, mbështetëse dhe asgjësuese, të mbijetesës si ligjërim i folur dhe i shkruar, tregon se misioni i saj është sa diakronik, aq edhe sinkronik. Pra, është i gjithëkohshëm. Nëse do të kundrojmë aspektin diakronik të mbijetesës së qenies arbnore dhe të gjuhës si thelbi i saj (qenies), faktet historike dhe letrare do të na çonin tek ideja që, qysh në hershmëri, arbërishtja u bë pjesë e ekzistencës dhe e udhëtimit të gjuhës shqipe.

Libri “E mbësuame e krështerë” (1592) i Lekë Matrëngës, që botohet 37 vjet pas “Mesharit” të Gjon Buzukut, konfirmon vijueshmërinë e identifikimit të qenies arbnore edhe përmes arbërishtes. Po kaq, kjo ide ilustrohet edhe nga autorët që shfaqen në vijimësi, duke nisur nga Jul Varibova, Dhimitër Kamarda, Zef Serembe, e për të mbërritur te kulmi i dëshmisë së gjuhës dhe letërsisë arbëreshe, Jeronim de Rada. Duke pasur në themel këtë trashëgimi të vyer të ekzistencës dhe mbijetesës, të identifikimit dhe evoluimit, gjuha arbëreshe, në fakt, u shenjtërua deri në nivelin e atdheut që e morën me vete, për të mos e humbur kurrë.

Krahas elementit gjuhë, një rol të veçantë në krijimin, ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit e ka luajtur edhe letërsia, sidomos poezia, qoftë ajo gojore, ashtu edhe ajo e shkruar, qoftë ajo e Rilindjes apo midis dy luftërave, ashtu edhe ajo bashkëkohore. Poezia, siç e cekëm edhe më sipër, është njëri nga elementet kryesore që tregon për përpjekjet disashekullore të arbëreshëve për t’i mbijetuar asimilimit shoqëror e kulturor. Të larguar në kohë të ndryshme nga vendi mëmë, bashkë me dheun e të parëve, arbëreshët morën me vete edhe këngët popullore, ritin fetar bizantin, doket, zakonet, legjendat apo proverbat. Të gjitha këto elemente u ruajtën dhe mbërritën të gjalla deri në ditët e sotme, u shfrytëzuan nga thuajse të gjithë poetët e të gjitha periudhave, u jetësuan kështu në poezinë e shkruar, duke krijuar një muze, i cili jo vetëm mban zgjuar e forcon ndërgjegjen e tyre, por edhe pasuron botën shpirtërore arbëreshe dhe mundëson mbijetesën e elementit kryesor të ekzistencës së tyre, atë të gjuhës.

Edhe në poezinë e ditëve të sotme ndjehet, nga njëra anë puhiza e këngës popullore, e nga ana tjetër një lloj vazhdimësie në frymë e poezisë së shkruar nga poetët pararendës. Sigurisht, autorët bashkëkohorë nuk mbetën thjesht në hullinë e veprave letrare tradicionale. Vërtet vazhdojnë ta ruajnë e trajtojnë motivin patriotik në poezinë e tyre, veçse ndryshe nga rilindësit, jo vetëm që nuk e kanë parësor atë, por edhe atëherë kur e rimarrin, e pasurojnë me të tjera elemente leksikore e sintaksore, me figura të reja shprehëse; i japin përmasë, frymë e strukturim të poezisë moderne; e ngërthejnë me figura, kumte e imazhe që karakterizojnë edhe poezinë bashkëkohore europiane.

Kështu ka vepruar Dushko Vetmo, Vorea Ujko, Xhuzepe del Gaudio, Karmel Kandreva, Xhuzepe di Maxhio, Enca Skutari, Xhuzepe di Modika e të tjerë, të cilët pasi kanë përthithur tharmin e poezisë gojore arbëreshe, pasi kanë ecur në gjurmët e poezisë së traditës, megjithatë, ia kanë dalë të krijojnë një poezi krejt origjinale, me figura, risi e tablo nga më të ndryshmet letrare. Poezia e Domeniko Bellicit, vëren studiuesi Anton Nikë Berisha, “...shenjëzon shmangien më të madhe përballë poezisë arbëreshe të traditës. Kjo gjë shprehet para së gjithash në mënyrën e qasjes, të perceptimit dhe të shqiptimit të gjërave e të dukurive, në shtjellimin e tekstit e në sistemin e të shprehurit, në ballafaqimin, në ndërlidhjen dhe në kundërvënien e fjalëve e të kuptimeve që dalin prej strukutrave të tekstit, në tablotë që krijohen e në mundësinë e receptimit shumësor të tyre...”

Nje botim i 1886 i veprës së Jeronim De Radës %u201CKëngët e Milosaos%u201D
(Në foto: Nje botim i 1886 i veprës së Jeronim De Radës “Këngët e Milosaos”)

Shkrimtarët bashkëkohorë arbëreshë shfrytëzuan mënyra të ndryshme për të mbajtur të konturuar qartë identitetin e tyre arbnor. Duke e mbështetur krijimtarinë te poezia gojore, të cilën e trashëguan ndër breza, ata, me artin që bënin, jo vetëm tregonin përkatësinë etnike, por edhe forconin e freskonin rrënjët e këtij identiteti. Në “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë” (Pellegrini Editore – Cosenza – Italy, 2008), lidhur me pikëtakimet e poezisë arbëreshe të shkruar, qoftë ajo edhe bashkëkohore, me poezinë gojore, është po studiuesi Anton N. Berisha, i cili shprehet: “Në masë të ndjeshme rëndësinë e poezisë gojore të arbëreshëve të Italisë e dëshmojnë edhe përkimet e thella poetike të saj me poezinë e shkruar arbëreshe, me çka arsyetohet mirëfilli e dhëna pse shkrimtarët arbëreshë, sidomos poetët, u mbështetën në poezinë gojore të sjellë nga Atdheu dhe të pasuruar e të ruajtur në ngulimet e tyre në Itali.”

Nga ana tjetër, kjo poezi identifikohet edhe për temat që trajton, të cilat, duket se janë përthithur nga poezia tradicionale e rilindësve, nga poezia e Skiroit, Serembes apo De Radës. Por, siç e cekëm edhe më sipër, trajtimi është krejt i ndryshëm tashmë, me një figuracion e shprehje thellësisht moderne, me figura e imazhe që dalin për herë të parë në arealin letrar të kësaj letërsie. Ajo, poezia pra, vazhdon të shkruhet edhe në gjuhën e katundit, me sa duket për të mos humbur tiparet e varianteve të arbërishtes, por është afruar, siç vëren Rexhep Ismajli, edhe me gjuhën letrare të njësuar, pra, me gjuhën e sotme shqipe. “Këto dy variante,- thekson studiuesi Nasho Jorgaqi në “Poetika e dokumentit”,- ecin krahas njëri-tjetrit, duke dhënë e duke marrë në mënyrë të ndërsjellë. Në këtë proces objektiv, diçka humbet, po më shumë fitohet. Arbëreshi i sotëm... nuk do që të humbasin vlerat e traditës, por nga ana tjetër ai e kupton se vlerat e kohëve të reja nuk mund të përvetësohen vetëm me gjuhën e katundit.”

Siç shihet, letërsia ka qenë një ndër motorët kryesorë në ruajtjen e vetëdijes etnike të bashkësisë arbëreshe. Në dhjetëvjeçarët e fundit ajo është zhvilluar me një shumëllojshmëri zhanresh, si në poezi, prozë, tregim e dramaturgji, por rolin hegjemon e ka pasur vazhdimisht poezia, e cila jo vetëm na shpalos vlera të veçanta artistike, por edhe ka përftuar prurje të reja e origjinale, duke u futur në hullitë e poezisë moderne bashkëkohore. Duke pasur parasysh cilësinë estetike të botimeve dhe numrin e mjaftë të tyre, mund të themi se Italia është vendi ku diaspora shqiptare përfaqësohet më denjësisht me zhvillimet e letërsisë, qoftë nëse kemi parasysh periudhën e Rilindjes, qoftë edhe bashkëkohësinë.

Për këtë, një ndihmesë të veçantë kanë dhënë periodikët e shumtë që janë botuar e vazhdojnë të botohen në këtë trevë, sidomos duke filluar nga gjysma e shekullit XIX, ku spikat revista “Shejzat” nga Ernest Koliqi, “Bota shqiptare” nga Zef Skiro di Maxhio, për të vazhduar me të tjerë periodikë si: “Katundi ynë”, “Zëri i Arbëreshëvet”, “Zgjimi”, “Zjarri”, “Lidhja”, të cilat i dhanë zë krijimtarisë së një sërë shkrimtarësh arbëreshë, të tillë si Dushko Vetmo, Enca Skutari, Karmel Kandreva, Xhuzepe di Modika, Vorea Ujko, Xhuzepe di Maxhio etj. Përveç sa u përmendën më sipër, kolana e shkrimtarëve arbëreshë zgjerohet edhe me emra të tjerë, shumica syresh të rinj, por edhe këta me koncepte të reja estetike e risi të qenësishme letrare, duke i përcjellë brezit të ardhshëm identitetin e tyre kombëtar, pikërisht atë identitet që trashëguan prej pararendësve.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Morën votëbesimin në parlament, dy ministrat e rinj Vengu dhe Hoxha bisedojnë me njëri-tjetrin

Morën votëbesimin në parlament, dy ministrat e rinj Vengu dhe Hoxha bisedojnë me njëri-tjetrin