Kam parë sot një lumë reagimesh kundër Dash Sulës. Shigjeta, etiketime, akuza për “tradhti”. Në Shqipërinë tonë, shpesh thuhet gjysma e së vërtetës dhe rrallë vendoset gishti në plagë.
Dash Sulën e njoh personalisht. E njoh ndikimin e tij real në Peqin, Belsh, e Rrogozhinë. Ai nuk ka qenë kurrë politikan i retorikës së madhe; ka qenë politikan territori, marrëdhëniesh njerëzore. Nuk ka pretenduar të jetë ideolog i salloneve televizive, por njeri veprimi në zonën e vet.
Kam pasur edhe kam e unë mendime ndryshe nga ai për shumë çështje, sidomos në periudhën e ndarjes së Partia Demokratike e Shqipërisë dhe debatit për raportin me SHBA-në dhe SPAK-un. Kam debatuar me të publikisht. Por një gjë është debati politik, dhe tjetër gjë është leximi i një lëvizjeje.
Le të ndalemi te thelbi. Dash Sula u ftua në lojën që ndërtoi Sali Berisha pas përçarjes së PD-së. Shumë prej atyre që sot e sulmojnë, dje e përgëzonin që u bashkua me Berishën dhe u largua nga tezat e Bashës. Atëherë sipas po të njëjtëve ishte “vendim i drejtë”, sot largimi qenka “gabim fatal”. Kjo është hipokrizia jonë kolektive apo historia e gjysëm të vërtetatave që janë gënjeshtrat më të mëdha të kohës sonë.
Premtimet e asaj kohe dihen: fitore brenda gjashtë muajve ndaj Ramës, respektim i primareve, rregulla loje të qarta. Çfarë ndodhi? Premtimet u shkelën. Jo vetëm që nuk pati fitore, por primaret u relativizuan dhe emra si Dashi u lanë jashtë listave. Madje, sipas vetë rrëfimeve, telefoni nuk u hap më.
Këtu lind pyetja e vërtetë: pse sot sulmohet Dashi?
Ai nuk pranoi të jetë viktimë politike e Sali Berishës dhe as të skllavërohej në logon e tij . Ai nuk pranoi të mbyllte karrierën si “ushtar i bindur” i një loje që nuk e kontrollonte. Se në momentin që e kuptoi skemën, vendosi të mos presë fundin që i kishin shkruar të tjerët.
Në politikën shqiptare, zakonisht ai që largohet quhet tradhtar. Por ndonjëherë ai që largohet është thjesht realist. Dashi kuptoi se për të ky ishte “kilometri i fundit politik ” në atë model ku luhet intrigë, presion, premtime boshe dhe luftë e brendshme e pafundme.
Ai zgjodhi një rrugë tjetër, një zgjedhje profesionale. Por paradoksi është ky: në fund, Dash Sula e mundi Berishën në lojën e vet, duke refuzuar të jetë pjesë e skenarit që i kishin përgatitur. Në një vend ku politika është teatër, ai zgjodhi të mos luajë më rolin që i kishin caktuar dhe kjo për shumëkënd, është më e rrezikshme se çdo gjë./Marrë nga profili i autorit në Facebook
Komente












