Mbrojtësi i Real Madridit, Alvaro Arbeloa ka pranuar se mungesa e kapitenit të Barcelonës në Euro 2012 do të ndihet te kampionët aktualë të Evropës dhe botës.

Mirëpo, ai është i sigurt se kombëtarja spanjolle do të mbushë boshllëkun e krijuar me mungesën e Pujolit. Kapiteni i Barcelonës iu nënshtrua operacionit në gju në muajin maj dhe si pasojë humbi mundësinë për të luajtur në Kampionatin Evropian të kësaj vere.

”Mungesa e Karles Pujol është mjaft e dhimbshme. Të gjithë i dimë cilësitë e tij të futbollit. Ai ka sens shumë të mirë të vendit ku luan. Është i shpejtë i fortë dhe reagon shumë mirë në çdo situatë”, ka theksuar Arbeloa.

”Karlesi është tip lojtari i cili u jep atyre që janë përreth tij vetëbesim të madh në fushë, kurse përvoja e tij është me rëndësi jetike. Pa marrë parasysh nëse është brenda apo jashtë fushës karakteri i tij është një plus për ne. Mënyra më e mirë për të shpjeguar këtë është që secili prej nesh që jemi këtu të bëjmë çmos që njerëzit të mos e vërejnë mungesën e tij”, ka shtuar Arbeloa. Spanja sfidën e parë në Euro 2012 e zhvillon kundër Italisë, në Grupin C, më 10 qershor.(rb/shqiptarja.com)