Arben Çeli, ky mjeshtër i fotografisë artistike dhe reportazhit

Arben Çeli, ky mjeshtër i fotografisë artistike dhe reportazhit

Fotografi Arben Çeli

Para disa ditësh u nda nga jeta fotoreporteri shqiptar Arben Çeli, një emër i njohur i fotografisë shqiptare. Kontributi i Çelit në fushën e fotografisë shqiptare është mbresëlënës, pasi në punimet e tij fotografike shpaloset pasioni, profesionalizmi dhe këmbëngulja për cilësinë më të lartë artistike.

Po kush ishte Arben Çeli dhe cila është krijimtaria e tij në historinë e fotografisë shqiptare të shekullit XXI?

Arben Çeli ishte pjesë e grupit e fotografëve shqiptarë të fotografisë dokumentare - reportazhit. Çeli lindi në Tiranë më 9 Dhjetor 1967, në një familje nëpunësish të administratës shqiptare. Origjina e familjes Celi është nga Borshi. I pajisur me një fizik të fuqishëm që i ri ishte i lidhur me sportin e futbollit dhe kreu studimet në shkollën e mjeshtërisë sportive, por për arsye shëndetësore largohet nga fusha e blertë.

Kontaktin e parë me fotografinë e pati në vitin 1991, kur shoqëroi në Shqipëri një grup gazetarësh të agjencisë “Reuters”. Më tej do të jenë fotografët profesionistë Lulezim Lika dhe Leon Çika, “mësuesit e parë”, të cilët në vazhdimësi ndikuan te Çeli në rrugën e tij të formimit profesional. Çeli duke filluar punë në agjencinë “Reuters” (1996) përballoi me sukses sfidën e vështirë të gazetarisë së zonave në konflikt. Duke filluar me ngjarjet e vitit ’97 në Shqipëri, me fillimin e ngjarjeve në Kosovë (1999), me zgjedhjet Parlamentare në Shqipëri (1996, 1998, 2002, etj) dhe në Kosovë (2001, 2004). Ai me kronikat e përditshme zinte vend me fotografitë e tij nën siglën e “Reuters” në faqet e gazetave prestigjioze londineze “Indipendent”,”Herald Tribun”, etj.

Arben Çeli ka publikuar vazhdimisht fotografitë e tij në shtypin shqiptar të mediave të shkruara (gazetat: “Shekulli”,”Albania”,”Koha Jonë”,”Sporti Shqiptar”,”Panorama” etj), por sigurisht publiku është njohur me krijimtarinë e fotografit Çeli dhe nën siglën “Reuters”, ku ai kontribuoi për më se 20 vjet. Krijimtaria artistike e Arben Çelit mund të ndahet dhe grupohet në dy grupe të veçanta: a – fotografia dokumentare që sillte freskinë e realitetit ose siç njihet në gazetari “lajmin” dhe b.- fotografia artistike që lidhet me realizimet e tij (në studion digitale moderne) të veprave fotografike për cikle fotografish të këngëtarëve të njohur (motrat Gjoni, motrat artiste Eranda dhe Irma Libohova, Valbona Mema, Arbërie Hadërgjonaj, Eli Fara, Bleona Qerreti, Sinan Hoxha, etj), të artistëve Gerti Vaso dhe Enada Hoxha, Josif Gjipali, Kastriot Tusha etj.

Mjeshtri Arben Çeli ka dokumentuar dhe realizuar fotografitë e veprimtarive të mëdha artistike kombëtare dhe ndërkombëtare si: Netët e Klipit Shqiptar, Festivalet e këngës në RTSH, disa nga sfilatat e modës në Tiranë, spektaklet e miseve dhe sfilatat e modës, por ka bashkëpunuar ngushte edhe me agjencinë e eventeve te kompanisë prestigjioze Geraldina Sposa. etj. Ai është autor i fotografive të miseve të botuara në kalendarët e vitit 2004 por dhe i mjaft botimeve të rëndësishme si bashkëpunëtor me (ish) MRRTT, Bankën Qendror te Shqipërisë, Edil Centro, Kompaninë “Derby”, UNICEF etj.

Fotoreporteri Çeli në fotografitë e tij krahas pasqyrimit të bukurive të natyrës Shqiptare preferonte që personazhet e tij të mos ishin statikë por në lëvizje të natyrshme njerëzore. Puna në studion e tij ka krijuar gradualisht një arkiv të pasur me personazhet e ndryshëm që të imponojnë dhe qëndrime jo të njëtrajtshme, natyrshmërisi, dritë të ngrohtë dhe bukuri që i bën imazhet e tij mjaft të bukur dhe komunikuese.

Vitet e fundit Arben Çeli ishte fotoreporter i Revistës “SHQIP”, bashkëpunonte me Agjencisë Kineze të lajmeve "Xinhua", dhe me Gazetën “SI”.

Në komunitetin e gazetarëve Arben Çeli njihej si një njeri pozitiv, i qetë dhe me humanizëm të lartë. Ai ndau përvoja dhe momente të shumta profesionale me kolegët, të cilat janë një shembull i çmuar virtytesh dhe profesionalizmi.

Në historinë e fotografisë shqiptare emri i Arben Çelit do të zërë vendin e merituar, pasi me punën, pasionin dhe talentin e tij krijoi imazhin e një profesionisti modest, por elitar.

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë