Arben Duka është një burrë i fortë, i vendosur, nuk i pëlqen të tërhiqet. Nëse është nisur për diku, do ta gjejë rrugën për të mbërritur. Ndërron gazetë pas gazete. Së fundmi, pas ikjes nga Shekulli, ka ikur edhe nga gazeta Dita. Stacioni i radhës është gazeta jonë Shqiptarja.com.
Me satirat e tij thumbuese ndaj politikës dhe fenomeneve të shumta që prekin shoqërinë shqiptare, ka bërë shumë, shumë adhurues… Thotë se janë me mijëra lexuesit e satirave të tij. Por këto vargje godasin e kësisoj bëjnë edhe shumë armiq… politikanë dhe njerëz me pushtet, të cilëve Arben Duka thotë se nuk iu trembet.Kemi bërë një shkëmbim përshëndetjesh dhe ai është gati të rrëfejë jeten e tij, karrierën artistike, këngët e famshme, bashkëpunimet më kompozitorët më në zë nëpër festivale, një pasuri që ai s’e gëzon dot sot në këto ditë të errëta, ku e drejta e autorit nuk njihet nga askush dhe të gjithë vjedhin e vjedhin… Thotë se ka ndërmend të nisë një grevë urie së bashku me dy miqtë të tij artistë kundër këtij fenomeni, e mandej na tregon për ditën e tij, një ditë e zakonshme shqiptari, siç e cilëson. Na rrëfen po ashtu për sëmundjen e tij që i ka kondicionuar jetën, për dhimbjet e tmerrshme që ndjen çdo ditë e që mundohet t’i zbusë veçse me morfinë… Biseda me të, është e gjatë, me humor dhe ngacmuese…
Arben, a mund ta kujtoni si ka kanë qenë fillesat e karrierës tuaj, ose edhe pak më përtej mbase që nga fëmijëria?
Unë sot jam 55-vjeç dhe e kam filluar krijimtarinë letrare që në moshën 15 vjeçare. Kam qenë vetëm 17 vjeç kur kam marrë pjesë në një festival kombëtar të këngës në RTSH me kompozitorin Agim Krajka dhe kemi nxjerrë për herë herë të parë në skenë Irma Libohovën me këngën “Çel kjo këngë si trëndafil” e vlerësuar me çmim të dytë. Fill pas kësaj sërish më Krajkën kemi nxjerrë në festival Parashqevi Simakun, e cila po ashtu fitoi çmim të dytë. Ka qenë një histori e gjatë ajo e këngëve në festivalet e RTSH-së, jo se ato janë krijimet e mia më të mira, por kënga është një gjini shumë demokratike bie shumë në sy dhe përhapet shumë shpejt. Megjithatë mund të them se unë edhe kam pasur fat, pasi kam punuar me disa nga kompozitorët më të njohur shqiptarë si Agim Krajka, Agim Prodani, Kujtim Laro, Vladimir Kotani, Valentin Veizi, Luan Zhegu, Flamur Shehu, Edmond Zhulali dhe shumë emra të tjerë që nuk i kujtoj dot menjëherë.
Në këto festivale me këngët ku kam qenë bashkëautor, kam marrë mbi shtatë çmime të parë, si “Çel si gonxhe dashuria” një duet që e ka kënduar Nertila Koka dhe Gezim Çela, pastaj ka qenë kënga “Në moshën e rinisë” që e ka kënduar Parashqevi Simaku, një këngë kjo që mjeshtri i madh Ferdinand Deda për herë të parë dhe të fundit ka ngritur orkestrën në këmbë dhe e kam mabjtur ashtu për tre minuta. Kjo s’ka ndodhur asnjëherë tjetër nëpër festivale. U parapa që ajo këngë do të merrte çmim të parë.
Po ashut janë edhe këngë të tjera që i ka kënduar Luan Zhegu, Liljana Kondakçiu, Albërie Hadërgjonaj, Irma Libohova, Parashqevi Simaku, Nertila Koka, Gëzim Çela, Eneida Tarifa, Elsa Lila, Kozma Dushi, në muzikën e lehtë apo edhe të muzikës popullore si në atë kohë edhe sot me këngëtarë si Ylli Baka, Maja, Poni, Marjola ..etj. Mund të them se kanë qenë disa këngëtarë që i kam mbajtur me krijimtari rreth 30 vjet, siç është përshembull rasti i Kozma Dushit në muzikën e lehtë dhe Petrit Lulo në muzikën popullore.
Kam pasur fatin të punoj në dy përiudha si në kohën e komunizmit ashtu edhe në periudhën e demokracisë. Mund të them se në kohën e komunizmit ka pasur një seriozitet të jashtëzakonshëm në krijimin e këngëve. Ka pasur një klasë brilante kompozitorësh, të cilët nuk i dalloje dot nga njëri-tjetri për madhështinë e tyre, të cilët vinin shumica nga shkolla ruse, por edhe kjo shumicë, qe e mbështetur në tabanin kombëtar.
Një karrierë e mbushur plot e përplot… A i keni vjelë përfitimet materiale të kësaj krijimtarie? Si funksionon e drejta e autorit për ju?
Ky është një problem shumë i madh. Edhe e drejta e autorit sikurse shumë aspekte të tjera të jetës në Shqipëri, është një greminë të jashtëzakonshme, një vjedhje e llahtarshme. E drejta e autorit këtu është masakruar. Realisht unë kam rreth 3000 këngë prej të cilave 1000 janë aktive në televizione në radio, koncerte, në yotube e në faqe të tjera interneti, por në autorët nuk marrim asnjë qindarkë. Ka vënë këshilli i Europës kusht par tre-katër vjetësh të drejtën e autorit dhe u shtua një zyrë shqiptare e të drejtës së autorit, e cila që kurse u krijua masakra qe edhe më e madhe. Nëse në kohën kur ishte Neshat Tozaj në krye të Albautorit, i cili sot është jashtë çdo funksioni me në krye Pirro Çakon e të tjerë, pra në atë kohë ne merrnim diçka nga e drejta e autorit/ Por kemi rreth tetë vjet që ne nuk marrim asnjë qindarkë nga puna jonë. Nëse unë do të isha në një shtet normal, do të isha miliarder. Nuk do të shkruaja përditë për të siguruar bukën e gojës. Kjo është situata…
Unë jam shqiptari më i vjedhur. Janë plot 3 mijë këngë. Këtu është një ligj për të drejtën e autorit, por është formal nuk zbatohet. Kam bërë takime me ish-ministra të qeverisë së shkuar për këtë proces, të gjithë kanë gënjyer. Zyra e të drejtës së autorit e ka vështirësuar shumë zbatimin e këtij ligji. Qeveria e re duhet ta rishoh çështjen e të drejtës së autorit. Ne jemi disa krijues që kemi vendosur të shkojmë deri në grevë urie për ta zgjidhur këtë çështje. Veç meje, janë gati edhe dy krijues të tjerë shumë të rëndësishëm të muzikës shqiptare që janë gati për këtë grevë urie. Nuk do ta bëjmë këtë për spektakël, por sepse është çështje jete. Nuk kemi me se të jetojmë si ta përballojmë jetën, ndërkohë që pasuria jonë vidhet nga këpucarët, hekuraxhinjtë që kanë hapur televizione… ndaj edhe unë shkruaj çdo ditë. Për të mbijetuar…
Do të doja të dija nga e keni trashëguar nervin artistik?
Andej nga vij unë, (jam nga Labova e Gjirokastrës), ka një folklor të jashtëzakonshëm. Atje shumica komunikojnë me bejte. Nuk them se kam një trashëgimi gjenetike, mbase është më shumë një dhuratë e perëndisë, por në familjen time të gjithë shkruajnë. Kam një vëlla, Apostol Duka, që është edhe poet, edhe prozator e gazetar, kam një vëlla tjetër Sofokliun që shkruan edhe poezi por edhe studime, por edhe villain tjetër Josifin, që shkruan poezi. Diku mund ta kemi një prejardhje. Ka qenë dikur në kohën e Skënderbeut një poet Kostandin Duka, nga ajo zonë, ndofta andej është origjina. Por s’është e thënë që të kesh prejardhje gjenetike për të qenë poet, gazetar etj…
Veç poezive e teksteve të këngëve ju jeni edhe një krijues i spikatur i satirës…
Në fakt unë jam një krijujes fin i lirikës, por fatkeqësisht, poetët lirikë në Shqipëri janë një specie në zhdukje. Ndërsa satirën unë e kam si “bukën e përditshme falna o zot”. Ata që unë i kam fansa e dashamirë të afërt më shumë më vlerësojnë në poezinë lirike dhe jo në poezinë satirike apo humoristike, që unë shkruaj. Realisht poezinë humoristike që bëhet edhe satirike, unë e kam filluar si krijimtari që në kohën e komunizmit në revistën “Hosteni”, që ka qenë organi i vetëm opozitar i atij sistemi, në fakt i shfaqjeve të veçanta që shfaqeshin atëherë. Veçanërisht ne kishim porosi të sulmonim burokracinë. E vetmja revistë që kishte një farë vistoje, edhe pse jo me shkrim, që të merrej me njollat e errëta të atij regjimi ka qenë revista “Hosteni”, ndërsa të tjerat pastaj ishin shërbetore të atij sistemi.
Kështu që kam eksperiencë në poezinë satirike që nga nga ajo kohë, pastaj pas viteve 90-të, e kam parë si një mjet për të luftuar të keqen nga çdo anë që mund të vinte. E kam filluar që me Zërin e Popullit, për herë të parë, ka qenë rubrikë e përditshme, më pas kam vijuar me gazetën “Koha jonë” dhe shumë gazeta të tjera, të cilat gjithnjë më kanë kërkuar. Nuk kam kërkuar asnjëherë unë që të shkoj e të shkruaj në një gazetë. Gjithmonë më kanë thirruar ata mua dhe gjithnjë i kam shkëputur marrëdhëniet për shkak të temave që kapja unë. Pra jam larguar për shkak se pronarët e gazetave mendojnë gjithnjë si tregtarë, ndërsa unë jam idealist, e kështu gjithnjë do të përplaseshim. Por kanë qenë gjithnjë ikje të buta, sepse unë nuk jam njeri i konflikteve edhe pse nuk tërhiqem kurrë nga ato që kam unë në kokë.
A mund të flasim pak për procesin e të shkruarit. Si shkruhet një satirë nga Arben Duka?
-Unë kam vite që kam hequr dorë nga kompjuteri, pasi kam dhimbje të tmerrshme mesi. Ka mbi tetë vjet, që kurse kam lënë detyrën si zëdhënës i ministrit të transporteve, që unë nuk ulem më në kompjuter. Vargjet i shkruaj në këtë celular (tregon një aparat të vjetër Nokia, model po ashtu mjaft i hershëm)...
Një model i vjetër…
-Po model i vjetër, por unë shkruaj me një dorë me të. Këtu kam për shembull vjershën që kam bërë gati për rubrikën time të përditshme në “Shqiptarja.com”. Unë i shkruaj vargjet këtu, ia dërgoj administratorit tim, një fans i imi që më ndihmon me kënaqësi çdo herë dhe ai ia kalon përmes emalit redaksisë. Por unë shkruaj vetëm me këtë celular. Ky mund të ketë shkruar mbi 3000 vjersha …
Qenka për librin e rekordeve Gines….
-Bëhet fjalë për vjersha të gjata edhe me 30 apo 40 strofa, siç keni parë në Shqiptarja.com. Madje kam pasur edhe më të gjata se kaq.
Në satirat tuaja ju shkruani për tema nga politika, nacionalizmi etj, çfarë e shqetëson Arben Dukën në ditë të tilla?
-Karrierën intensive e kam nisur që nga 1992. Nuk kam qenë i pajtuar me mënyrën se si erdhi në pushtet Partia Demokratike dhe për këtë unë jam shpalosur që ditët e para kundra. Ka qenë një nga satirat e mia të para të kësaj kohe (lexon): “Shqipërinë e mori Sala i vu Zjarr/ Ç’do t’ju pjell me Saliun o shqiptarë…”. Kjo është shkruar në vitin 1992 dhe vërtet Shqipërisë i polli shumë me Sali Berishën. Por unë nuk kam qenë shumë i fiksuar pas PD në satirat dhe në humorin tim unë kam shkruar edhe kundra qeverisë Nano, qeverisë Majko, kundra qeverisë Meta, duke qenë edhe vetë pjesë e tyre.
A ke miq politikanë?
-Kam menduar se kam pasur shumë miq politikanë, por kur mendon se ke shumë miq politikanë nuk ke asnjë. Nuk bëhen miq politikanët. Unë kam një që e kam pasur mik të përjetshëm, Agron Dukën. E kam mik të ngushtë. Kam edhe të tjerë, por me Agronin jam i sigurt se e kam mik, për të tjerët nuk kam siguri. Unë kam idenë se kolltuku i prish njerëzit, sidomos racën shqiptare që nuk është shumë e kulturuar. Kjo është absolutisht e vërtetë. Njerëzit sapo kapin një kolltuk ministri a drejtori mendojnë befas se janë gjeni, të zgjuar, të jashtëzakonshëm dhe i ndërpresin marrëdhëniet me njerëzit e thjeshtë, me ata që japin kontribute dhe shumë shpejt bien nga karriget. Unë kam bërë edhe një vjershën për këtë “kolltukët pjellin tartabiqe” dhe tartabiqet thithin gjakun e njerëzve…
Vargjet e tua thumbojnë dhe godasin politikanët.. A merrni prej tyre mesazhe, në mos kërcënuese, me zemërim?
Për hir të krijimtarisë time ka pasur një atentat kundra meje. Kanë qenë dy makina të SHIK-ut, të udhëhequra nga një deputet sot i Partisë Demokratike. Kanë dashur të më rrëmbejnë. Ishte bërë e modës atëherë, u rrëmbyen disa figura të spiktatura. Kjo ka ndodhur fill pas zgjedhjeve të vitit 1996. Partia Socialiste kishte hyrë në grevë urie, ndërsa unë isha zëdhënësi i kësaj greve. Ishim të rrethuar në seli. Jashtë ishin SHIK-u me gazetarët e Rilindjes Demokratike. Sapo dola nga selia e PS-së ata më zunë tek Lidhja e Shkrimtarëve. Qenë dy makina. Kjo ngjarje bëri shumë zhurmë sigurisht. Por që atëherë mua nuk më ka ngarë më askush. Sigurisht kam pasur ndërhyrje, mos shkruaj për ketë apo për atë...
Arben, a mund të na e rrëfesh ditën tënde? Si është ajo?
-Nuk është shumë interesante… Nuk kam një orar të përcaktuar për shkak të problemeve shëndetësore, që kam. Dal nga shtëpia rreth orës 12:30 :13:00. Vij këtu lexoj shtypin. Tani në fakt jam përqendruar ca më tepër tek gazeta, për të thithur më shumë lexues. Por kaq. Vijnë këtu këngëtarë, artistë, miq e të njohur… vij në këtë orar, pasi nuk ka shumë njerëz në këtë kohë, pasi unë nuk mund të përqendrohem shumë në bisedë. Madje e quaj heroizëm që qëndrova kaq shumë më ju këtu pa lëvizur… ditë shqiptari është, e zakonshme. Vij në këtë lokal, “Glam” quhet e shfrytëzoj përkohësisht edhe si zyrë, pasi edhe lokalet unë i ndërroj shpesh sikurse edhe gazetat ku shkruaj…
Më thatë që sëmundja e ka kondicionuar disi jetën tuaj..Unë po ju thosha ju ka prerë krahët, por ju thoni më ka prerë këmbët….Ç’është kjo sëmundje?
-Pikërisht këmbët më ka prerë, pasi krahët më punojnë ende. Është një histori e gjatë, ka dhjetë vjet kjo gjendje. Kam probleme serioze me shtyllën kurrizore, me mesin me këmbët…do t’ju them me se kurohem që mos të jetë e nevojshme të them më shumë. Kurohem vetëm me morfinë.. Ky është ilaçi i fundit i shpikur për të luftuar dhimbjen. E kur je me dhimbje e me pamundësi për të lëvizur, je shumë i kufizuar. Nuk shkoj dot në asnjë aktivitet kulturor, në promovime librash në dasma në vdekje…. Ky është kufizim. Por njeriu e edukon veten që të jetojë në atë mënyrë që e detyron jeta, fati. Kur nuk e lufton dot dhimbjen do të mësohesh të jetosh me të…
Është histori e gjatë kjo e sëmundjes time. Kanë qenë gabime të tmerrshme mjekësh në diagnozë. Më kanë çuar drejt paralizimit, por ajo fazë mbase është bllokuar tani. Tani kanë mbetur dhimbjet, dhimbje që i mposht vetëm me morfinë.
Shkrimi u publikua sot (05.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)