Agim Krajka tha se “poezitë e Arben Dukës na zbukuruan muzikën shqiptare” dhe e quajti Arben Dukën “një monument të kulturës kombëtare”. Famën e poetit Duka, kompozitoeri Krajka ia dedikoi mbështetjes në rrënjet e popullit. I pranishëm ishte edhe krytari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, që ka sponsorizuar botimin e librit “Si Mona Liza” të Arben Dukës. Ishin gjithashtu poetë të njohur të vendit dhe gazetarë e politikanë. Dhënia e titullit ishte një shenjë nderimi dhe krenarie për poetin gjirokastrit, i cili u vlerësua për kontributin e tij dhe për vitalitetin krijues, edhe në këtë kohë kur gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë.
Poeti Arben Duka, i cili boton përditë në këndin e satirës politike në vargje në gazetën Shqiptarja.com, u vlerësua si një rast i rrallë që lëvron këtë zhanër të harruar nga shumë poetë të tjerë. Një nga të pranishmit e përshëndet pikërisht për vlerën që kanë vargjet e botuara në gazetën “Shqiptarja.com”, ku ai u shpreh se “gazetat zakonisht mbajnë kahje të caktuara politike. Por në satirën e Arben Dukës ne lexojmë të vërtetën. Kështu që kur ai ka nisur të shkruaj satirat poltike, ne jemi të abonuar në Shqiptarja.com”.
Për poetin Arben Duka u mbajtën kumtesa që vlerësuan poezinë e tij për koloritin, larminë, stilin, emocionet që dhuron. “Femra është tharmi që mbush poezinë e Benit, e bën atë të jetë e veccuar nga poezitë e gjithë të tjerëve poetë, pasi batica e fortë e muzës e ka shtyrë në breg të lartë, të paarritshëm nga soji ynë”, u shpreh shkrimtarja dhe gazetarja Miranda Haxhia. Arben Dukën e vlerësuan si Ali Asllanin dhe Fan Nolin e sotëm. Këngëtarja Irma Libohova ka kënduar gjatë ceremonisë vargjet e Arben Dukës “Ore, ore luleborë”. Petrit Lulo këndoi këngën që konsiderohet si himn i qytetit të Gjirokastrës, shkruar nga biri i saj Arben Ilo Duka. Të tjerë këngëtarë si Luan Zhegu, Kozma Dushi, Bakja kënduan këngë të kompozuara mbi vargjet e Arben Dukës.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Korrik 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)